“Projekti 4 miliardë euro”, Rama: Sazani është tokë publike, Zvërneci private!
Në shpjegimin e tij para deputetëve socialistë dhe opinionit publik për situatën në Zvërnec, kryeministri Edi Rama tha se ka duruar çdo sulm për shkak të vizionit që ka për Shqipërinë. Ai tha se investimi në Zvërnec me vlerë prej 4 miliardë eurosh, është një prej investimeve që synon ta vendosë Shqipërinë në ligën e kampionëve të turizmit.
“I kam duruar dhe i duroj pikërisht sepse këtë mision e mbaj ende përsipër edhe në emër të shumëkujt nga ju që më ka besuar votën dhe sot i është bashkuar zemëratës në rrjete sociale duke më treguar me gisht si prurësin e një fatkeqësie të madhe. Ç’më duhet karrigia, pushteti nëse duhet të heq dorë nga vizioni që kam ndarë me ju gjithë këto vite? Heq dorë nga ambicia për ta bërë Shqipërinë një vend që mos të ketë zili askënd, për çfarë më duhet pushteti dhe karrigia? Që të qetësoheni ju, që të vazhdoni jetën siç është e natyrshme dhe pasnesër, në vend të atij investimi të jashtëzakonshëm atje, të bëhet copëtimi, Golemi i radhës? Ju do të rroni më shumë se unë dhe do të shikoni se aftësia dhe kuraja për ta kthyer Shqipërinë te Golemi është e gjallë dhe e gatshme po t’i bjerë prapë në dorë Shqipëria. Heq dorë nga vizioni dhe ambicia për ta bërë Shqipërinë një vend që s’ka frikë të hyjë në ligën e kampionëve të turizmit global dhe të rri në karrige me një vend që trembet nga sfidat e mëdha? Shqipëria s’është më ajo ku nuk afrohej asnjë investitor, është ajo ku duan të vijnë, është Shqipëria e 12 milionë turistëve. Do të hyjë tani në elitën e investimeve që sjellin konsumatorë që i lënë paratë këtu. Një vend që nuk ka frikë nga një investim i jashtëzakonshëm, si ky ku partnerë janë bërë bashkë për të investuar 4 miliardë euro”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se interesimi për këtë projekt nisis që në vitin 2023, ndërsa përsëriti se Zvërneci është tokë private.
“Projekti ka nisur si interesim nga investitorët në vitin 2023, dhe bashkë me Sazanin dhe qëndrimi ynë që në ditën e parë ka qenë që Sazani është tokë publike. Ka qenë dëshirë dhe ambicie e kahershme dhe e qeverive të tjera për ta kthyer në destinacion turistik, ne jemi të gatshëm të punojmë me ju dhe kini parasysh që ajo tokë nuk shitet dhe duam që shteti shqiptar të jetë palë. Ndërsa për projektin e Zvërnecit duhet të shikoni pronat dhe pronarët, pasi nuk kemi tokë shtet aty. Dhe copëza që mund të jenë shtet janë krejtësisht të papërfillshme për ambicien tuaj. Ky është fillimi 2023. Ne kemi mbrojtur interesin timin dhe tuajin dhe interesin e vendit dhe kemi bërë detyrën jo thjesht procedurialisht por patriotikisht. Projekti i vjetër është rrëzuar nga administrata shqiptare se kemi kërkesa të larta dhe duam standarde shumë të larta, jo se ishte i keq por ne donim ëm shumë për ju”.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.