Ekonomia

Terrori anti-informalitet: Ngec ekonomia, të gjithë treguesit me rënie në shtator

aaaaKjo situatë po krijon një efekt psikologjik negativ, sidomos te bizneset, që po kthehet në një pengues të frikshëm të ekonomisë dhe investimeve dhe konsumit…

 Presioni i lartë ndaj bizneseve nisur që nga 1 shtatori, kur qeveria nisi aksionin ndaj informalitetit rezulton të ketë frenuar aktivitetin ekonomik këtë muaj, siç e dëshmojnë pothuajse të gjitha statistikat zyrtare. Ndonëse qëllimi i qeverisë në luftën ndaj informalitetit, që është mbi 50%, është absolutisht i drejtë, debatet ishin të shumta mbi mënyrën si u zhvillua ai, si thirrjet se kjo është luftë, përqendrimin fillimisht te bizneset e vogla, ashpërsimin e gjobave, që hyjnë në fuqi nga 12 nëntori (ashpërsimet në Kodin Penal janë ende në diskutim), konsiderimin si fajtor vetëm të bizneseve, çka krijoi ngarkesë negative tek bizneset e individët, që rezulton se kanë frenuar konsumin dhe investimet, në një ekonomi që ishte tashmë e brishtë dhe ku zhvillimet e vetme janë lajmet e shumta për koncesionet në shumë fusha. Kjo tendencë konfirmohet nga të dhënat e shtatorit, të publikuara zyrtarisht deri tani, që janë zhgënjyese dhe flasin për një frenim të ndjeshëm të aktivitetit ekonomik:

Paraja gjithsej në qarkullim ka rënë me 4.5 miliardë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, duke reflektuar një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend dhe shpejtësisë me të cilën qarkullon ajo, çka nënkupton tkurrje të vëllimit të aktivitetit fizik të prodhimit e tregtisë. Komisioni Europian paralajmëroi se konsumi do të jetë i dobët përsa kohë që individët dhe bizneset do të jenë të pasigurt derisa politikat e qeverisë të jenë të paqarta. Euro ka rënë në nivelet më të ulëta në gati dy vjet, duke zbritur poshtë 139 lekë në fund të javës së kaluar, teksa tregtarët kanë stepur aktivitetin e tyre dhe kanë reduktuar blerjet jashtë vendit.

Importet në shtator ranë me 7.4%, duke paralajmëruar për konsum të dobët. Zyrtarisht në dy tremujorët e parë të vitit, konsumi ka rënë përkatësisht me 1.1 dhe 3.2% dhe sinjalet, nisur nga shifrat e deritanshme, janë që kjo tendencë do të vazhdojë. Banka e Shqipërisë rishikoi sërish së fundmi me ulje rritjen ekonomike në 2.5%, ndërsa BERZH i uli më tej pritshmëritë në 2.3%. Edhe rritja prej rreth 2.7% në 6 – mujorin e parë ka qenë e nxitur nga elementë rastësorë e të paqëndrueshëm, si energjia në tremujorin e parë dhe ndërtimi (nga punët publike në prag të zgjedhjeve) në tremujorin e dytë.

Eksportet kanë qenë në pikiatë për gjithë vitin dhe për 9 – mujorin tkurrja ishte gati 4%. Rënia është gjithsesi më afatgjatë dhe e lidhur dhe me faktorë të tjerë, si humbja e konkurrueshmërisë së bizneseve, apo kërkesa e dobët, gjithsesi sipërmarrësit e këtij sektori tremben se nga aksioni rrezikojnë të goditen më shumë të ndershmit. Kredia e re për ekonominë ishte minimale në shtator, me huanë në euro që ishte në nivelin më të ulët të 10 viteve dhe atë në lekë, që nuk ishte parë nivele kaq të ulëta që prej 4 vitesh. Rënia e vazhdueshme e stokut të huasë në 7 nga 9 muajt e këtij viti është një tregues i qartë i frenimit të investimeve. Të ardhurat buxhetore për 9 – mujorin ishin 7 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar me ulje në mes të vitit dhe në muajt në vijim pritet të ndryshojnë pak, pavarësisht vrullit të aksionit. Në kahun tjetër kjo nënkupton se financat do të jenë të detyruara të kryejnë më pak shpenzime për të ruajtur deficitin buxhetor të pandryshueshëm, duke hedhur më pak para në ekonomi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button