Tiranë 28°C · Pjesërisht vranët 21 Shtator 2026
S&P 500 7,651 ▲0.17%
DOW 51,683 ▼0.18%
NASDAQ 26,523 ▲0.39%
NAFTA 93.68 ▼2.5%
ARI 4,390 ▼0.79%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1477 EUR/GBP 0.8579 EUR/CHF 0.9446 EUR/ALL 91.6190 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3902 EUR/TRY 56.0084 EUR/JPY 180.27 EUR/CAD 1.6061 EUR/USD 1.1477 EUR/GBP 0.8579 EUR/CHF 0.9446 EUR/ALL 91.6190 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3902 EUR/TRY 56.0084 EUR/JPY 180.27 EUR/CAD 1.6061
₿ CRYPTO
BTC $84,581 ▲ +5.29% ETH $2,717 ▲ +5.54% XRP $1.4806 ▲ +7.59% SOL $115.6800 ▲ +7.08%
S&P 500 7,651 ▲0.17 % DOW 51,683 ▼0.18 % NASDAQ 26,523 ▲0.39 % NAFTA 93.68 ▼2.5 % ARI 4,390 ▼0.79 % S&P 500 7,651 ▲0.17 % DOW 51,683 ▼0.18 % NASDAQ 26,523 ▲0.39 % NAFTA 93.68 ▼2.5 % ARI 4,390 ▼0.79 %
EUR/USD 1.1477 EUR/GBP 0.8579 EUR/CHF 0.9446 EUR/ALL 91.6190 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3902 EUR/TRY 56.0084 EUR/JPY 180.27 EUR/CAD 1.6061 EUR/USD 1.1477 EUR/GBP 0.8579 EUR/CHF 0.9446 EUR/ALL 91.6190 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3902 EUR/TRY 56.0084 EUR/JPY 180.27 EUR/CAD 1.6061
21 Sht 2026
Breaking
Opinion

Problemet ekonomike të Evropës diskutohen në Dublin

AKADEMIK. PROF. ANASTAS ANGJELI

Edhe pse mbledhja e ECOFIN-it (takimi i Ministarve të Financave të Bashkimit Evropian) zhvilluar më 18 dhe 19 shtator në Dublin ishte jofarmale, dhe për pasojë, ministrat nuk mund të miratonin akte ligjore apo vendime detyruese në emër të Këshillit të BEsë, ai u konsiderua nje takim i rëndësishëm dhe me peshë…

Funksioni i takimit ishte të përcaktonte orientimet politike dhe të përgatiste terrenin për mbledhjen formale të tetorit. Por diskutimet e këtij takimi zbuluan me qartësi dilemat kryesore të ekonomisë evropiane, pra si të përballohet një goditje e re energjetike pa cenuar disiplinën fiskale, si të krijohen banka dhe tregje kapitali të afta për të financuar investimet e kontinentit dhe si të shndërrohet inteligjenca artificiale nga një teknologji e rregulluar me kujdes në një burim real produktiviteti. Sigurisht, që takimi i Dublinit nuk dha zgjidhjet përfundimtare, por tregoi se në cilin drejtim po kërkohen keto zgjidhje dhe se ku vazhdojnë të qëndrojnë mosmarrëveshjet.

PO CILAT ISHIN ÇESHTJET E RENDESISHME QE U DISKUTUAN?

Çështja më urgjente ishte rritja e çmimeve të energjisë dhe ndikimi mbi familjet, bizneset dhe inflacioni. Disa vende, mes tyre Gjermania dhe Austria, mbështetën idenë e një qasjeje të koordinuar ndaj fitimeve të jashtëzakonshme të kompanive energjetike, përfshirë mundësinë e një takse të posaçme. Megjithatë, mes vendeve anëtare nuk u krijua konsensus dhe Komisioni Evropian nuk paraqiti një mekanizëm të përbashkët evropian. Kjo ishte njëkohësisht çështja më e dukshme dhe rezultati më i kufizuar i takimit. Asnjë taksë evropiane mbi fitimet e jashtëzakonshme nuk u miratua.

Duke qenë se taksat mbeten kryesisht kompetencë kombëtare, një ndërhyrje e përbashkët kërkon jo vetëm vullnet politik, por edhe një marrëveshje të vështirë institucionale. Presidenca irlandeze synon që diskutimi të vazhdojë në nivel teknik dhe politik, me mundësinë që çështja të rikthehet në ECOFIN-in formal të tetorit. Megjithatë, nga Dublini doli një orientim relativisht i qartë për mënyrën se si duhet të reagojnë qeveritë. Nëse do të nevojiten masa për të mbrojtur familjet më të cenueshme dhe ndërmarrjet e ekspozuara, ato duhet të jenë të përkohshme, të shënjestruara dhe në përputhje me rregullat fiskale të BE-së.

Kjo do të thotë shmangie e subvencioneve të përgjithshme, të cilat kushtojnë shumë, përfitojnë edhe ata që nuk kanë nevojë dhe mund të ushqejnë më tej kërkesën e inflacionin. Ky formulim pasqyron mësimet e krizës së mëparshme energjetike. Evropa kërkon të ruajë aftësinë për të reaguar ndaj emergjencave, por pa e kthyer çdo tronditje në një zgjerim të pakufizuar të shpenzimeve publike. Problemi është se një politikë e tillë është më e lehtë për t’u shpallur sesa për t’u zbatuar. Sa më i fortë të jetë presioni social, aq më e vështirë bëhet për qeveritë të kufizojnë ndihmën vetëm te grupet që kanë vërtet nevojë.

Tema e dytë madhore ishte aftësia e sistemit financiar evropian për të mbështetur konkurrueshmërinë. Bankat e BE-së mbeten përgjithësisht të qëndrueshme, por operojnë në një hapësirë të fragmentuar nga kufijtë kombëtarë, rregulloret dhe tregjet e kapitalit ende të paplota. Në të njëjtën kohë, Evropa përballet me një hendek të madh investimesh në energji, mbrojtje, digjitalizim dhe teknologji të avancuara. Në Dublin u shpreh mbështetje për heqjen e pengesave ndaj veprimtarisë bankare ndërkufitare, për konsolidimin e sektorit dhe për thjeshtimin e disa detyrimeve rregullatore e raportuese. Synimi është krijimi i institucioneve që mund të konkurrojnë me bankat e mëdha amerikane dhe të mobilizojnë më mirë kursimet evropiane në shërbim të investimeve produktive. Megjithatë, edhe këtu nuk pati një marrëveshje ligjore. Për më tepër, ekziston një debat real.

Bankat kërkojnë më pak barrë administrative dhe më shumë hapësirë për rritje, ndërsa autoritetet mbikëqyrëse paralajmërojnë se ulja mekanike e kërkesave për kapital nuk garanton më shumë kredi për ekonominë. Kapitali i liruar mund të përfundojë në dividendë ose riblerje aksionesh, në vend që të financojë sipërmarrjet dhe inovacionin. Prandaj, sfida nuk është thjesht të krijohen banka më të mëdha, por një sistem financiar më i integruar. Pa tregje më të thella kapitali, kursimet evropiane do të vazhdojnë të kërkojnë mundësi jashtë kontinentit, ndërsa kompanitë evropiane do të mbeten më të varura nga kredia bankare dhe më pak të afta për të financuar rritjen e shpejtë.

INTELIGJENCA ARTIFICIALE, A PO ARRIN EVROPA TA PERDORE TEKNOLLOGJINE QE KA VENDOSUR TA RREGULLOJE?

Diskutimi i së shtunës mbi inteligjencën artificiale kishte një domethënie të veçantë. Për disa vite, debati evropian është përqendruar kryesisht te rregullat, siguria dhe mbrojtja e të drejtave. Në Dublin, vëmendja u zhvendos drejt një cështje tjetër. A po arrin Evropa ta përdorë teknologjinë që ka vendosur të rregullojë? Fondi Monetar Ndërkombëtar paraqiti efektet e mundshme të inteligjencës artificiale mbi produktivitetin, tregun e punës, administratën publike, konsumin e energjisë dhe raportet gjeopolitike. Ministri irlandez i Financave, Simon Harris, e vendosi theksin te përdorimi ende i kufizuar i teknologjive ekzistuese, veçanërisht në shërbimet publike. Ndërsa komisioneri Valdis Dombrovskis paralajmëroi se Evropa nuk duhet të përsërisë dështimin e epokës së internetit, kur krijoi rregulla dhe tregje të rëndësishme, por shumë pak kompani digjitale me peshë globale.

Nga ky diskutim nuk doli një fond i ri, një objektiv detyrues apo një ndryshim i Aktit Evropian për Inteligjencën Artificiale. Por nga ana tjetër mund të themi se u kristalizua një mesazh politik. Evropa duhet të kalojë nga faza e rregullimit tek ajo e zbatimit. Kjo kërkon investime në infrastrukturë kompjuterike, aftësi profesionale, kërkim shkencor dhe modernizimin e administratave publike, pa lënë mënjanë rreziqet sociale dhe shpërndarjen e pabarabartë të përfitimeve. Në këtë pikë shfaqet një nga kontradiktat më të mëdha evropiane. Kontinenti ka universitete, qendra kërkimore, industri të zhvilluara dhe një treg prej qindra milionë konsumatorësh. Por fragmentimi, mungesa e kapitalit për zgjerim dhe ritmi i ngadaltë i vendimmarrjes e bëjnë të vështirë shndërrimin e këtyre avantazheve në kompani globale.

Inteligjenca artificiale mund ta rrisë produktivitetin, por vetëm nëse përhapet përtej disa korporatave të mëdha dhe përdoret nga administratat, ndërmarrjet e vogla dhe sektorët tradicionalë të ekonomisë. Në takimin e Eurogrupit, i cili i parapriu diskutimeve të ECOFIN-it, ministrat shqyrtuan gjithashtu rritjen ekonomike, produktivitetin dhe gjendjen e tregjeve financiare. Me pjesëmarrjen e sekretarit të përgjithshëm të OECD-së, Mathias Cormann, debati u përqendrua te investimet, inovacioni, reduktimi i fragmentimit dhe thellimi i Tregut të Përbashkët. Vlerësimi i përgjithshëm ishte se ekonomia evropiane mbetet e qëndrueshme, por përballet me rritje më të dobët, kosto më të lartë financimi dhe rreziqe inflacioniste të lidhura me energjinë.

Përfaqësuesit e Eurogrupit dhe Bankës Qendrore Evropiane nuk panë shenja të çrregullimit të tregjeve apo të një fragmentimi të rrezikshëm brenda zonës euro, pavarësisht rritjes së normave të interesit të borxhit sovran. Ky optimizëm i kujdesshëm nuk e fsheh problemin strukturor. Evropa nuk vuan nga mungesa e diagnozave. Raporte, strategji dhe deklarata të panumërta kanë identifikuar prej kohësh dobësitë e saj siç janë produktivitet të ulët, investime të pamjaftueshme, treg të fragmentuar dhe varësi teknologjike. Ajo që mungon është shpejtësia e zbatimit. Edhe në Dublin, konsensusi ishte më i lehtë për t’u arritur mbi objektivat e përgjithshme sesa mbi instrumentet konkrete. Vlera e takimit të Dublinit duhet matur pikërisht mbi këtë bazë.

Ky takim nuk miratoi një taksë të përbashkët energjetike dhe nuk krijoi një program të ri evropian për inteligjencën artificiale. Por përcaktoi drejtimin e debatit. Ndihmë energjetike më të shënjestrua, më shumë integrim financiar, banka të afta të veprojnë në shkallë evropiane dhe përdorim më të shpejtë të inteligjencës artificiale në ekonomi e administratë. Në muajt e ardhshëm do të shihet nëse ky orientim dhe çfarë u diskuta në Dublin, do të shndërrohet në politikë. ECOFIN-i i tetorit do të jetë prova e parë, veçanërisht për çmimet e energjisë dhe paketën bankare. Nëse vendet anëtare mbeten të ndara sa herë që debati kalon nga parimet te kostot dhe përgjegjësitë, Dublini do të mbetet një tjetër takim ku Evropa i përshkroi saktë problemet e saj.

Nëse, përkundrazi, diskutimet prodhojnë masa konkrete, ai mund të kujtohet si momenti kur BE-ja filloi të lidhte menaxhimin e krizave të menjëhershme me transformimin afatgjatë të ekonomisë së saj.

/GazetaPanorama

© Panorama.al

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.