Kronika

Pranga kreut të Komunës së Rrashbullit, dha 16 leje për pallate në zonë ranore

Gashi-320x240Masat e gjykatës

1. Hysen Gashi, kryetar i Komunës Rrashbull (kryetar i KRRT) – arrest me burg

2. Viktor Ndreka, drejtues i njësisë së urbanistikës – arrest me burg

3. Vasil Gjoni, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull – arrest me burg

4. Indrit Hamiti, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull – arrest me burg, ish-kryetari i këshillit të Qarkut në Durrës

5. Sabri Troci, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull – arrest me burg

6. Erifili Theollari, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull – detyrim paraqitjeje

7. Nevjana Isufi, anëtare e KRRT, Komuna Rrashbull – detyrim paraqitjeje

8. Fatjon Aliaj, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull – detyrim paraqitjeje

Te Shkëmbi i Kavajës

Akuza: Hysen Gashi shpërdoroi detyrën në bashkëpunim me shtatë vartës të tij

Dhëniet abuzive të lejeve të ndërtimit në bregdet çojnë në pranga kryetarin e Komunës së Rrashbullit dhe disa zyrtarë të tjerë të kësaj komune. Në kuadër të operacionit të koduar “Urbanistika”, është arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës Hysen Gashi, kryetar i Komunës Rrashbull, që ka nën administrim dhe zonën bregdetare të Shkëmbit të Kavajës. Arrestimi i Gashit është bërë nga Njësia e Antikrimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, pasi gjykata kishte vendosur më parë masën e sigurisë “arrest me burg”. Në vijim të këtij operacioni është arrestuar edhe shefi i zyrës së urbanistikës, Vasil Gjoni, si dhe topografi i Komunës Viktor Ndreka. Në pranga ka rënë Indrit Hamiti, anëtar i KRRT-së të Komunës Rrashbull dhe ish-kryetar i Këshillit të Qarkut në Durrës. Burimet nga policia thanë se u arrestua edhe Sabri Troci, anëtar i KRRT-së së Komunës Rrashbull, ndërsa po hetohen në gjendje të lirë edhe Erifili Theollari, Nevjana Isufi dhe Fatjon Aliaj, anëtarë të KRRT-së së Komunës Rrashbull.

Dosja “Rrashbulli”

Pasditen e djeshme, prokuroria publikoi dosjen ndaj kryekomunarit dhe shtatë vartësve të tij. “Nga hetimi ka rezultuar se, në të paktën 16 raste, këta zyrtarë kanë dhënë leje për ndërtim objektesh shumëkatëshe në kundërshtim flagrant me ligjin, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, në pjesën e rërës, në të cilën nuk lejohet absolutisht ndërtimi, bazuar në vendimet përkatëse të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë (KKRRTSH)”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Mësohet se Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin në muajin shkurt 2014, pas një informacioni të referuar nga policia, sipas të cilit ishte konstatuar një kat pa leje në një ndërtim te Shkëmbi i Kavajës. Më pas, nga hetimi, prokuroria arriti të zbulojë se jo vetëm kati, por i gjithë pallati ishte ndërtuar në bazë të një lejeje të kundërligjshme. Po ashtu, u zbulua gjatë hetimit paraprak se, edhe të paktën 15 praktika të tjera të lejeve të ndërtimit, janë dhënë nga Komuna Rrashbull në kundërshtim me ligjin.

Pallati 10-katësh

Prokuroria thotë se më datë 22 shtator 2013, në sallën operative të Policisë së Durrësit, është regjistruar një informacion, se në lagjen nr.13 në Plazh, Durrës, pikërisht në vendin e quajtur pranë Shkëmbit të Kavajës, në një objekt me 10 kate, po ndërtohej një kat shtesë. “Është këqyrur vendi i ngjarjes dhe ka rezultuar se objekti ishte 10 kate dhe mbi katin e 10 të ndërtesës, në të gjithë hapësirën, gjendej një armaturë me skela dhe dërrasa, me qëllim ngritjen e katit të 11. Gjithashtu, mbi katin e 10 të ndërtesës është gjetur edhe një vinç, i cili përdorej për ngritjen e materialeve të ndërtimit. Në funksion të këtij fakti është kërkuar informacion pranë Komunës Rrashbull, në lidhje me qenien e objektit me leje ndërtimi. Sipas të dhënave të administruara nga Komuna Rrashbull, rezulton se ndërtimi kishte filluar në bazën e vendimit nr. 1, datë 21 mars 2011, të KRRT-së pranë Komunës Rrashbull, Durrës, për objektin “Godinë tetëkatëshe (kati përdhe lokal + 7 kate banim) + garazh” në një truall me sipërfaqe 600 m² me koeficient shfrytëzimi 68.8%”, thuhet në dosjen e akuzës.

Mësohet se pranë kësaj komune është konstatuar se pa mbaruar akoma ndërtimi i dhënë për lejen e parë dhe pa u marrë në dorëzim objekti, subjekti ka kërkuar pranë KRRT-së së Komunës rikondicionim të sheshit dhe të lejes së ndërtimit, duke shtuar sipërfaqen e sheshit dhe të volumit të ndërtimit. KRRT-ja e komunës shtoi sipërfaqen e sheshit të ndërtimit nga 600 m² në 800 m² dhe sipërfaqen e ndërtimit në 621 m², më koeficient shfrytëzimi të gjithë sipërfaqes së dytë 62%. “Konstatohet se subjekti nuk ka respektuar lejen e dhënë, duke shtuar sipërfaqe ndërtimore.

Sipas tabelës fotografike të vendit të ngjarjes është konstatuar se ndërtimi si ai me leje dhe shtesa për të cilën është dhënë leje rreth 6 muaj më vonë, po kryhej në brezin e rërës. Për dhënien e lejes së ndërtimit në të dy datat, ka pasur shkelje ligjore si në aspektin ligjor të së drejtës për të dhënë leje ndërtimi dhe në aspektin e pranimit dhe më pas administrimit të dokumentacionit, si dhe mbikëqyrjes së fazave të ndërtimit”, pohon akuza.

Lejet e tjera

Gjatë hetimeve për pallatin 10-katësh, në të cilin po shtohej edhe një kat pa leje në godinën pa leje, prokuroria ka sekuestruar procesverbalin e mbledhjes së KRRT-së së Komunës Rrashbull. Nga këqyrja e këtij dokumenti është konstatuar se KRRT-ja e kësaj komune kishte dhënë dhe leje të tjera në kundërshtim me kriteret ligjore. “Nga ana jonë është proceduar me sekuestrimin e 15 praktikave për dhënie leje për shesh ndërtimi dhe leje ndërtimi për subjekte të ndryshme, për ndërtime në zonën Shkëmbi Kavajës Durrës, në anën perëndimore të rrugës nacionale Durrës–Kavajë në Zonën e Shkëmbit të Kavajës”, thotë akuza.

Sipas saj, konstatohet se gjatë procedurës së miratimit të shesheve për ndërtim dhe dhënies së lejeve të ndërtimit në favor të subjekteve, nga të gjithë anëtarët e KRRT-së së Komunës Rrashbull që kanë marrë pjesë në mbledhjet e datës 21.03.2011 dhe 28.09.2011, janë konsumuar elementet e veprës penale “shpërdorimi i detyrës”. “Subjekte të kësaj vepre penale janë shtetasit: Hysen Gashi, në cilësinë e kryetarit të KRRT-së së Komunës Rrashbull dhe njëkohësisht kryetar i kësaj komune, shtetasi Viktor Ndreka, me detyrë ish-sekretar i KRRT-së së Komunës Rrashbull, në të njëjtën kohë drejtues i Drejtorisë së Urbanistikës pranë kësaj komune dhe shtetasit Indrit Hamiti, Erifili Theollari, Sabri Troci, Nevjana Isufi, Vasil Gjoni dhe Fatjon Aliaj anëtarë të KRRT-së Komuna Rrashbull”, vijon akuza, ndërsa shton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke ditur se nuk kanë të drejtë për të dhënë leje ndërtimi, kanë kryer me dashje veprime të paligjshme, duke miratuar dhënien e lejeve të ndërtimit në mospërmbushje të rregullt të detyrës, të cilat kanë sjellë si pasojë dëmtimin e interesave të shtetit, duke masivizuar zonën jashtë çdo kriteri ligjor pa një vizion të qartë për një zhvillim të qëndrueshëm turistik dhe urban.

Hetimet e mëparshme

Ashtu si pesë vite më parë, edhe këtë herë, akuzat për shpërdorim ndalen te moria e ndërtimeve shumëkatëshe në bregdet. Në vitin 2009, nën të njëjtën akuzë u arrestuan dy punonjës të Komunës Rrashbull për abuzime me lejet e dhëna për sheshe ndërtimi dhe ndërtim në bregdet, përkatësisht ish-deputeti Flori Bajramaj që ka qenë juristi i komunës në periudhën e shkeljeve të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, si dhe sekretari teknik i KRRT-së, Pasho Beqiraj. Nën hetim, para 5 viteve, prokuroria pati deklaruar edhe kryekomunarin Gashi, por asnjëherë ndaj tij nuk u publikua konkretisht ndonjë akuzë. Lidhur me akuzat e bëra në kohë të ndryshme, Hysen Gashi ka qëndruar vazhdimisht në pozita mohuese. Ai ka thënë se nuk janë dhënë leje ndërtimi as për shesh ndërtimi në prona publike. Megjithatë, mbetet fakt se ndërtimet në zonën e Shkëmbit të Kavajës nuk respektojnë as lartësitë, numrin e kateve dhe as distancat mes godinave, të përcaktuara në ligj dhe VKM. Një muaj e gjysmë më parë, në maj, në këtë zonë u shemb me eksploziv nga INUK-u një godinë nëntëkatëshe që vijonte punimet në tokë të regjistruar si pronë publike. Për këtë ndërtim të paligjshëm të lejuar, dhe pse jo zyrtarisht nga komuna, është arrestuar edhe biznesmeni Enver Shala. Kryekomunari Hysen Gashi është në mandatin e katërt të tij dhe në zgjedhjet e fundit lokale, ato të vitit 2011, ku ishte përfaqësues i “Aleancës për Qytetarin”, ai është prezantuar me siglën e LSI-së, atëherë forcë politike në koalicion me PD-në.

Lejet te Shkëmbi i Kavajës

1. Praktika për subjektin “K… K…” dhënë me vendimin e KRRT Komuna Rrashbull, viti 2011 për objektet 9 kate + papafingo + garazh, 8 kate + papafingo + garazh dhe 7 kate + papafingo + garazh.

2. Praktika për subjektin “D… K…” dhënë me vendimin e KRRT në vitin 2011, për “Godinë banimi 7 kat + 1 kat njësi shërbimi + papafingo + 1 kat nën tokë” në një truall me sipërfaqe 1070 m².

3. Praktika për subjektin “P… K…” dhënë në vitin 2011 për objekt godinë banimi dhe shërbimi 9 kate (1 kat shërbim dhe 8 kate banim) + 1 kat nën tokë, me një koeficient shfrytëzimi 78%

4. Praktika e vitit 2011 për subjektin “K… K…”, në truallin me sipërfaqe 600 m² në pronësi të S.Sh., për objektin “Godinë shërbimi me funksion hotel 1-6 kat + 1 kat nën tokë”

5. Praktika e dhënies së lejes në vitin 2011, për subjektin “E…”, në truallin 300 m², për objektin “Rikondicionim të sheshit dhe leje ndërtimi për objektin godinë banimi 6 kat + 1 kat shërbime”.

6. Praktika e vitit 2011, për subjektin “G… S…”, në truallin me sipërfaqe 1674 m², për objektin “Për objektin hotel 7 kat + 1 kat restorant + 1 kat sallë konferencash + 1 kat nën tokë”.

7. Praktika e vitit 2011 për subjektin “K… K…” në truallin me sipërfaqe me 600 m², për objektin “Godinë banimi dhe shërbimesh 8 kat + garazh”.

8. Praktikat për subjektin “E…”, për objektin “shtesë 1 kat mbi objektin 7 kat + garazh” dhënë me vendimin e KRRT, Komuna Rrashbull në vitin 2011.

9. Praktika e vitit 2011 për subjektin “Xh…” në truallin me sipërfaqe me 1900 m², për objektin “Shtesë dy kate mbi objektin banesë 4 kat + 1 kat dyqane + papafingo + garazh”.

10. Praktika e vitit 2011 në favor të subjektin “Xh…” në truallin me sipërfaqe me 625 m², për objektin “Rikondicionim i sheshit dhe shtesë 2 kate mbi objektin 5-6 kat”.

11. Praktika e vitit 2011 në favor të subjektin “K… K…” në truallin me sipërfaqe me 300 m², për objektin “Godinë banimi dhe shërbimesh 8 kate + papafingo + 1 kat nën tokë”.

12. Praktika e vitit 2011, për subjektin “E… A… K” në truallin me sipërfaqe 600 m², për objektin “Godinë banimi dhe shërbimesh 8 e 9 kat + 1 kat parkim nën tokë”.

13. Praktika e vitit 2011, për subjektin “E… A… K” në truallin me sipërfaqe 600 m², për objektin “Godinë banimi dhe shërbimesh 8 e 9 kat + 1 kat parkim nën tokë”.

14. Praktikat për subjektin “L…” rikondicionimi dhënë me vendimin e KRRT Komuna Rrashbull e vitit 2011.

15. Praktikat për subjektin “R… K….” dhënë me vendimin e KRRT, Komuna Rrashbull në vitin 2011.

 16. Vendimi nr. 1 i datës 21 mars 2011, për objektin “Godinë 8 kat (kati përdhe lokal + 7 kate banim) + garazh” në një truall me sipërfaqe 600 m² me koeficient shfrytëzimi 68.8%”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button