Projektet hekurudhore/ Liko: Kemi filluar edhe trajnimet për të patur një staf të kualifikuar punonjësish
Shtrirja e rrjetit të hekurudhave po kthehet në prioritet për vendin tonë. Në një intervistë për RTSH, drejtori i Përgjithshëm i Hekurudhave, Gentian Liko tregon projektet e mbështetura nga BE.
“Tashmë kemi filluar me projektin Tiranë- Durrës- Rinas, projekti i parë që po implementohet sipas standarteve të BE. Jemi duke bërë edhe lidhjen me aeroportin e Rinasit, i dyti do të jetë Vorë-Hani i Hotit, 120 km, korridori i tetë është i gatshëm për të investuar nëpërmjet BE, të cilin e kemi ndarë në dy segmente, Durrës- Rrogozhinë prej 34 km dhe Rrogozhinë-Pogradec prej 120 km. Ndërkohë që edhe qeveria shqiptare sëbashku me atë të Kosovës kanë në axhendë edhe një linjë hekurudhore”, deklaron ai.
Por këto investime vijnë edhe me trajnime duke patur parasysh që vendi ynë ka dy dekada që nuk përgatit më staf të kualifikuar për të punuar në hekurudha e aq më shumë me sinjalistikën e kohës.
“Kemi trajnime te ndryshme, jemi në diskutime me Universitetin e Durrësit apo dhe Politeknik të Tiranës për të hapur kurrikula të veçanta vetëm për hekurudhën. Jemi duke ngritur qendra të ekselencës që do të shërbejë vetëm për trajnimet hekurudhore”, tha Liko.
Liko bën me dije se duke qenë se projektet hekurudhore janë afatgjate “të rinjtë duhet ta mendojnë si një alternativë e mirë punësimi”.