Procedurat për të përfituar shpërblimin e veteranit
Në varësi të kategorisë ku bëjnë pjesë, veteranët kanë të drejtë që bashke me pensionin e plotë të pleqërisë dhe kompensimet, të përfitojnë edhe shpërblimin e luftës, shtesë e cila bazohet në ligje dhe vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave.
Sipas përcaktimeve të bëra në legjislacionin e sigurimeve shoqërore, në grupin e veteranëve dhe invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar, përfshihen 6 kategori. Konkretisht, këtë shtesë mbi pension kanë të drejtë që ta përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, që luftuan kundër pushtuesve nazifashistë nga 7 prilli i vitit 1939, deri në ditën e çlirimit të Shqipërisë, luftëtarët e inkuadruar në ato njësi të ushtrisë, që luftuan jashtë kufijve të atdheut deri më 9 maj të 1945, të gjithë ata persona që kanë zhvilluar veprimtari të organizuar në ilegalitet dhe në prapavijë të armikut e në zona të çliruara, kryefamiljarët e atëhershëm të shtëpive të njohura si baza të luftës kundër pushtuesve, të burgosurit dhe të internuarit në burgjet dhe kampet nazifashiste, brenda dhe jashtë vendit, si dhe shtetasit shqiptarë që kanë marrë pjesë aktive në luftën kundër nazifashistëve në vende të tjera”. Shtesa si shpërblim jepet mbi pensionin e plotë të pleqërisë dhe kompensimet e tjera të përcaktuara me vendime të posaçme të Këshillit të Ministrave.
Masa e përfitimit do të jetë e diferencuar sipas kategorizimeve që bëhen për secilën kategori përfituesish. Konkretisht masa e përfitimit të këtij shpërblimi shkon nga 300 deri në 1500 lekë.
Procedura dosja e dokumenteve të kërkuara
Sa i takon procedurës që duhet të ndiqet për zyrtarizimin e marrjes së këtij shpërblimi, autoritetet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se: “Kërkesa për të përfituar shpërblimin duhet të dorëzohet pranë komisionit të ngritur në çdo rreth, pranë degëve ushtarake”. Bashkë me kërkesën duhet të dorëzohen edhe një sërë dokumentesh të kërkuara. Më pas, kërkesa me dokumentacionin dhe mendimin e komisionit të rrethit, i përcillet komisionit të ngritur për këtë qëllim pranë Ministrisë së Mbrojtjes, i cili merr vendimin përfundimtar dhe një kopje e këtij vendimi i dërgohet Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku do të bëhet e mundur edhe llogaritja dhe konfirmimi i dhënies së shpërblimit, si shtesë mbi përfitimin e plotë të pleqërisë.
Në dosjen e dokumenteve të kërkuara për marrjen e këtij shpërblimi, duhet të përfshihen: “Libreza e pensionit, ku shënohet shtesa prej 100 lekësh në muaj,për pjesëmarrjen në Luftën kundër nazifashistëve, dokumenti që vërteton të paktën një dekoratë të luftës kundër pushtuesve nazifashistë, vërtetim i degës ushtarake të rrethit, Ministrisë së Mbrojtjes, ose Ministrisë së Rendit, për pjesëmarrjen në luftë. Si veteranë lufte, do të konsiderohen edhe ata persona që kanë dëshmi individuale, sepse nuk iu është njohur kjo e drejtë nga regjimi totalitar për shkaqe politike e biografike, vendimi i ish-Komiteteve Ekzekutive të Rretheve, me anë të cilit, veteranit i është njohur dyfishi i kohës së luftës si vjetërsi në punë, si dhe çdo dokument tjetër zyrtar, që vërteton pjesëmarrjen në luftën kundër pushtuesve nazifashistë”.
Lidhur me procedurat që duhet të ndjekin pensionistët që nuk kanë dokumentet e përmendura, ekspertët e ISSH-së, sqarojnë se në mungesë të këtyre dokumenteve, statusi si “veteran” mund të konfirmohet nga komisioni i posaçëm që ndodhet pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkohë që për ata persona që veprimtarinë e tyre kundër pushtuesve nazifashistë e kanë kryer jashtë vendit, për njohjen e statusit vlen edhe dokumentacioni i njëjtë i siguruar nga një shtet i huaj.
Masa e shpërblimit është:
• 1 500 lekë, për veteranët që luftuan në formacionet luftarake të çdo rangu kundër pushtuesve nazifashistë, të inkuadruar përpara datës 10.07.1943.
• 1 200 lekë, për veteranët që luftuan në formacionet luftarake të çdo rangu kundër pushtuesve nazifashistë, të inkuadruar në këto formacione në periudhën 11.07.1943 – 24.05.1944.
• 1 000 lekë, për veteranët që luftuan në formacionet luftarake të çdo rangu, të inkuadruar në këto formacione në periudhën 25.05.1944 deri më 28.11.1944.
• 500 lekë, për veteranët që kanë zhvilluar veprimtari të organizuar në ilegalitet në prapavijë të armikut e në zonat e çliruara, për kryetarët e atëhershëm të shtëpive, që njihen si baza të luftës kundër pushtuesve nazifashistë.
• 300 lekë, për veteranët e inkuadruar në formacionet luftarake, pas datës 28.11.1944 dhe që e vazhduan luftën jashtë kufijve. Këtë shumë e përfitojnë (mbi masën e caktuar) edhe veteranët e përmendur më lart, kur kanë vazhduar luftën jashtë kufijve të Atdheut, të inkuadruar në formacionet luftarake
• Të burgosurit në burgjet nazifashiste brenda dhe jashtë vendit, për kohën e burgosjes mbi gjashtë muaj marrin shpërblim në masën prej 500 lekësh.
• Të burgosurit në burgjet nazifashiste brenda dhe jashtë vendit, për kohën e burgosjes nga një muaj deri në gjashtë muaj, marrin shpërblim në masën prej 300 lekësh
• Veteranët e plagosur në luftë, që nuk përfitojnë Statusin e invalidit të luftës, përveç shpërblimit të veteranit si më sipër përfitojnë edhe 500 lekë shtesë në muaj.