Presidenti i ardhshëm i Francës dhe ekonomia franceze
Franca, ekonomia e dytë më e madhe e eurozonës është në krizë. Kandidatët e balotazhit, Emmanuel Macron dhe Le Pen ofrojnë zgjidhje të ndryshme për daljen nga kriza.
Para dhjetë vitesh ishte Gjermania ajo, që kishte një papunësi më të lartë se Franca. Që atëherë kuota e papunësisë ka rënë vazhdimisht në vend dhe sipas përllogaritjeve të BE kap shifrën e 4,1%. Ndërsa në Francë ende ajo qëndron 10,1%. Të dy kandidatët që kanë dalë në balotazh Emmanuel Macron edhe Marine Le Pen duan ta ndryshojnë këtë.
Ndikimi i shtetit në ekonomi
Macron dëshiron të bëjë më të leverdisshme punën për firmat –duke premtuar lehtësime fiskale, pjesërisht edhe shpenzime më të ulta të sigurimeve shoqërore. Ndërsa Le Pen kërkon të forcojë firmat franceze duke kufizuar konkurrencën në plan global. Papunësia e lartë nënkupton edhe shpenzime të larta. Gati një e treta e kapacitetit ekonomik të Francës shpenzohet për shërbimet sociale. Ndërsa në Gjermani shpenzohet vetëm një çereku i kësaj shume. Në të njëjtën kohë në Francë shteti ka ndikim të madh në ekonomi. Kuota e shpenzimeve shtetërore në tërësinë e kapacitetit ekonomik është 56%.
Nga ana tjetër çdo i pesti punëmarrës në Francë është i punësuar në administratën publike. Politikanët që duan ta ndryshojnë këtë gjendje shpejt bëhen jopopullorë. Kësaj i shtohet pushteti i sindikatave, që nuk tremben nga grevat.
Macron ka premtuar, se nëse do të zgjidhet president, do të shkurtojë brenda pesë vjetësh 120.000 vende nëpunësish në administratë. Ai planifikon reformën e sigurimit të pensioneve dhe papunësisë. Ndërsa Marine Le Pen kërkon të rëndojë me një tatim të ri kontratat e punës me të huajt.
Franca pa aftësi konkurruese
Gjermania përmes reformës “Agenda 2010” uli koston e punës në vend. Nga ajo kohë në vend ka më pak të papunë, por është rritur pasiguria për vendin e punës dhe numri i punëve me rroga të pamjaftueshme për jetesën. As Macron dhe as Le Pen nuk janë shprehur se do të ndjekin këtë rrugë.
Për ekonomistët prezenca e fortë e shtetit në ekonomi është arsyeja e dinamikës së vakët të ekonomisë franceze. Kësaj i shtohet, që vendi ka humbur aftësinë e konkurrencës. Pjesëmarrja e Francës në tregtinë botërore të mallrave është përgjysmuar në 25 vitet e fundit. Franca dhe Gjermania janë partnerët më të rëndësishëm tregtarë në Europë, por Franca importon shumë më tepër nga Gjermania, se sa anasjelltas. Deficiti tregtar i Francës me Gjermaninë fqinje kapi shifrën e 36 miliardë eurove vitin e kaluar.
Prandaj politikanët francezë janë kritikët më të zëshëm të suficitit tregtar gjerman. Edhe Macron e ka kritikuar këtë gjendje “si të padurueshme më”. Por parimisht Macron e vlerëson tregtinë e lirë.
Franca ka një deficit tregtar me Gjermaninë – kritikat e politikës franceze janë të hapura
Ndërsa rivalja e tij në balotazh, Le Pen ndjek rrugën e proteksionizmit. Ajo dëshiron të mbulojë importet me një „tatim social të veçantë” me 3% më shumë. Ashtu si presidenti amerikan, Donald Trump në SHBA, ajo planifikon një tatim ndëshkues për firmat që e zhvendosin prodhimin e tyre jashtë Francës. Importet e tyre do të bëhen 35% më të shtrenjta. Kriza franceze bëhet edhe më e qartë po të hidhen sytë tek buxheti shtetëror. Edhe këtë Franca nuk ia del të mbajë deficitin buxhetor nën kufirin e lejuar prej 3% të kapacitetit ekonomik të vendit. Nga ana tjetër borxhi shtetëror francez përbën 96% dhe me këtë arrin gati të gjithë prodhimin ekonomik të këtij vendi në një vit.
Macron kërkon të reduktojë shpenzimet shtetërore me 75 miliardë euro, në të njëjtën kohë ai ka bërë të ditur një program gjigand investimi prej 50 miliardë eurosh. Ndërsa Le Pen nuk ka formuluar ndonjë objektiv kursimi.
Edhe pse të dy kandidatët në shumë pika nuk kanë dhënë formulime të qarta, mali i borxheve mund të rritet si nën Macron ashtu edhe nën Le Pen. Por më shumë borxhe do të shtonin konfliktin me “rojet” e kritereve të stabilitetit buxhetor në Bruksel.
Prandaj Le Pen kërkon që të nxjerrë vendin nga eurozona dhe të kërkojë referendum për qëndrimin apo daljen nga BE. Sipas saj, Franca rifiton kështu sovranitetin. Ndërsa Macron përkundër kësaj kërkon më shumë Europë. Në fushatë ai ka bërë fjalë për një qeveri ekonomike europiane dhe një buxhet të përbashkët të vendeve të eurozonës.