Te ndryshme

Presidenti serb dyshohet për diplomë të rreme

Revista gjermane “Der Spiegel”, e sjell si një rast emblematik, por zgjerohet edhe më shumë kur pohon se nën dyshim ndodhet elita politike serbe dhe ajo në mbarë rajonin. Sillet edhe shembulli i Shqipërisë dhe citohet Kryeministri Rama pas aksionit që ndërmori në gusht 2014, kur shumë universiteteve shqiptare iu hoq licenca

Nga Armand Plaka

nikoliqRevista prestigjioze gjermane “Der Spiegel”, në një artikull të publikuar dje nën titullin “Plagjiaturat në Serbi: diplomë false për Presidentin e vendit” (shih origj.: Plagiate in Serbien:Fake-Diplome für den Staatschef, nga Thomas Brey) bën publike një sërë akuzash që po qarkullojnë aktualisht në Serbi, duke i përcaktuar ato fillimisht si veprime të nxitura nga nacionalistët serbë nën drejtimin e Vojisllav Shesheljit, liderit të Partisë Radikale të kthyer nga Haga.Por, më pas, autori duke u furnizuar edhe nga paragrafët që ka mundur të nxjerrë nga shtypi i ditës (dhe jo vetëm) në Serbi e rajon, citon fakte e sjell dëshmi të qarta, duke e vënë gishtin në plagë, në lidhje me problemin e arsimimit të shpejtë e jo efektiv, për më tepër të dyshimtë e të rremë, duke folur hapur për diploma të blera e kritikuar shpesh edhe frymën që ekziston në rajon, për të mos u përballur me këto probleme, qoftë edhe në qarqe të brendshme akademike. Në qendër të vëmendjes, vihet rasti i Serbisë, por përmendet veçmas edhe Shqipëria, shoqëruar nga deklaratat e Kryeministrit Rama gjatë verës së këtij viti, koha kur nisi edhe “aksioni” për të vënë në shina – sipas pikëpamjes së ekzekutivit aktual shqiptar – sistemin e arsimit të lartë në vend. Në artikull madje citohen edhe rastet ekstreme nga eksperienca shqiptare, si “pagesat në natyrë” me dru zjarri apo bagëti. Gjithashtu, si shembull, shumë problematik merret dhe Bosnjë-Hercegovina, duke kritikuar hapur iniciativat private në sektorin e arsimit të lartë, të ish-kreut të shtetit, Ejup Ganiç, por edhe përpjekjen e (siç mund të merret me mend, megjithëse në artikull thuhet vetëm boshnjakë) të rinjve serbo-boshnjakë, të lidhur me një universitet fantazmë në Moskë, i cili, sipas artikullshkruesit, lëshon gjithashtu diploma të rreme. Më poshtë po botojmë artikullin e plotë të revistës gjermane “Der Spiegel”.

Ultranacionalistët në Serbi po përpiqen aktualisht që ta shfrytëzojnë për qëllimet e tyre politike çështjen e diplomës së shkollës së lartë të Presidentit serb, Tomislav Nikoliç.

Në fakt, Vojislav Sheshelj, lideri i radikalëve serbë, i akuzuar dhe mbajtur nën vëzhgim nga Haga, megjithatë udhëtoi drejt Beogradit për të demotivuar Presidentin: vetëm nëpërmjet prezencës së fortë policore u mundësua që përkrahësit e Shesheljit, të mos i linin në dorë Presidentit që kishte marrë tashmë ngjyrë gri, dhjetë diploma false.

Ata donin që të sensibilizonin kështu opinionin e të dëshmonin dyshimet e tyre rreth titullit “magjistër” të tij. Pushimet gjatë periudhës së burgosjes, Gjykata e Hagës ia lejoi nacionalistit serb, për shkak të sëmundjes së tij të kancerit.

Kaq të papërmbajtur janë disa analistë në Serbi, saqë dëshmojnë se elita e Serbisë është shumë e atakueshme kur bëhet fjalë për diplomat universitare. Në rastin e shefit të shtetit, hidhen dyshime të forta se studimi i tij i pretenduar për menaxhim, në fakt nuk është mbyllur deri në fund. Universiteti i tij thuhet se nuk e ka pasur të drejtën ta japë këtë titull, d.m.th. këtë diplomë.

Dhe se në ditën kur është zhvilluar provimi i kreut të shtetit për marrjen e kësaj diplome para shtatë viteve, Nikoliç paskësh qenë në një aktivitet partiak.

“Superprodhim doktoraturash”

Gjatë kësaj vere, edhe ministri i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviç, si dhe kryebashkiaku Sinisa Mali dhe kolegu i tij në një qytezë në afërsi të Beogradit, Aleksandar Sapiç, kanë rënë gjithashtu pre e këtyre dyshimeve. Ata thuhet se nuk i kanë shkruar temat e tyre të disertacionit.

Dhe se ata nuk qenkëshin të vetmit: gazeta më e madhe serbe, “Novosti”, flet së fundmi për një “superprodhim doktorantësh”, sipas të cilës, autoritetet vendase kanë bërë të mundur pajisjen me titullin “doktor” të një sasie dhjetëfish më të madhe se shtatë vite më parë.

Shqipëria, gjatë muajit gusht, mbylli më shumë se një duzinë universitetesh, shkollash të larta e fakultetesh, pasi ato kishin lëshuar diploma të pamerituara. Disa studentë thuhet se i kishin paguar diplomat “në natyrë” – “me lopë, dele, oriz e madje edhe me dru zjarri”, tha në atë kohë shefi i qeverisë shqiptare, Edi Rama. Shumë shkolla të larta ofronin diploma për të huaj, megjithëse nuk kishte lëndë në gjuhë të huaja.

Edhe në vendet e tjera të Ballkanit, korrupsioni shkencor është një problem: në Bosnjë, ish-shefi i shtetit, Ejup Ganiç, në universitetin e tij privat ofron përkundrejt parave ‘kesh’, një arsimim të shpejtë për regjisorë filmash, raportonte së fundmi revista e lajmeve vendase “Slobodna Bosna”. Vetëm në kantonin e Bosnjës Qendrore, të banuar nga 300 000 banorë, thuhet se ekzistojnë një duzinë me universitete, në të cilat titujt akademikë mund të merren me një të lëvizur të dorës. Një variant tjetër është: universiteti inekzistent “humanitar” i Moskës, prej të cilit kanë marrë famë akademike shumë boshnjakë.

Por, ndërtesa e gënjeshtrave, e mashtrimeve me shkollat e larta, është edhe më e madhe: gjatë vitit të shkuar, tre profesorë me emër të politologjisë në Beograd, publikuan me qëllim një raport pa sens me një anglishte mediokre në një gazetë, kinse shkencore.

Ata donin të reagonin ndaj faktit se shumë kolegë e kishin ndërtuar karrierën e tyre mbi publikime të blera në revista pseudoshkencore. Dhe ministri i Serbisë, Srdjan Verbiç, i këshilloi studentët e vendit të tij, që të shkojnë më mirë në vendet e huaja, për të marrë një titull doktorature të pacenueshëm.

Pasi me ç’duket, ngaqë shumë VIP-a të politikës, ekonomisë dhe të shoqërisë janë përfshirë tashmë në këtë mesele të pisët akademike, mund të ndodhë shpesh që edhe pas një dëshmie të qartë plagjiature, të mos ndodhë asgjë. Dhe madje edhe nga vetë shkollat e larta bëhen rrallë përpjekje, që minimalisht të sqarojnë rastet e mashtrimit, të paktën brenda përbrenda institucionit.

Related Articles

Nje koment

  1. MOS U BENI MERAK SE NUK KA VETEM NE SERBI ALBANIE BOSNJIE DIPLLOMA FALLCO …KA EDHE NE EUROPE NE FRANCE ITALIE SPANJE DHE SHUME VENDE TE TJERA ..NE FRANCE VAJZAT BEJNE DASHURI PER TE MARRE DIPLLOMA …..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button