Praga, atje ku korrupsioni përbën atraksion turistik
Kriminaliteti i fokuson bizneset. Në Londër turistët orientohen të shkojnë pas gjurmëve të Xhek Rrjepësit (Jack the Ripper), Çikago ofron ture që shkelin në gjurmët e Al-Kapones dhe në Berlin ka një sërë turesh në të cilat vizitorët në kryeqytetin gjerman, veç të tjerave, dërgohen në vende e godina që të kujtojnë skutat ku dikur lulëzonin aferat e pista të viteve të arta ’20 të shekullit të shkuar.
Ndërsa në Pragë – atje ku turizmi jeton më shumë se në çdo qytet tjetër me historinë, e cila në fakt ka lënë pas plot gjurmë gjaku –Petr Sourek ka zgjedhur të marrë një rrugë tjetër. Kriminaliteti në ditët e sotme e ato të djeshme, e ka bërë ish-regjisorin çek të teatrit të ndërtojë ture turistike për vendas e të huaj – ku në qendër janë vendosur pikërisht vendet dhe zyrat e autorëve të krimeve financiare.
Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për vrasje, apo vdekje të ardhura nga dhuna, por për ata burrat që nuk bien shumë në sy, që jetojnë në errësirën e botës së krimeve, pa i bërë vetë pis duart: Kryeministra dhe ministra, drejtorë të përgjithshëm të ndërmarrjeve shtetërore, miq apo të dashura të politikanëve të lartë, zyra avokatie me nam, pasanikë që vërtisin miliona ndër duar.
Thënë më shkurt, “kumbarët” e Republikës më të korruptuar të Europës Qendrore, e cila në renditjen botërore sipas “Transparency International” zë vendin e 54 në të njëjtin nivel me Turqinë – shumë më poshtë shteteve të Afrikës, zonës së Karaibeve dhe rajonit arabik.
Në shëtitje me Sourek, mëson shumë për sa i përket ryshfetit dhe korrupsionit. Me firmën e tij “Corrupt Tour”, ai ofron ture turistike nën një titull mbresëlënës: “Praga e korruptuar” dhe bën me dije e i mban të përditësuar klientët e tij me të rejat më të fundit nga sektori çek i ryshfetit. Motoja në anglisht megjithatë duket se ngjan më shumë premtuese e joshëse për turistët: “The Best of Prague’s Worst”.
Dy miliardë dollarë të zhdukura në gropë të zezë
Ndonjëherë janë pesë e ndonjëherë pesëdhjetë vetë, thotë Sourek, i cili e njeh mirë situatën për të cilën flet. Në sheshin “Jungmannovo” është lënë edhe takimi i parë; te “Varri”, direkt pranë fundit të sheshit në qendër të qytetit. Nën monumentin kushtuar intelektualëve e përkthyesve, që në shekullin e 19-të u angazhuan me shpirt për shpëtimin e gjuhës çeke dhe kësisoj kontribuuan edhe për rilindjen e mëvonshme të kombit çek.
Është një vend ku takohen disa ngjarje të rëndësishme historike të shekullit të njëzetë. Pak metra kanë mbetur tashmë deri te gjykata, e tashmë turi ka nisur. Rreth dy miliardë dollarë janë hedhur këtu, e ato janë diku në çfarëdo parajse taksash në botë, të lara mirë e të fshehura më së miri. Sidoqoftë, paratë kanë ikur. Pasi shteti qysh prej vitit 2006 paguan për qiranë një shumëfish të çmimit, për të cilin ai në atë kohë mund ta kishte blerë fare mirë pallatin 90-vjeçar. Por ai refuzoi ta bënte këtë. Se ku kanë shkuar paratë e përqindjeve të qirasë, s’di ta thotë njeri, por të gjithë flasin për të.
Në stacionin tjetër, protagonisti përkundrazi, është më se i njohur. Ndërkaq, ai është hequr nga qarkullimi, edhe pse rastësisht. Ndodhesh në një vend të qetë dhe sheh lart drejt katit të sipërm të një banese që shkëlqen. Dëgjon diçka për pronarin, një miliarder, miqësinë e tij me ish-kryebashkiakun, historitë për biznese me leverdi e para të zeza, dhe padyshim, për llogari bankare në Zvicër.
Një dramë mes xhelozisë dhe ryshfetit
Dhe gjithashtu edhe për një prokuror, që – prej parave të nxjerra në mënyrë të njëjtë – ka mundur të posedojë një kat të tërë poshtë një apartamenti me çati. Pronari i saj ishte kapur i përfshirë në një aferë që lidhej me ish-kryeministrin, gruan dhe të dashurën e tij – një dramë mes xhelozisë dhe ryshfetit, që politikanit i kushtoi dikur edhe postin e lartë – dhe që tek e fundit, u desh të dënohej edhe vetë me tre vite burg. E jo për allishverishet që folëm më lart, por për shkak se ishte gjetur i pirë në timon, arrati nga vendi i aksidentit dhe zënkë e konflikt të dhunshëm ndaj atij që kishte aksidentuar.
Shpesh ka dhjetëra kureshtarë, të cilët shoqërohen në këto ture nga Sourek dhe kolegia e tij aktore, nëpër “vendet e errëta e të nxehta” të Pragës, një grup që bie në sy.
Nëse personat e synuar ndonjëherë ndodhen pas perdeve apo jashtë, duke të vëzhguar? Me ndërgjegje të brerë, sado pak? Shërbimet në kafenenë “Cukrarna Mysak”, sidoqoftë nuk mund të fshihen, nëse 40 pjesëmarrësit e guidës qëndrojnë pas dritareve e dëgjojnë mirë, se pikërisht atje, ndërsa pinë kafe apo konjak, pronari i atij apartamenti luksoz ka folur me kryebashkuakun mbi marrëveshjen e kanë vendosur se çfarë do bëjnë. Kamerieret e marrin me sportivitet këtë punë.
Ministria e Mbrojtjes është, sidoqoftë, e përfshirë në itinerarin e korrupsionit e gjendet rrugës. Atje, për arsye të pashpjegueshme, është paguar dyfishi për të poseduar tanke e pajisje të tjera ushtarake mbrojtëse. Në mënyrë të ngjashme, jo larg prej andej ndodhet një spital me elektroshokë shumë të shtrenjtë, të cilat janë dhënë me trefishin e çmimeve normale nga një tregtar që operon me metoda korruptive.
Këtu një shtëpi private, atje një zyrë imobiliaresh, më tej një agjenci – tetë apo dhjetë stacione trajtohen apo shkelen në çdo tur. “Hraxhin”, selia e Presidentit të Republikës dhe godinë qeveritare, i përket gjithashtu këtij turi – si një kështjellë e skandaleve. Kur grupi shkon rrugës për në metro, dëgjon se filan “lobist” ka mundur të fitojë tenderin për shtypjen e biletave të metrosë, duke poseduar një sërë firmash të rreme – dhe se për çdo biletë të shitur, ai merr 17 qindarka.
Në indeksin e korrupsionit të “Transparency International” – Çekia nuk po arrin dot të ngjitet në zonën e gjelbër. “Nga politika duket se të dyja kampet rivale i kanë këmbët të zhytura në baltë e llum”, thotë Sourek. Dhe vijon më tej duke shtuar: “Jo, në fakt për shkakun tonë, ende nuk është arrestuar njeri”. A.P.
Marrë me shkurtime nga “Die Welt”