PolitikaRajoni

Prishja e marrëveshjes me Turqinë, BE dërgon trupa në kufijtë e Shqipërisë dhe Greqisë

Me frikën e prishjes së marrëveshjes me Turqinë, Bashkimi Europian do të përforcojë kufijtë grekë ndaj një vale të re refugjatësh.

Lajmin e publikon revista gjermane “Der Spiegel”, e cila thekson se Brukseli do të çojë personel shtesë nga Agjencia e Ruajtjes së Kufijve Europianë, Frontex, në kufijtë e Shqipërisë me Greqinë dhe ato me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Ky veprim, vazhdon revista, është reflektimi i BE pas deklaratave të fundit të presidentit Erdogan që paralajmëroi Europën se mund të hapë kufijtë, duke hedhur poshtë marrëveshjen me Unionin për refugjatët.

Për zbatimin e marrëveshjes, Ankaraja kërkon në këmbim heqjen e vizave për qytetarët turq dhe integrimin në BE, procese të cilat pas tentativës së dështuar të grushtit të shtetit janë ngrirë nga ana e Brukselit.

Rreth 60 vetë nga Frontex do të dërgohen në janar ose shkurt të vitit të ardhshëm në kufijtë me Maqedoninë, në kuadër të operacionit të koduar “Focal Point 2017”.

Misioni i dytë, i quajtur “Flexible Operational Activities”, do të ketë të bëjë me kontrollin e kufijve për moslejimin e kalimit të refugjatëve, apo emigrantëve pa dokumenta.

Megjithëse Frontex nuk e ka pohuar zyrtarisht këtë mision, revista gjermane, që i referohet shkresave sekrete policore, thekson se ky shërbim do të zgjerohet më pas edhe në kufijtë shqiptarë.

Përveç skenarit të prishjes së marrëveshjes me Turqinë, sipas “Der Spiegel”, po analizohet edhe ai i reduktimit të kontrolleve kufitare nga ana e organeve turke, fakt që mund të ndihmojë në rritjen e numrit të refugjatëve dhe emigrantëve që duan të shkojnë në Greqi e më pas në vendet e Europës qendrore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button