Ekonomia

Prodhimet më të mira shqiptare, çelet në Tiranë ekspozita promovuese

Në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave u çel sot “Ekspozita e prodhimeve bujqësore dhe agroushqimore shqiptare “, ku prezantohen produktet më të mira të këtij sektori të certifikuara tashmë me vulën e cilësisë “Made in Albania”.

panariti3Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, zv.kryeministri Niko Peleshi si dhe të ftuar nga institucionet e linjës, specialistë të bujqësisë dhe agrobiznesmenë nga rrethe të ndryshme të vendit.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, ministri Panariti  vlerësoi aktivitetin si pjesë e promovimit të produkteve më të mira bio të vendit tonë. Pavioni është materializim i motos “Prodho shqip, tregto shqip, konsumo shqip”.

Gjatë fjalës së mbajtur, ministri theksoi se, këto produkte janë të çertifikuara me standardet më rigoroze, dhe se kjo nismë nuk do të jetë e vetme, përveç krijimit të kësaj shtëpize të përbashkët për fermerët, prodhuesit dhe agropërpunuesit.

“Bujqësia është motori i rimëkëmbjes ekonomike të vendit, ndaj nuk do të lemë asnjë m2 të pashfrytëzuar. Objektivi ynë është të rrisim prodhimin, eksportet”, u shpreh ministri Panariti.

Ai u shpreh se, sot bujqësia po merr vëmendjen e duhur dhe kjo ekspozitë është më tepër një festival i vlerave, i traditës dhe i kulturës së bujqësisë shqiptare, i prodhuesve shqiptarë, që janë të pranishëm këtu me prodhimet e tyre organike. “Sot ne kemi krijuar një traditë të konsoliduar në prodhimin e verës, vajit të ullirit, mjaltit etj, të cilët janë të pranishme këtu me markat e tyre prestigjoze e njihen jo vetëm në tregun vendas por edhe atë ndërkombëtar”, tha Panariti.

Ndërsa zv.kryeministri Peleshi u shpreh se kjo ekspozitë është dëshmi e larmisë së prodhimeve si verë, vaj ulliri, që janë përfshirë në proçesin e akreditimit e çertifikimit ndërkombëtar si prodhime bio. Këtë proçes duhet ta çojmë edhe më tej, tha ai, duke e sjellë markën tonë shqiptare si shijen më të kërkuar jo vetëm në tryezat shqiptare, por edhe ato rajonale e më gjerë”.
Më pas, u ndanë një sërë çmimesh për prodhuesit e verës, ku çmimin e parë për verën e bardhë e fitoi kantina “Arbi”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button