Politika

Procesi i integrimit europian nuk është një kontribut vetëm i kësaj maxhorance

Kryetari i Grupit Socialist, Taulant Balla, në një intervistë në ERTV, deklaroi se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që do të bëjë të mundur zbatimin e reformës në drejtësi.

“Procesi i reformës në drejtësi është guri i themelit për të ardhmen tonë europiane. Implementimi i Vettingut mundësoi tejkalimin e kushtit të fundit që BE kishte vënë në rrugën tonë për hapjen e negociatave”, deklaroi Balla.

Më tej, ai tha se PD duhet të shikojë hapjen e negociatave si fillimin e një rruge të përbashkët e jo si fundin e vet. “Dua t’i them Partisë Demokratike që hapjen e negociatave të mos e shikojë si fundin e vet, por si fillimin e një rruge të përbashkët ku edhe ne si qeveri e maxhorancë do të jemi shumë më të monitoruar se sa jemi sot, por edhe roli i opozitës është shumë më i rëndësishëm se ai që ka sot’, tha kreu i grupit parlamentar të PS-së.

Sipas tij, procesi i integrimit europian nuk është një kontribut vetëm i kësaj maxhorance por i të gjitha palëve që prej vitit 1993. Sot, theksoi Balla, jemi në kushtet kur një pjesë e opozitës të bashkuar në aleancën kundër reformës në drejtësi, nuk po punon për integrimin europian të vendit.

“Ftesa jonë dhe dora e shtrirë e jona janë për të institucionalizuar një tryezë të dialogut politik të qëndrueshëm për çështje që kanë të bëjnë me të ardhmen tonë europiane”, u shpreh Balla, ndërsa vlerësoi se marrëveshja e 18 majit i shërbeu pikërisht këtij qëllimi.

Balla më tej, komentoi edhe çështje të debatit politik të ditës, si ai i ekstradimit të Nezar Seitaj, i kundërshtuar nga opozita apo edhe tensionin e sotëm në Kuvend.

Balla informoi se ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj do të jetë në interpelancë në Kuvend me datë 8 shkurt për t’i dhënë përgjigje çdo shqetësimi të ngritur nga opozita. Por theksoi ai, ekstradimi i Seitit ishte me vendim gjykate.

“Ky personi nuk është liruar. Do merret në pyetje nga institucionet italiane. Nëse autoritetet shqiptare do të kërkojnë të marrin në pyetje Seitin, me një letër porosi ai rikthehet në Shqipëri”, shpjegoi Balla.

Lidhur me tensionin e krijuar sot në Kuvend nga opozita, Balla u shpreh se seanca degradoi për shkak të urdhrit politik të Bashës. “Kreu i grupit Parlamentar të PD-së, Edmond Spaho kërkoi ndryshimin e rendit të ditës pas urdhrit politik të Bashës, ndërkohë që vetëm 30 minuta para kësaj kërkese ishte miratuar me dakordësi  rendi i ditës”, tha Balla.

Kemi të bëjmë me një strategji të pakuptimtë të PD e LSI, u shpreh Balla, që duan që Kuvendi të jetë i bllokuar sa herë të ketë në rend të ditës ligje për reformën në drejtësi dhe kjo do të ndodhë deri në datën 15 qershor që do të jetë edhe vendimi përfundimtar për hapjen e negociatave.

Duke folur për rendin e ditës, Balla tha se opozita nuk miratoi marrëveshjen për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, një investim i një prej investitorëve më të mëdhenj në Europë që është i angazhuar për ndërtimin e aeroportit më të madh në botë, atë të Stambollit, Turqi. Sipas tij, ndërtimi i këtij aeroporti ishte premtuar nga vet Berisha që në vitin 1992 para qytetarëve të Vlorës.

“Ndërtimi i këtij aeroporti i shërben qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, ndërsa do të ofrojë çmime më të ulëta se sa ofron sot Rinasi”, theksoi Balla. Ai premtoi po ashtu edhe vënien në punë të aeroportit të Kukësit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button