Pronat, fondi për 74 mijë hektarë
Formula përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së pronave në Shqipëri, do të ketë një kosto financiare prej 50 miliardë lekësh, ndërkohë që është përllogaritur se, sipërfaqja totale që do të kompensohet arrin në 74 mijë hektarë. Nga komisioni i Ekonomisë, në Kuvend drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato ka zbardhur skemën se si do të realizohet zgjidhja përfundimtare për 26 mijë pronarë. Ndërsa, zv. ministri i Financave, Erjon Luçi ka treguar dhe burimet e financimi, të cilat do të miratohen gjatë çdo viti buxhetor, për 10 vite.
“Procesi i kompensimit financiar mbi bazën e legjislacionit të vitit 2004, ka filluar në vitin 2005 dhe rezultatet tregojnë që nga 74 mijë hektarë tokë, të cilat presin të kompensohen për pronarët shqiptarë, vetëm 16 mijë hektarë tokë janë kompensuar financiarisht. Ndërsa kompensimi fizik, ka qenë një procedurë e paekuilibruar me instrumente aktesh nënligjore dhe aktesh të qeverisë, dhe si e tillë ose është aplikuar në mënyrë të herëpashershme, por jo në bazë të një procedure të rregullt”, tha Qato.
Duke vijuar më tej, kreu i AKKP-së,tha se projektligji merr përsipër, që me formulën e re të bëjë vlerësimin ekonomik të vendimeve, pa ndërhyrë në vendimet e gjykatave apo çështjet në gjykim. Sa i takon nenit 3, të gjitha vendimet e formës së prerë nuk mund të ndryshohen me vendime administrative të një organi siç mund të jetë Agjencia e Trajtimit të Pronës. Pra, vendimet e Ish-komisionit të Kthimit të Pronave, të zyrave rajonale apo të agjencisë janë vendime të konsideruara pothuajse gjyqësore dhe si të tilla nuk mund të ndryshohen. Problematika të cilat kërkon të trajtojë ky projektligj është fakti që 26 mijë vendime që presin të trajtohen nëpërmjet këtij projektligji gjatë një afati 10-vjeçar”, sqaroi ajo.
Fondi
E pyetur nga deputeti Andrea Marto, për vlerësimin e vendimeve, që parashikohet të kryhet për 3 vjet, dhe fondin për fondin e përgjithshëm që nevojitet për të kënaqur pretendimet e pronarëve, Qato deklaroi vetëm shifrën e llogaritur nga qeveria. “Nga viti 2005 deri në vitin 2014 është shpërndarë një fond prej 4.3 miliard lekësh. Pra 4.3 miliardë lekë në 10 vite ku janë kompensuar pjesërisht nga 200 deri në 500 m² rreth 800 vendime kompensimi, të cilat plotësojnë një sipërfaqe prej 16 mijë ha tokë. Ndërkohë, ne kemi llogaritur përgjatë këtyre dy viteve nëpërmjet shqyrtimit të gjithë fondit arkivor që kemi pranë agjencisë, që presim të kompensojmë 74 mijë hektarë tokë. Projektligji vë në dispozicion të pronarëve një vlerë prej 50 miliardë lekësh, e cila së bashku me vlerën ekonomike të fondit fizik që do të jetë në dispozicion përballon faturën ekonomike për kompensimin e pronarëve”.
Ndërkohë, zv/ ministri i Financave, Erjon Luçi iu përgjigj deputetit Marto, për burimin e financimit. Ato do të vijnë kryesisht nga të ardhurat, nga buxheti i shtetit. “Mund të diskutojmë edhe për të ardhura të tjera, një fond tjetër që mund të ndihmojë është ai fizik si edhe fondi që do të akumulohet nga privatizimi i objekteve shtetërore. Në statusin e mëparshëm, fatura që vinte nga Strasburgu, po bëhej më e rëndë dhe e papërballueshme, kështu që e bënte kontigjencën e rezervave mjaft të vështirë. Në aspektin buxhetor, ligji i ri ka synimin ta bëjë të përballueshme dhe të parashikueshëm kompensimin e të gjithë pronarëve që përfshihen në këtë proces. Ne kemi krijuar hapësirën për ta kontrolluar këtë lloj fature për 10 vitet e ardhshëm”.
Aktualisht fondi fizik në dispozicion të Agjencisë së Pronave për kompensimin e ish-pronarëve përbëhet nga 2.4 miliardë lekë fond i objekteve shtetërore të transferuara nga Ministria e Ekonomisë, fondi 32 miliard lekë që vlera e fondit të tokës bujqësore dhe fondi pyjor me një vlerësim paraprak 50.8 miliardë lekë. Përveç këtij fondi, projektligji parashikon edhe ngritjen e një komisioni ndërinstitucional që do të identifikojë të tjera sipërfaqe që do të shërbejnë për kompensimin e pronarëve.
Pronarët nuk marrin shpërblim real
Për opozitën, qeveria nuk u jep pronarëve, atë që meritojnë realisht, pasi ndërhyrja e saj e shmang vlerën e tregut dhe ul vlerën reale të pronës. I këtij mendimi është ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili, duke folur, për projektligjin, tha se nuk është marrë në shqyrtim, as konsultimi me përfqësuesit që preken.
“Ky ligj përbën një moment të rëndësishëm të debatit politik në vend. Është e vërtetë që çështja e kthimit dhe e kompensimit të pronave të të shpronësuarve gjatë regjimit komunist, ka kaluar procese debatesh me shoqatat për kthimin dhe kompensimin pronave dhe me institucioneve të tjera. Është e vërtetë që për shkak të kufizimeve financiare ritmet e kompensimit të pronave kanë qenë jo ato të pritura. Sigurisht që është një përpjekje e lavdërueshme dhe duhet përkrahur”, tha Bode, duke vijuar se “çdo akt i miratuar në mënyrë të njëanshme dhe që nuk merr në konsideratë interesat legjitime të të gjithë grupit shoqëror të të shpronësuarve gjatë regjimit komunist, mendoj se nuk bën një zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejtë. Në rrethanat që ka vendi nuk përbën një zgjidhje kushtetuese. Akti që ka sjellë qeveria mënjanon konsultimin e gjerë me përfaqësuesit e kësaj shtrese shoqërore në vend dhe nuk jep përgjigjen që do të ishte e pranueshme nga ana e opozitës. Ndërhyrja e qeverisë duke mënjanuar vlerën e tregut dhe duke referuar statusin e pronës në momentin e shpronësimit ul vlerën reale të pronës”, argumentoi Bode, i cili u kundërshtua nga drejtoresha e AKKP-së, Sonila Qato.
“Tryeza me grupet e interesit janë kryer në mënyrë të vazhdueshme. Në këto takime ne kemi folur për dispozitat e këtij projektligji. Kërkesat e shoqatave kanë qenë dy. Së pari të shfuqizohet ligji 7501 dhe të shfuqizohet ligji në fuqi për legalizimet. Për sa i përket vlerës së përcaktuar për llogaritjen e kompensimit të pronarëve, në nenin 6 të projektligjit është përcaktuar se vendimet e kompensimit do të llogariten sipas hartës së vlerës së pronës në momentin e miratimit të këtij projektligji”, ndërsa sqaroi se pas miratimit të këtij projektligji, Agjencia menjëherë do të fillojë nga puna, nga njëra anë vlerësimin ekonomik të 26 mijë vendimeve për kompensim që do të kryhet brenda 3 viteve dhe nga ana tjetër do të nis nga puna për pagesën e dosjeve. Pra nuk do të ketë pezullim të aktivitetit.
Tri kriteret për vlerësimin e pronës
Projektligji për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave është propozuar nga Këshilli i Ministrave dhe shqyrtohet në nenet 32 dhe 38 të kuvendit. Projektligji ka për qëllim të rregullojë procesin e njohjeve dhe kompensimin e pronave të subjekteve të shpronësuara sipas akteve ligjore dhe nënligjore, vendimeve penale të gjykatave që nga data 29 nëntor 1944.
Nëpërmjet këtyre rregullave, ai synon të realizojë një shpërblim të drejtë të kompensimit të pronës, për të mundësuar që ky proces të përfundojë brenda 10 vjetësh. Deri tani kjo çështje është trajtuar me një sërë ligjesh. Që prej vitit 2005, kompensimi financiar është aplikuar vetëm për tokën truall. Kompensimi është realizuar vetëm për një pjesë të pronarëve të cilët zotërojnë 200-500 m² sipërfaqe trualli. Sipas rendit kronologjik, ky kompensim ka arritur deri në vitin 1994.
Për tokën bujqësore nuk ka filluar ende formula e kompensimit. Siç duket, formula për kompensimin e ish-pronarëve nuk është efektive. Kuadri ligjor ndër vite, për kthimin dhe kompensimin e pronave ka ndryshuar shpesh dhe është kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese nga grupet e interesit. Ky kuadër ligjor ka parashikuar forma të ndryshme kompensimi, duke bërë që vendimmarrja për të njëjtën çështje të jetë e ndryshme.
Duke analizuar këtë situatë dhe veçanërisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese, u hartua ky projektligj i ri, i cili mbështetet dhe në vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që i ka kërkuar qeverisë shqiptare të përpilojë një formulë të re, të thjeshtë dhe realiste, si dhe të përcaktojë kuadrin e brendshëm dhe efektiv për të realizuar dhe për të përfunduar një kompensim të mjaftueshëm dhe të përshtatshëm.
Vlerësimi i pronës, sipas kësaj formule mbështetet në tri kritere. E para, prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral, që ka patur në kohën e shpronësimit. Së dyti, prona e kthyer vlerësohet si diferencë e vlerës së zërit kadastral aktual, me zërin kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit. Së treti, çmimi që do të përdoret si bazë për vlerësimin e pronës është çmimi i hartës aktuale të vlerës së pronës.
Pronarët kundër
Shoqatat e pronarëve nuk kanë rënë dakord me formulën që propozon qeveria për kthimin dhe kompensimin e pronave. Një javë më parë ata i kanë dërguar letër kryetarit të Kuvendit dhe grupeve parlamentare, e më pas kanë takuar Avokatin e Popullit për t’i kërkuar atij ndihmën me anë të kërkesave të ngritura. Pronarët, duken se nuk bien dakord për një sërë arsyesh mbi këtë ligj, dhe duan një seancë dëgjimore në parlament. Ndër shqetësimet që ngrejnë, ata thonë se nuk ka kthim të pronës, por kompensim të saj sipas interesave të qeverisë.