Presidenti Meta nis sot vizitën shtetërore në Malin e Zi
Presidenti i Republikës Ilir Meta nis sot vizitën shtetërore në Mal të Zi, me ftesë të homologut të tij malazez, Milo Gjukanoviç, me të cilin do të zhvillojë bisedime dypalëshe.
Sipas axhendës, Kreu i Shtetit, gjatë qëndrimit në Mal të Zi, do të ketë takime edhe me Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajoviç dhe Kryeministrin, zotin Dushko Markoviç.
Sipas “Ulqinionlaine”, në ditën e dytë të vizitës, Presidenti i Shqipërisë do të vizitojë Katedralen e Shën Pjetrit dhe Kryepeshkopinë e Tivarit.
Nga raportimet e shtypit lokal, rrugët e kryeqytetit Podgorica janë mbushur si asnjëherë më parë me ngjyrat kuqezi të flamurit kombëtar shqiptar.
Mali i Zi është një prej shteteve më të reja në Ballkanin Perëndimor, i cili u pavarësua nga Serbia në vitin 2006, e me të cilën ishte në bashkim shtetëror pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Sipas rezultateve të regjistrimit të vitit 2011, Mali i Zi përbëhej nga rreth 630,000 banorë dhe struktura etnike e tij përbëhej nga malazezët: 43 %, serbët 32%, boshnjakët 8%, myslimanët 9%, shqiptarët 5% dhe komunitetet e tjera etnike, si: kroatë, romë, jugosllavë, maqedonas, sllovenë, hungarezë, që përbëjnë secili nga më pak se 1% të popullsisë së përgjithshme.
Gjithashtu, Presidentit Meta do të takohet me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi dhe do të vizitojë qytetet e Tuzit, Tivarit dhe Ulqinit.