Pret votën finale të Senatit/ Eric Wendt nuk është shpallur ende ambasador i ri amerikan në Tiranë
Raportimet në median shqiptare në mesin e muajit qershor se Senati amerikan kishte konfirmuar Eric Wendt si ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, së bashku me një rezultat të pretenduar votimi 51 pro dhe 47 kundër, nuk përputhen me të dhënat zyrtare të institucionit amerikan.
Dokumentet e Senatit tregojnë se kandidatura e Wendt vazhdon të jetë ende në proces dhe nuk ka marrë miratimin përfundimtar në seancë plenare. Emri i tij figuron në Kalendarin Ekzekutiv të Senatit, në listën e nominimeve që presin shqyrtimin dhe votimin nga i gjithë Senati.
Eric Wendt renditet me numrin 761 si kandidat për postin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të SHBA-së në Republikën e Shqipërisë. Në dokumentin zyrtar, kandidatura e tij shënohet si e raportuar nga senatori Jim Risch, kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, pa raport të publikuar.
Ky përcaktim tregon se Wendt ka kaluar fazën e shqyrtimit në komisionin përkatës, por ende nuk është zhvilluar votimi në Senatin e plotë, i cili është hapi përfundimtar i procesit të konfirmimit.
Sipas procedurave amerikane, një kandidat për ambasador duhet fillimisht të miratohet nga Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë dhe më pas të votohet nga të gjithë senatorët në seancë plenare. Vetëm pas këtij votimi Presidenti mund të procedojë me emërimin zyrtar dhe diplomati mund të nisë detyrën pas betimit.
Kandidatura e Eric Wendt u dorëzua në Senat më 13 prill 2026 nga Presidenti Donald Trump. Më 20 maj, ai doli përpara Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, ku prezantoi prioritetet e tij për marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Shqipërisë, duke vënë theksin te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, siguria kibernetike dhe rritja e investimeve amerikane.
Më 4 qershor, komisioni miratoi kandidaturën e tij me 19 vota pro dhe 3 kundër, duke e dërguar atë për shqyrtim në Senatin amerikan.
Pavarësisht kalimit të kësaj faze, Wendt nuk është ende ambasador i konfirmuar i SHBA-së në Shqipëri. Ai mbetet kandidati i Presidentit Trump dhe pret votimin përfundimtar të Senatit për të marrë zyrtarisht detyrën diplomatike në Tiranë.
/tvklan.al



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.