Projektet infrastrukturore që mbyllen brenda mandatit të tretë të qeverisë
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku prezantoi sot në Kuvend projektet që do të zbatohen përgjatë mandatit të tretë të kësaj mazhorance të cilat, tha ajo, synojnë të përmirësojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave, me standarde sigurie dhe impakt në zhvillimin ekonomik dhe turizmin.
Ministrja tha se ka nisur puna për realizimin e disa porteve, si pjesë e paketës së zhvillimit infrastrukturor.
Projekti i detajuar për portin e ri tregtar në zonën e Porto Romanos, u shpreh Balluku, përfundon në fund të muajit tetor dhe menjëherë hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e tij.
Sipas saj, afati për ndërtimin e portit do të përcaktohet 36 muaj dhe pritet të dorëzohet brenda këtij mandati.
Ndërkohë ajo informoi se brenda mandatit të tretë do të përfundojë edhe faza e parë dhe e dytë e punimeve për portin e Durrësit.
Po ashtu, ministrja informoi se do të ndryshojë edhe destinacioni i Portit të Vlorës.
“Porti i Vlorës është një nga portet që ndryshon destinacion, për tu lidhur kështu edhe me vazhdimin e Lungomares dhe kthehet në një port jahtesh. Ndërkohë porti komercial zhvendoset në zonën e Triportit, duke krijuar atje edhe një port të integruar. Një nga synimet kryesore për ndërtimin e Triportit është edhe krijimi i një zone ekonomike përreth portit të ri”, deklaroi Balluku.
Si ndërtimi i këtij porti edhe ai në Porto Romano, informoi ministrja, do të shoqërohen me një paketë infrastrukturore mbështetëse rrugore, nënstacione elektrike të nevojshme për të përballuar kapacitetet e shtuara, por sigurisht kemi parashikuar të kemi edhe mbështetjen e lëvizjeve hekurudhore.
Duke folur për zhvillimin e transportit ajror, ministrja Balluku deklaroi se brenda muajit nëntor pritet të hapet kantieri për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, që do të jetë edhe më i madhi në vend.
“Pas operimeve pa asnjë lloj kufizimi në aeroportin e Kukësit brenda muajit nëntor çelet kantieri në aeroportin ndërkombëtar të Vlorës. Do të jetë aeroporti më i madh ndërkombëtar në vend, me një pistë prej 3.2 km ku një nga bërthamat e biznesit do të jetë edhe mirëmbajtja e avionëve, të cilën deri më sot nuk e kemi patur në Republikën e Shqipërisë, duke hapur një industri të re në këtë fushë, ashtu si dhe shërbimin kargo, ku sot në aeroportin e Tiranës janë të cunguara”, tha ajo.
Aeroporti i Sarandës, si një aeroport turistik sezonal, sipas studimit të filizibitetit pritet të përpunojë një fluks të rëndësishëm, duke nisur nga muaji prill deri në tetor. Sipas Ballukut, ky aeroport do t’i japë një support të gjithë rivierës së jugut.
Ministrja tha se sipas të gjitha studimeve do të duhen 24 muaj për ndërtimin e tij dhe parashikohet të përfundojë ndërtimin në pranverën e vitit 2025.
Më tej, ministrja foli edhe sa i takon projekteve infrastrukturore.
Balluku tha se në muajt në vazhdim do të hapet gara për ndërtimin e Korridorit Blu, ose i njohur si korridori Adriatiko-Jonian.
Gara, tha ajo, u hap disa muaj më parë, por u shty për shkak të pandemisë. Ministrja theksoi se ky korridor nuk pritet të përfundojë brenda këtij mandati.
Brenda këtij mandati, theksoi Balluku, do të përfundojë pjesa nga rrethrrotullimi i Kasharit që bashkohet edhe me bajpasin e Tiranës deri në Fier. “Do të nisë menjëherë puna edhe në pjesën veriore, por duke patur parasysh gjatësinë e madhe të këtij korridori do të ketë një afat më të gjatë për realizimin e tij”, deklaroi Balluku.
Ministrja tha se për të plotësuar këtë korridor një nga elementët më të rëndësishëm është bajpasi i Gjirokastrës, për të cilin ne kemi aplikuar për fonde nga WBF për të patur një studim fizibiliteti të mirëfilltë.
“Ndërtimi i këtij bajpasi përbën edhe pjesën e fundit të pazëllit të këtij korridori nga Muriqani deri në pikën kufitare të Kakavijës”, deklaroi Balluku.
Sa i takon Unazës së Madhe të Tiranës, ministrja Balluku deklaroi se puna për ndërtimin e saj pritet të mbyllet brenda 24 muajsh.
“Unaza e Madhe e Tiranës nuk është një vepër infrastrukturore që i shërben vetëm kryeqytetit, por i shërben të gjithë shqiptarëve duke qenë se bën lidhjet me të gjitha autostradat hyrëse në kryeqytet, duke nisur nga Rruga e Arbrit, Tiranë-Durrës, autostrada e Veriut apo ajo e Elbasanit”, deklaroi Balluku.
Një tjetër sektor që sipas ministres Balluku, është një nga komponentët më të rëndësishëm që ka marrë fokusin e qeverisë dhe për të cilin ka ardhur koha për të marrë rezultate është edhe zhvillimi i sektorit hekurudhor.
Ministrja deklaroi se brenda këtij muaji nis puna për ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës me akses në Aeroportin e Rinasit.
“Sa i përket sektorit hekurudhor duke patur edhe një vëmendje të veçantë nga Komisioni Evropian kemi arritur të përmbyllim fazën përgatitore të projektit të parë që është linja Tiranë-Durrës, duke patur pikë aksesi edhe aeroportin e Rinasit. Brenda këtij muaji nis puna në kantier”, tha Balluku
Po ashtu, ajo informoi se qeveria është duke negociuar edhe për linjën Vorë-Hani i Hotit, si një nga hekurudhat që do të ketë një pikë lidhjeje me kufirin malazez, duke na krijuar akses edhe në vendet e tjera të Ballkanit.
“Kjo hekurudhë duke qenë se është ekzistuese dhe nuk do të ketë paketë shpronësimi është vlerësuar pavarësisht se është projekti më i madh që kemi në hekurudha dhe faktit se ka gjatësinë më të madhe, konsiderohet projekt me kompleksitet të ulët, ndaj jemi besimplotë se edhe ky projekt do të dorëzohet brenda këtij mandate”, deklaroi ministrja.
Më tej, ajo shtoi se javën që vjen do të nis puna edhe për projektin e segmentit të parë Durrës-Rrogozhinë të linjës ndërkufitare Durrës-Pogradec-Lin-Maqedonia e Veriut apo Lin-Greqi.
“Javën e ardhshme në Tiranë do të mbërrijë një delegacion e BEI-t që do të mbështes qeverinë shqiptare për projektin ndërkufitar, konkretisht për segmentin e parë Durrës-Rrogozhinë të linjës Durrës-Pogradec-Lin-Maqedonia e Veriut apo Lin-Greqi”, tha ajo.