Maqedonia

Poposki: Kriza politike pengon integrimin

BelaKriza politike në Maqedoni seriozisht ndikon edhe në çështjen e emrit. Kështu tha shefi i diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Poposki, para homologëve të tij në Ohër. Sipas tij, kjo çështje nuk do ta shohë dritën e ditës derisa nuk zgjidhet kriza e tanishme. Poposki tha se Maqedonia kërkon anëtarësim në NATO dhe që të dërgoj sinjal të qartë se siguria dhe stabiliteti i Maqedonisë dhe rajonit është e vulosur.

‘Për shkak të krizës politike, nuk i kushtohet kurrfarë vëmendje bllokimit të gjatë që e kemi për në NATO dhe BE dhe faktikisht prapavija e kësaj bllokade, gjegjësisht kontesti me emrin është vendosur në kavanoz dhe është dërguar në bodrum dhe nuk do të sheh dritë derisa ta heqim këtë pengesë që kryesisht lidhet me krizën e brendshme politike. Për këtë ne si shtet kemi interes që ajo të zgjidhet sa më shpejtë. Çdo zvarritje e vendimeve sjellë rreziqe për prishjen e kohezionit tonë të brendshëm dhe sjellë rreziqe serioze për shndërrimin e Maqedonisë në cak për qërim ndërkombëtarë hesapesh’, deklaroi Nikolla poposki, ministër i jashtëm.

Ministri i jashtëm serb dhe kryesues i OSBE-së, Ivica Daciq, tha se mbështet përpjekjet e BE-së që kriza në Maqedoni të vendoset në suaza politike. Sipas tij OSBE në çdo moment është e gatshme ta ndihmojë Maqedoninë në zgjidhjen e situatave të caktuara.

‘Ne mbështetim përpjekjet që i bën BE-ja që situatën ta vendosë në korniza politike. Dënojmë çdo formë të rrezikimit të sigurisë në Maqedoni, çdo formë dhune dhe terrorizmit. OSBE si organizatë është e gatshme t’i ofrojë shërbimet e saja nëse për këtë ka nevojë. OSBE do të bëjë përpjekje maksimale të ndikojë duke pas parasysh se vendimet sillen me konsensus. Për këtë bashkë me autoritetet në Maqedoni dhe BE-në sa më shpejtë duhet të arrihet stabilizim i situatës. Është e rëndësishme për tërë rajonin që të ruhet stabiliteti i Maqedonisë’, u shpreh Ivica Daciq, kryesues i OSBE-së.

‘Për Maqedoninë është e rëndësishme që kriza të zgjidhet sa më shpejtë. Përgjegjësinë e kanë të gjitha palët e përfshira në situatën aktuale të vendit. Maqedonia duhet ta vazhdojë rrugën e sajë drejtë BE-së sepse na nevojitet si lojtarë i fortë në Ballkan dhe Evropë. Do të mbështesim çfarëdo procesi që zhvillohet në vend, që çon drejtë zgjidhjes e që e mban vendin drejtë rrugës evropiane’, deklaroi Mihail Linhard, Sekretar i përgjithshëm i MPJ-së austriake.

Në margjinat e Samtit në Ohër u mbajtën disa takime bilaterale mes të cilave edhe takimi i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti me ministrin e jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati. Nga kabineti i Ahmetit informojnë se Ahmeti dhe Bushati kanë biseduar për situatën aktuale politike në vend dhe rajon dhe bashkëpunimin mes Tiranës dhe Shkupit.

‘BDI luan rol konstruktiv dhe të rëndësishëm në vendosjen e dialogut politik me ndërmjetësim ndërkombëtar dhe do të vazhdoj me të njëjtin kontribut në dialog me të gjitha partitë. Marrëveshja e 2 qershorit është e mirë jo vetëm sa i përket bazave të stabilitetit siç janë marrëdhëniet ndëretnike, Marrëveshja e Ohrit, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe integrimet euro- atlantike, por edhe për atë se përcakton reforma të rëndësishme dhe të patjetërsueshme që duhet t’i bëjmë në afat sa më të shkurtë. Prandaj, palët nuk duhet të dorëzohen, por t’i tejkalojnë interesat partiake dhe të mendojnë për vendin dhe qytetarët’, thonë nga kabineti i Ahmetit.

Ahmeti ka kërkuar edhe intensifikimin e bashkëpunimit bilateral mes Shkupit dhe Tiranës përmes mbajtjes së seancave të përbashkëta qeveritare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button