Porto Romano, revolucioni i grosistëve të naftës
Grosistët e naftës pritet të forcojnë edhe më tej pozitat në treg pas marrjes me koncesion të Porto Romanos. Investimet 14 milionë USD, nga kompania e përzgjedhur “Multy Buoy Mooring USD” që do të rrisin kapacitetet përpunuese me rreth 30%, synojnë plotësimin e nevojave të tregut të Kosovës për naftë. Si ndahet tregu i porteve të karburanteve dhe tendencat për të forcuar më tej monopolet
Pozita gjeografike e Shqipërisë më së shumti është e lakmueshme për shkak të lehtësisë që ofrojnë në transportin detar portet e saj. Por mungesa e aftësive e qeverive shqiptare për t’i zhvilluar ato edhe në shërbim të rajonit, për t’i bërë konkurruese në çmime dhe shërbime i ka lënë këto asete të fjetura dhe pa dimensionin që u takon në ekonomi.
Por tani, teksa ekonomia e Kosovës po zhvillohet me ritme të shpejta dhe furnizimi me mallra e shërbime po kryhet nga Shqipëria dhe nga kompani shqiptare, shtimi i kapaciteteve përpunuese në porte shtrohet me emergjencë. Bëhet fjalë për portin e karburanteve në Porto Romano, ku katër kompani i kanë kërkuar qeverisë marrjen me koncesion për të mundësuar shkarkimin e anijeve me kapacitet më shumë se 20 mijë tonë. Duke investuar rreth 14 milionë dollarë për infrastrukturën e portit, Luigj Aliaj, i Shoqatës së Shoqërive të Karburanteve, pohon se plotësohen nevojat e përpunimit të naftës për t’iu përgjigjur kërkesave të tranzitit.
Kompanitë importojnë për llogari të tregut vendas rreth 450 mijë tonë në vit, ndërsa tranzitojnë rreth 40% të nevojave të tregut të Kosovës. Me investimet që pritet të nisin që në vitin e parë pritet që kapacitetet përpunuese të Portit të Karburanteve në Porto Romano të jenë rreth 1 milion tonë në vit.
Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi javën e shkuar projektligjin e ri për dhënien me koncesion të Porto Romanos sipas formës ‘BOT’ (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim kundrejt bashkimit të katër kompanive që formuan koncesionin, Porti MBM (Multy Buoy Mooring).
Por pas hijes së emergjencës që paraqesin investimet në Portin e Karburanteve në Porto Romano ka një skepticizëm për forcim të pozitave të monopolit nga grosistët e naftës. Nisur nga rezultatet e deritanishme të koncesioneve, konsumatorët shqiptarë kanë hequr në kurriz të tyre tarifa të larta për mallra dhe shërbime dhe pamundësinë e qeverive shqiptare për të kthyer mbrapsht gafat e paraardhësve në kontratat e keqhartuara.
Infrastruktura
Aktualisht, infrastruktura e kufizuar e terminaleve ekzistuese limiton mundësinë e ankorimit të anijeve cisterna, me kapacitet më të madh se 20 000 tonë. Pikërisht, për të mundësuar këtë, projekti parashikon realizimin në një periudhë 6-mujore të portit off-shore të ankorimit MBM me thellësi (zhytje) 18-20 metra që mundëson pritjen e anijeve me kapacitet mbi 20 000 tonë dhe që vlerësohet të çojë importet dhe eksportet e karburanteve në 1 milion tonë në vit, nga të cilat 40% për eksport, sipas relacionit që shoqëron projektligjin e ri për dhënien me koncesion të Porto Romanos.
Zhvillimi i këtij projekti në Porto Romano ku janë të përqendruar më shumë se 85% e kapacitetit të magazinimit dhe ruajtjes së karburanteve, duke u integruar me infrastrukturën aktuale, do të rezultonte në rritjen dhe shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve të magazinimit, të cilat aktualisht shfrytëzohen në vetëm 60% të tyre.
Sipas projektligjit, investimi në këtë zonë do të rezultonte me kosto të reduktuara dhe do të ishte efektiv në terma financiarë.
Projekti parashikon realizimin e një sistemi bovash rreth 2 500 m nga linja bregdetare në afërsi të Porto Romanos në Durrës. Në këtë largësi vihet re një thellësi rreth 20 m, e projektuar për të pritur anije me gjatësi 250 m, me një zhytje rreth 15 metra. Fushat e bovave, të quajtura MBM, përbëjnë një nga mënyrat e para të përdorura për ankorim në det të hapur. Normalisht ky sistem përbëhet nga një numër i ndryshëm bovash të ankoruara fort në fund të detit, nga një bovë në sipërfaqe tek e cila lidhet tubi i shkarkimit të mallrave të përziera të lëngshme dhe nga një apo më shumë tubacione, në përgjithësi të zhytura (të ankoruara dhe/ose të vendosura në fund të detit) me qëllim reduktimin e rezistencave të induktuara nga deti (valë, rryma), që lidhin bovën me serbatorët në tokë, të vendosur në afërsi të bregut.
Investimi
Ministri Edmond Haxhinasto ka deklaruar javën e shkuar se kemi të bëjmë me një kontratë BOT (ndërto, opero dhe transfero). “Bëhet fjalë për një kontratë 35-vjeçare. Investimi i kryer do të jetë 10.2 milionë dollarë në fillim të investimit dhe në periudhën e fundit do të shtohet edhe 40% e vlerës. Arsyeja e realizimit të këtij investimi ka të bëjë me një kufizim, limitim të kapaciteteve tona përpunuese, veçanërisht për hidrokarbure, që kushtëzohet nga thellësia e kufizuar e porteve tona. Ky investim do ta rrisë në mënyrë të jashtëzakonshme mundësinë tonë të operatorëve privatë shqiptarë për të realizuar import-eksporte të produkteve hidrokarbure”,- theksoi Haxhinasto, gjatë referimit të këtij projektligji para deputetëve të Komisionit.
Përfitimet
Për sa u takon të ardhurave në buxhet, parashikohet që projekti të ketë ndikim pozitiv, për sa kohë do të mundësojë përpunimin e tonazheve të larta të hidrokarbureve dhe, rrjedhimisht, edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit do të jenë më të mëdha. Kostot e ndërtimit të këtij porti nuk prekin buxhetin e shtetit, por do të përballohen tërësisht nga firma koncesionare. Gjithashtu, pas vënies në shfrytëzim të kësaj vepre është parashikuar që koncesionari duhet t’i paguajë një tarifë koncesionare prej 2% në vit shtetit shqiptar.
Investimi: 14.28 mln dollarë
Kapaciteti: ankorimi i anijeve mbi 20 mijë tonë
Projeksion: pritet të çojë importet dhe eksportet e karburanteve në 1 milion ton në vit, 40% e të cilave për eksport
Tarifa dhe koha: 35 vjet, pagesë 2% në vit shtetit shqiptar
Portet e karburanteve, si ndahet tregu
Tregu i importit të karburanteve është i strukturuar sipas dy modeleve, të cilat janë aplikuar në dy porte të ndryshme, përkatësisht modeli i organizimit dhe i funksionimit të Porto Romanos, Durrës, (Modeli A) dhe modeli i funksionimit në Portin Vlora 1 (Modeli B), sipas një hetimi nga Autoriteti i Konkurrencës.
“Skema A e funksionimit të tregut” funksionon në këtë mënyrë. Importuesit e karburanteve e sjellin produktin në magazinat e lira doganore përkatëse, të cilat janë vendosur në Porto Romano dhe një pjesë të sasisë së importuar e shesin në regjimin e lirë doganor, ndërsa pjesën tjetër e zhdoganojnë vetë, duke vazhduar zinxhirin e tregtimit të produktit deri te konsumatori përfundimtar. Pjesa respektive kundrejt importit të destinuar për tregun vendas që zhdoganojnë për të tregtuar nga vetë ndërmarrjet që operojnë në zonën e lirë doganore, paraqitet nëpërmjet shifrave që shoqërojnë shigjetat vertikale. Kështu p.sh., ndërmarrja Kastrati sh.a, 74% të naftës së importuar ia shet në zonën e lirë doganore ndërmarrjeve të tjera që operojnë në të njëjtin treg.
Modeli B i organizimit të tregut të importit të karburanteve paraqitet në grafikun e mëposhtëm, sipas të cilit ndërmarrja Everest Oil sh.a. vepron në zonën e lirë doganore të Portit Vlora 1 dhe rezulton se nuk ka një rrjet të vetin në hallkat e tjera të shitjes së karburanteve. Bazuar në të dhënat e administruara nga QKR-ja rezulton se njëri nga aksionerët e ndërmarrjes Everest Oil sh.a, Surperba Srl është pjesë e grupit PIR (La Petrolifera ItaloRumena), i cili zotëron 94% të aksioneve të La Petrolifera Italo-Albanese sh.a. Për këtë fakt është vënë në dijeni Ministria e Industrisë dhe Energjetikës.
Autoriteti i Konkurrencës ka vërejtur gjatë hetimit se, ndërmarrja Kastrati sh.a. ka ardhur duke e rritur pjesën e tregut në import, nga 38% në vitin 2010 (së bashku me Kastpetrol sh.a) në 46,3% në vitin 2013, në tregun e importit të eurodieselit dhe rreth 36.8% të tregut të importit për benzinën.
Konkurrenti i tij më i afërt është Everest Oil sh.a., i cili shfaqet në 2012 me 4.5% të tregut të importit të eurodiesel dhe 15.9% të tregut të importit të benzinës dhe në 2013 ka arritur përkatësisht në 23.8% dhe 38.4%.
Ndërsa ndërmarrja Europetrol sh.a. ka ardhur duke humbur pjesë tregu nga 34.8% në vitin 2010 në 16.6% në 2013 për tregun eurodiesel dhe nga 37.7% në vitin 2010 në 23.5% në vitin 2013 për tregun e benzinës.
Ndërmarrja Taçi Oil sh.a. paraqitet në vitin 2012 me 31.5% dhe 8% në vitin 2013 për tregun e eurodieselit dhe në tregun e benzinës pjesët e tregut kanë qenë 24.6% në 2012 dhe 1.3% në vitin 2013.
Ndërmarrja Kastrati sh.a. rezulton se pjesën kryesore të karburantit e shet në zonën e lirë doganore edhe për periudhën janar – prill 2014 ku pozicioni i saj në treg është rritur ndjeshëm. Kështu, nga të dhënat e sjella nga vetë ndërmarrja, pjesa e karburantit naftë që shitet nga kjo ndërmarrje në zonën e lirë doganore është rreth 74% e sasisë totale të importuar dhe 80% të produktit benzinë të importuar.
Karburantet, si ndahet tregu i shumicës
Në tregun e shitjes me shumicë, Autoriteti i Konkurrencës ka cilësuar ata operatorë që operojnë si ndërmarrje të cilat e importojnë vetë produktin, ose ndërmarrje të cilat nuk importojnë vetë, por e blejnë këtë produkt në magazinat e lira doganore.
Bazuar në të dhënat e paraqitura në raportin e hetimit të thelluar konstatohet se numri i ndërmarrjeve aktive që operojnë në tregun e shitjes me shumicë është në rritje, nëse e krahasojmë me nivelin e sipërm, ku numri i ndërmarrjeve që importojnë nga tregjet e huaja dhe tregtojnë në zonën e lirë doganore është i ulët.
Nga të dhënat rezulton se shkalla e përqendrimit në tregun e shitjes me shumicë të eurodieselit është mesatarisht e përqendruar. Kështu treguesi i përqendrimit në vitin 2010 ishte 54% dhe në vitin 2013, 61%. Gjithashtu edhe në tregun e shitjes me shumicë të benzinës vihet re i njëjti nivel përqendrimi ku në vitin 2010 ishte 51% dhe në vitin 2013, treguesi ishte 61%.
Strukturat e ngritura në tregun e karburanteve kanë evidentuar edhe një kategori ndërmarrjesh, të cilat mund të kategorizohen si shitës me shumicë. Këto ndërmarrje, pjesën dërrmuese të aktivitetit të tyre e realizojnë duke blerë dhe duke shitur karburante me shumicë, duke mos qenë vetë importues.
Kështu, ndërmarrja Everest Oil sh.a., blen karburantet nga ndërmarrja ENI S.P.A dhe ia shet këtë karburant ndërmarrjeve të tjera të shitjes me shumicë në zonën e lirë doganore (pra i gjithë transaksioni ndodh në zonë të lirë doganore).
Ndërkohë edhe ndërmarrjet Genklaudis sh.a., dhe Portoromano Oil sh.a., në pjesën dërrmuese të aktivitetit të tyre kanë blerë në zonën e lirë doganore dhe kanë shitur drejt ndërmarrjeve të tjera të pakicës, kryesisht drejt ndërmarrjeve të tyre të shitjes me pakicë, pasi këto ndërmarrje janë të integruar vertikalisht në treg. Shitësit me shumicë në Porto Romano sh.a., kryesisht blejnë karburant nga importuesit ku përfshihen Kastrati sh.a, Europetrol sh.a, si edhe nga shitësi me shumicë që operon në zonën e lirë doganore në Portin Vlora 1, ndërmarrja Everest Oil sh.a.
Ndarja e tregut të pakicës
Tregu i shitjes me pakicë i produkteve eurodiezel dhe benzinë përbëhet nga stacionet e shitjes me pakicë të karburanteve (pikat e bardha), të cilat gjatë periudhës objekt hetimi janë rreth 1260, nga të cilat rreth 960 janë stacione të palidhura nga pikëpamja e pronësisë me ndërmarrjet që operojnë në tregun e shumicës dhe 300 stacione janë të integruar vertikalisht me ndërmarrjet e shitjes me shumicë të karburanteve.
Ndërmarrjet Kastrat sh.a, Europetrol Durrës sh.a, Bolv Oil sh.a, Genklaudis sh.a. janë të integruara vertikalisht me ndërmarrje të shitjes më pakicë, të cilat kanë një numër stacionesh në vend përkatësisht: ndërmarrja Europetrol sh.a e integruar vertikalisht me “Skënderi G” sh.p.k, ka rreth 48 stacione të shitjes me pakicë.
Kastrati sh.a., e integruar vertikalisht me Kastrati sh.p.k, ka rreth 70 stacione të shitjes me pakicë; ndërmarrja Bolv Oil sh.a., e integruar vertikalisht me ndërmarrjen Olsi sh.p.k ka rreth 48 stacione të shitjes me pakicë; ndërmarrja Genklaudis sh.a., e integruar vertikalisht me ndërmarrjen Gega Center, e cila së fundmi ka integruar në rrjetin e saj të pakicës edhe pikat e tregtimit me pakicë të Taçi Oil.
Nga të dhënat konstatohet se ndërmarrja Kastrati sh.a., shet drejt ndërmarrjes së integruar me të vertikalisht Kastrati sh.p.k që operon në tregun me pakicë, rreth 26% të sasisë së naftës së zhdoganuar dhe 29% të benzinës. Pjesa tjetër e karburantit të zhdoganuar u shitet pikave të bardha. Ndërmarrja Europetrol sh.a. 66% të produktit naftë dhe 48% benzinës të zhdoganuar ia shet ndërmarrjes së integruar vertikalisht Skënderi G.