Kosova

Presidenti: Qeveria e ardhshme me parime euroatlantike, shpejt caktohet edhe seanca konstituive

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka mbajtur takimin konsultativ me përfaqësuesit e partive parlamentare për caktimin e datës për mbajtjen e Mbledhjes së Parë të Legjislaturës së Gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet në fuqi përcaktojnë qartë hapat dhe afatet kohore brenda të cilave duhet të konstituohet Kuvendi i ri i Kosovës, të zgjidhet Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit dhe pastaj të vazhdohet me formimin e Qeverisë.

“Jemi brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë. Por, kemi nevojë që të lëvizim përpara dhe të fillojmë përgatitjet për seancën e parë të Kuvendit të Kosovës. Prandaj ju kam ftuar sot, si simbol i unitetit kombëtar, në këtë kohë kur kemi nevojë që të mendojmë dhe të debatojmë në mënyrë konstruktive për Kosovën. Tash është koha për bashkëpunim, për dialog, për ndërtim të besimit në mes të gjithë neve. Kjo është arsyeja pse kam ftuar këtë takim”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se partitë politike kanë dëshmuar edhe një herë pjekuri politike, duke mbajtur zgjedhje të lira, fer dhe demokratike.

“Ajo që ka bërë përshtypje më së shumti në zgjedhje ishte fryma, fjalori i matur, bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës. Uroj që kjo frymë të zgjasë edhe në këtë kohë, por edhe pas themelimit të institucioneve”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai tha se pjesa dërmuese e klasës politike në Kosovë ka dëshmuar vazhdimisht se di të vë interesin e Kosovës para interesave personale, grupore e partiake dhe se ky duhet të mbetet parim bazë i veprimit politik tek të gjitha partitë.

“Ju ftoj që si parti politike të koordinoheni me deputetët tuaj dhe të jenë në dispozicion për mbajtjen e seancës së parë të Kuvendit të Kosovës në të cilin do të verifikohen mandatet e deputetëve dhe do të zgjedhim Kryetarin dhe Kryesinë e Kuvendit, që t’i hapim rrugë pastaj formimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Kjo qeveri do të jetë qeveri e orientimit euroatlantik, që do të angazhohet të punojë dhe të realizojë aspiratat e qytetarëve të Kosovës për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO dhe në BE”, ka thënë ai.

Në këtë takim konsultativ, presidenti Thaçi ka theksuar edhe parimet mbizotëruese mbi të cilat do të themelohet qeveria e re, e cila duhet të jetë qartë me parime euroatlantike.

Ai ka thënë se promovimi dhe mbrojtja e frymës dhe rendit kushtetues duhet të jetë themel i qeverisë së ardhshme.

Gjithashtu, si parime bazë mbi të cilat duhet të ndërtohet qeveria e ardhshme, presidenti Thaçi ka thënë se janë edhe sundimi i rendit dhe ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit, pastaj asociacioni dhe demarkacioni, liberalizimi i vizave, dialogu me Serbinë dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore me të gjithë fqinjët, respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës dhe vendosmëria për të luftuar çfarëdo ekstremizmi dhe radikalizmi.

Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se shumë shpejt do të caktojë datën për mbajtjen e Mbledhjes së Parë të Legjislaturës së Gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button