Pritje të gjata në kufirin Kosovë – Serbi
Qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme perëndimore, gjatë udhëtimit të tyre për në Kosovë, po ballafaqohen me pritje të gjata në kufirin Kosovë – Serbi, në pikëkalimet kufitare Merdar dhe Dheu i Bardhë. Këto pritje të gjata i konfirmojnë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Derisa në Ministrinë e Diasporës thonë te kenë arritur një numër i madh i ankesave të emigrantëve të Kosovës të cilët kanë potencuar se janë krijuar kolona të gjata dhe se ata po presin deri në 6 orë për të kaluar procedurat kufitare.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani bën të ditur se këto pritje të gjata janë si rezultat i fluksit të madh të qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë shtetit e që pushimet vinë t’i kalojnë në vendlindje.
“Është më se evidente dhe e vërtet që bashkatdhetarët tanë që vinë në sezon të verës për pushime në Kosovë, kryesisht në muajin korrik dhe gusht, krijohen pritje të gjata në vendkalimet kufitare në Merdar dhe te Dheu i Bardhë. Këto pritej vinë si rezultat i frekuentimit dhe numrit të madh të automjeteve në drejtim të Kosovës. Këto pritje vinë edhe nga pikëkalimet kufitare që lidhin Serbinë më shtete tjera dhe ai numër bartet edhe te pikëkalimet kufitare në Merdar dhe Dheu i Bardhë”, shton Kelani.
Pritjet e gjata të qytetarëve të Kosovës në kufirin Kosovë – Serbi ndodhin çdo vit gjatë sezonit të verës.
Autoritetet e Kosovës vazhdimisht kishin potencuar se do të marrin masa që t’i evitojnë këto pritje.
Sipas Baki Kelanit, Policia e Kosovës ka ngritur kapacitetet e veta të punës duke angazhuar zyrtarë policorë shtesë në pikëkalimet kufitare me qëllim të përshpejtimit të punës dhe krijimit të mundësisë së qarkullimit më të shpejtë dhe evitimin e pritjeve të gjata të qytetarëve.
Po ashtu, me qëllim të shmangies se pritjeve të gjata, Kelani tregon se policia kufitare ka përshpejtuar edhe procedurat e kalimit.
“Frekuentimi i madh i automjeteve dhe procedurat që bëhen nga pala serbe po krijojnë kolona të gjata ne pika kalimet kufitare. Ne si Polici e Kosovës i informojmë bashkatdhetarët me pritjet që po ndodhin në Kosovë dhe iu apelojmë atyre që t’i shfrytëzojnë edhe pikat tjera kufitare ndër to edhe pikë kalimin tek Dheu I bardhe dhe te pikëkalimi tjetër kufitar të Mutivodës që nuk ka pritje fare”, tregon Kelani.
Në anën tjetër, ministri në largim i Diasporës, Ibrahim Makolli ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kanë marrë shumë ankesa nga qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit për pritje të gjata deri në gjashtë orë.
Sipas tij, këto pritje po ndodhin vetëm në kufirin Kosovë – Serbi, por edhe në kufijtë e tjerë në atë Hungari – Serbi.
“Këtë çështje e kam biseduar disa herë edhe me përgjegjësit e EULEX por edhe me policinë kufitare të Kosovës dhe kam parë vetë që këto radhë nuk krijohen si rezultat i neglizhencës apo mos veprimit të autoriteteve të Kosovës, por si rezultat i procedurave që kërkohen në kufirin e Serbisë, por shumë herë kemi edhe arsyetime nga më të ndryshmet nga pala serbe, siç është ka rënë sistemi apo çështje tjera që zakonisht arsyetohen ata”, thotë Makolli.
Numri i qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është mbi 700 mijë persona.
Shteti ku më së shumti kanë emigruar kosovarët, është Gjermania me 35.25 për qind, e pasuar nga Zvicra me 22.94 për qind.