Kosova

Prokuroria e Posaçme: Janë ngritur 33 aktakuza për krime të luftës në Kosovë

Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha të premten se që nga marrja e përgjegjësisë për ndjekjen penale të krimeve të luftës, ka ngritur 33 aktakuza që përfshijnë 89 persona, pjesa më e madhe të akuzuar në mungesë. Në mesin e tyre janë akuzat e ngritura së fundmi për masakrën e Mejës në komunën e Gjakovës dhe atë në burgun e Dubravës në komunën e Istogut, të cilësuara si dy nga ngjarjet më të rënda gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

“Për masakrën në Mejë në aktakuzë janë akuzuar gjithsej 53 persona. Pjesa e parë e aktakuzës përfshin grupin prej pesë personash që kanë planifikuar masakrën e Mejës. Pjesa e dytë përfshin grupin prej 11 të pandehurve të cilët në bashkëkryerje me grupin e parë kanë zbatuar planin për masakrën e Mejës. Grupi i tretë me 37 të pandehur e përbëjnë ekzekutorë të drejtpërdrejtë të cilët kanë kryer masakrën ose në ndonjë mënyrë tjetër kanë kontribuar në kryerjen e saj”, tha Drita Hajdari nga Departamenti për krime lufte në kuadër të Prokurorisë së Posaçme.

Me 27 prill të vitit 1999 në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, 370 shqiptarë u vranë dhe u zhdukën nga forcat serbe.

Ndërkaq nga 19 deri më 24 maj të vitit 1999 brenda burgut të Dubravës u vranë 160 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.

“Nën hetim për rastin e masakrës së Dubravës janë 88 të pandehur dhe ky hetim është duke vazhduar për një kohë të gjatë sepse është një lëndë e trashëguar nga misioni i EULEX-it. Për momentin vetëm një të pandehur e kemi në paraburgim dhe urgjenca e procedimit të çështjes ndaj tij është arsye ligjore”, tha prokurori Ilir Morina, duke nënvizuar se hetimi dhe mbledhja e provave për të pandehurit e tjerë po vazhdon dhe do të trajtohet me përparësi gjatë vitit të ardhshëm.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, përgjegjësinë për ndjekjen e krimeve të luftës e kishte fillimisht Misioni i Kombeve të Bashkuara, e më pas misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e Ligjit. Diku nga fillimi i vitit 2016 Prokuroria e Posaçme e Kosovës nisi marrjen e lëndëve, për të marrë përgjegjësinë për të gjitha rastet në fund të vitit 2018.

Sipas zyrtarëve të kësaj prokurorie numri i ultë i prokurorëve dhe mungesa e bashkëpunimit nga Serbia paraqesin dy nga sfidat më të mëdha në ndjekjen e krimeve të luftës.

“Kryesit e këtyre veprave penale nuk kanë qenë në Kosovë, shumica e tyre janë në Serbi ndërsa viktimat dhe dëshmitarët janë në Kosovë. Kjo ka paraqitur një vështirësi të madhe për ngritjen e aktakuzave sepse nuk kemi mundur të bëjmë diçka të tillë pa i marrë në pyetje të pandehurit. Por kjo nuk na ka ndalur dhe në vazhdimësi i kemi zhvilluar hetimet, i kemi grumbulluar provat, i kemi intervistuar dëshmitarët e madje kemi siguruar edhe provat nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish Jugosllavi”, tha zonja Hajdari.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, deri tash nga institucionet vendëse e ndërkombëtare për krime lufte janë dënuar mbi 70 persona.

Drejtuesi i këtij institucioni, Bekim Blakaj, i tha Zërit të Amerikës se ndjekja penale e krimeve të luftës është larg shkallës së duhur.

“Nuk jemi të kënaqur, e edhe më pak jemi të kënaqur me epilogun e këtyre proceseve. Kohëve të fundit janë disa procese që janë përfunduar në afat më të shpejtë kohor por në përgjithësi po zgjasin shumë, po kthehen në rigjykim e kështu me radhë. Pra nuk ka aktgjykime sa ka aktakuza të ngritura deri më tani”, tha ai.

Faktori kryesor që shkakton ngecje në këtë proces është mungesa e bashkëpunimit ndërmjet prokurorive në Kosovë dhe Serbi thotë zoti Blakaj.

“Organet e ndjekjes së Kosovës nuk kanë mundur të arrijnë te shumica dërmuese e të dyshuarve sepse nuk jetojnë në Kosovë, shumica jetojnë në Serbi dhe meqenëse nuk ekziston ky bashkëpunim ndërmjet prokurorive, prokuroria e Kosovës nuk ka qasje, nuk i din as adresat dhe tek e fundit edhe po t’i dijë adresat nuk mund të dërgojë një ftesë për të dyshuarin që të lajmërohet”, thotë ai.

Gjatë takimit të parë të hapur të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, i cili pritet të funksionalizohet së shpejti, kryeministri Albin Kurti tha se paqja kërkon drejtësi dhe rehabilitim duke nënvizuar se në Kosovë nuk ka ndodhur asnjëra.

“Askush nuk duhet të pretendojë se lehtësisht do t’i zgjidhim të gjitha problemet që janë shkaktuar që 24 vjet. Do të jetë e vështirë, shumë e vështirë. Njerëzit janë të lodhur, viktimat kanë humbur besimin në sistem, gjeneratat besa po vdesin çdo ditë, dhe kështu po humbet kujtesa parësore e luftës. Ky është një rrezik i madh, i cili na kanoset e të cilin nuk guxojmë ta lejojmë të ndodhë”, tha ai.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button