Pronat, si do të bëhet vlerësimi dhe kompensimi me ligjin e ri
Ligji i ri për pronat i jep zgjidhje këtij procesi brenda një afati 10-vjeçar dhe nuk krijon pabarazi mes subjekteve që shpronësohen. Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato sqaron për “Shekulli”-n se metodologjia e përcaktuar në nenin 6 të projektligjit i jep një vlerë ekonomike vendimit të kompensimit, garanton një fond financiar rreth 15 herë më të madh se sa ai i shpërndarë në këto 10 vjet (2005-2015), por garanton edhe shpërndarjen e fondit fizik të pronave shtetërore që AKKP-së i janë vënë në dispozicion për kompensimin e pronarëve.
Ajo shton se ligji në tërësi është në harmoni të plotë me praktikën e Gjykatës Kushtetuese për kthimin dhe kompensimin e pronës, Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut si dhe me rekomandimet dhe detyrat e lëna nga Gjykata e Strasburgut. Sa u përket afateve për plotësimin e dokumenteve, Qato pohon se ato janë në funksion të mbylljes së procesit të vlerësimit, brenda 3 viteve. Drejtoresha sqaron më tej dhe projektin për hartën dixhitale të pronave, e cila do të shmangë çdo mbivendosje, problem ky i evidentuar gjerësisht gjatë këtyre viteve. Një ditë më parë “Shekulli” përcolli shpjegimet e Qatos edhe sa i përket zgjidhjes që do të japë ky ligji i ri për 11 mijë dosjet që presin vendim si edhe faktin që nuk do të ketë fuqi prapavepruese për vendimet e dhëna tashmë.
Një ndër dispozitat më të debatuara të këtij projektligji është neni 6 ku përcaktohet metodologjia e vlerësimit. Pas kundërshtimeve të para të opozitës edhe pronarët u shprehën ashpër kundër kësaj metodologjie. A krijon realisht ky nen një pabarazi?
Është shumë e vërtetë që ky nen është kontestuar. Më lejoni të zgjerohem pak më shumë në lidhje me sqarimin e këtij neni, pasi vërtet është një nga pikat më të rëndësishme të këtij projektligji.
Në tërësinë e ligjit dhe veçanërisht në përmbajtjen e këtij neni, synohet që të krijohet një mjet efektiv për përfundimin e këtij procesi, duke realizuar kështu përfundimin e trajtimit brenda një afati 3-vjeçar të rreth 10 mijë kërkesave që janë në shqyrtim pranë AKKP-së dhe përfundimin e kompensimit të pronave brenda një afati 10-vjeçar. Duke implementuar këtë nen, arrihet një barazi më e madhe shoqërore (duke e konsideruar këtë çështje, për nga rëndësia dhe efekti që ka) si një çështje në interes publik, realizohet me efektivitet ky proces dhe brenda një afati të arsyeshëm, në zbatim të rekomandimeve dhe detyrave të lëna nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Duhet të theksoj se, nëse do zbatonim ligjin aktual, pronarët do të duheshin të prisnin mbi një mijë vjet për të përfunduar ky proces, ndërsa projektligji i ri synon përfundimin e këtij procesi brenda një afati 10-vjeçar.
Projektligji garanton realizimin e këtij procesi duke i dhënë një vlerë ekonomike vendimit të kompensimit përmes metodologjisë së përcaktuar në nenin 6 të projektligjit (në respektim të parimit kushtetues për një shpërblim të drejtë), duke garantuar një fond financiar rreth 15 herë më të madh se sa ai i shpërndarë në këto 10 vjet (2005-2015) dhe duke garantuar shpërndarjen e fondit fizik të pronave shtetërore që Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i janë vënë në dispozicion për kompensimin e pronarëve.
Ky nen, por edhe ligji në tërësi, është i bazuar dhe është në harmoni të plotë me praktikën e Gjykatës Kushtetuese për kthimin dhe kompensimin e pronës, Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut si dhe me rekomandimet dhe detyrat e lëna nga GJEDNJ-ja.
Projektligji i propozuar parashikon edhe afate detyruese dhe me raste edhe prekluzive (afate që ekzistojnë atëherë kur ligji, ushtrimin e ndonjë të drejte apo të ndonjë fuqie juridike e lidh me ndonjë afat) për trajtimin e pronës, afate të cilat në disa raste janë komentuar si të pamjaftueshme dhe në raste të tjera si shkelje e të drejtave kushtetuese. Mendoni se ka shkelje të të drejtave kushtetuese në këto afate?
Gjatë hartimit të projektligjit është parë dhe diskutuar shumë herë çështja e afateve që do të vendosë ky ligj. Ashtu sikurse ka afate detyruese për Agjencinë, normalisht ka afate detyruese edhe për subjektet që trajton ky ligj. Lidhur me afatin 6-mujor për plotësimin e dokumenteve për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit më lejoni të sqaroj se afati 6-mujor është mëse i mjaftueshëm për këtë procedurë, parë kjo edhe në aspektin që brenda një afati 3-vjeçar të mbyllet i gjithë procesi i vlerësimit. Ky afat është në favor të pronarëve pasi është një garanci më shumë për përmbylljen e procesit brenda afateve të parashikuara në projektligj. Nuk mendoj se është e arsyeshme të vendosej një afat më i gjatë dhe të krijohet kështu një tejzgjatje e procesit për të gjithë pronarët që disponojnë vendime kompensimi.
Sa i përket afatit prekluziv 60-ditor për kërkesat e reja më lejoni të sqaroj se është e pakuptimtë lënia pa afat apo zgjatja e këtij afati të një procesi që tashmë ka 22 vite që ka filluar. Sikurse përcaktohet në projektligj, ATP-ja do të përfundojë shqyrtimin e kërkesave të reja brenda një afati 3-vjeçar dhe s’ka kuptim të lihet një afat më i gjatë se ky i vendosur, ndërkohë që ky afat ka 22 vjet që është i hapur. Sa i përket pretendimit se vendosja e një afati prekluziv është në shkelje të së drejtës së kërkimit të pronës referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë apo ligjeve të tjera procedurale apo materiale (Kodi i Procedurave Civile dhe Kodi Civil), theksojnë se vendosja e këtij afati është në përputhje të plotë me Kushtetutën, Kodin Civil dhe Kodin e Procedurës Civile.
Nga ana tjetër pronarët favorizohen në projektligj përmes faktit se lehtësohen shumë procedurat zvarritëse ku ata kanë kaluar deri më sot. Projektligji parashikon se do të jetë Agjencia ajo e cila do të marrë barrën kryesore të provës për të vërtetuar pretendimet e pronarëve. Kjo rrit përgjegjësitë e Agjencisë dhe ul ndjeshëm burokracinë e krijuar deri më sot në këtë fushë. Në këtë aspekt, afatet e vendosura janë të atilla që çdo pronar është në gjendje t’i kapë dhe të përfitojë prej tyre si një mjet që do t’i çojë ata drejt realizimit të të drejtës që ata kanë garantuar përmes ligjit.
Së fundmi, këto dy vjet keni përmendur dhe premtuar shumë herë hartën dixhitale të vendimmarrjes në fushën e kthimit dhe kompensimit të pronave. Në çfarë faze gjendet tani ky projekt?
Projekti për ngritjen e sistemit Web – Gis i AKKP-së sapo ka filluar nga puna. Ky është investimi i parë serioz që ndonjë qeveri ka kryer ndonjëherë me fonde të veta në këtë sektor. Harta dixhitale që do të krijohet në finalizimin e këtij projekti si dhe shfaqja në ëeb e këtij sistemi së bashku me të drejtën e editimit dhe përdorimit nga shumë përdorues, jo vetëm do të rrisë transparencën e nisur në këtë fushë, por edhe do të nxisë bashkëveprimin online ndërmjet të gjitha institucioneve bashkërenduese me qëllim realizimin e objektivit të ndërmarrë edhe nga projektligji i depozituar në kuvend. Ky projekt do të garantojë rritjen e shërbimit ndaj qytetarëve, do të garantojë shmangien e mbivendosjeve, atë dukuri, e cila ka zvarritur gjykatave për dhjetëra vjet pronarët, sikurse garanton një shpërndarje të drejtë të fondit të kompensimit ndaj pronarëve. Ky projekt do të mbetet një aset shumë i rëndësishëm në funksion të transparencës, ligjshmërisë dhe garancisë për një zhvillim të qëndrueshëm të pronës.
Metodologjia e vlerësimit
- Për efekt të ekzekutimit, të gjitha vendimet përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës, do t’i nënshtrohen vlerësimit nga ATP-ja, si më poshtë vijon:
- a) Prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit.
- b) Prona e kthyer vlerësohet sipas zërit kadastral aktual të saj dhe sipas zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit, duke llogaritur diferencën e vlerës, që do të rezultojë nga ndryshimi i zërit kadastral.
- Vendimet përfundimtare, që kanë të njohur vetëm të drejtën e kompensimit, do të vlerësohen sipas zërit kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni.
- Në rastet kur subjektet e shpronësuara kanë përfituar me vendim kthimi dhe kompensimi, diferenca e llogaritur sipas shkronjës “b”, të pikës 1, do të zbritet nga vlerësimi i vlerës së pronës së njohur për kompensim, e llogaritur sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni.
- Vlerësimi për vendimin përfundimtar që ka njohur të drejtën e kompensimit bëhet duke marrë si referim zërin kadastral sipas origjinës së pronës, që ndodhet më afër pronës që do të kompensohet, duke u bazuar në hartën e vlerës në kohën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Pronat, miratohet nisma e qeverisë në Komisionin e Ligjeve
Komisioni i Ligjeve miratoi dje në parim projektligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit te pronave”. Vendimi i marrë vetëm me votat e shumicës u kundërshtua ashpër nga opozita parlamentare. Sipas demokratit Oerd Bylykbashi ky ligj nuk është gjë tjetër veçse një gropë e zezë për të drejtën e pronës, të atyre personave që u dhunuan në mënyrën më barbare nga regjimi jo vetëm si pronarë, si individë por u zhveshën edhe nga e drejta e tyre e pronësisë. “Ky ligj qartazi nuk ka aspak interesin për të trajtuar problemin e pronës, për të përmirësuar situatën, për të rritur efikasitetin e zbatimit të së drejtës.
Ka vetëm një hall, hallin e qeverisë për të ulur një faturë financiare sepse përndryshe ndodhte kataklizmi. Përballë një të drejte të tillë interesi publik nuk mund të qëndrojë. Është vetëm një spekulim banal që ka vetëm një arsye, që kryeministri Rama mos t’u paguajë këtyre njerëzve atë që iu detyrohet dhe të mos iu kthejë atë që iu takon”, tha Bylykbashi. Sipas tij askush nuk ka të drejtën t’i rishpronësojë pronarët për herë të dytë. Ai paralajmëroi shfuqizimin e projektligjit kur e djathta të vijë në pushtet. “Me këtë ligj nuk po bëni gjë tjetër veçse atë që ua morët mos ta ktheni kurrë. Sigurisht ky ligj nuk do t’i qëndrojë rrotacionit politik, ky ligj do të fshihet me një të rënë të lapsit nesër sepse është një masakër mbi të drejtën”, theksoi ai.
Edhe demokrati Eduard Halimi mbështeti argumentet e kolegut të tij, ndërsa solli në vëmendje se qëndrimet e demokratëve kundër metodologjisë së kompensimit janë një premtim që iu është dhënë pronarëve vite më parë. “E kemi diskutuar dhe ne këtë mënyrë por qëndrimi në atë kohë dhe sot është i njëjtë, nuk mund t’u bëjmë me hile pronarëve. PD-ja ka bërë një pakt me pronarët, ndoshta do ua thotë dhe doktori në seancë, është ulur kryeministri i kohës me shoqatat e pronarëve, pa u ulur me ekspertët për ligjin, dhe u ka kërkuar atyre të thonë se cila ishte zgjidhja. Shoqatat e pronarëve ia kanë thënë kryeministrit të kohës, doktor Berishës, ne kërkojmë kompensim të drejtë me vlerën e pronës.
Pakti që është bërë me pronarët ka qenë, ju do të merrni shpërblimin sipas vlerës që ka prona në kohën kur do të shpronësoheni. Ky qëndrim është në përputhje me vendimet e Gjykatës së Strasburgut”, u shpreh ai. Halimi vlerëson ndërkohë faktin që qeveria në këtë projektligj ka përcaktuar një faturë financiare për kompensimin e pronarëve. “Sot është një gjë për t’u përshëndetur, fakti që qeveria ka parashikuar një fond jo të vogël për kompensimin financiar. Por për sa i përket zgjidhjes përfundimtare të problemit, siç e keni titulluar dhe ligjin, ky projektligj nuk e përfundon, nuk e zgjidh, e bën më keq”, tha ai.
Por për kreun e deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ligji duhet të përshëndetur sepse i jep fund një agonie disavjeçare këtij problemi. Vasili solli në vëmendje se problemet e pronës kanë cenuar dhe mundësitë e Shqipërisë për zhvillim të mëtejshëm ekonomik. “Shqipëria është zënë për fyti për shkak të pronës dhe nuk bën dot përpara dhe fjala ‘zgjidhje përfundimtare’ është një zgjidhje që edhe në mos e gëzoftë konsensusin, konsensusi i mosdhënë, është një ‘mundësi e re’ që Shqipëria të vijojë të përjetojë agoninë e saj.
Kështu që në këtë bashkëfajtorësi të gjithë krahëve të politikës, edhe të atyre që janë përbetuar, kanë qarë e kanë rrahur gjoksin për të drejtat e pronarëve, por edhe kur kanë pasur pushtet në dorë nuk kanë dhënë asgjë gjë, atëherë fundi i kësaj tragjikomedie është që zgjidhja të jetë përfundimtare”, tha Vasili. Ndërsa socialisti Dashamir Peza duke mbështetur projektligjin e qeverisë bëri thirrje për konsensusin e opozitës.
Suela Topi
Ne ligjin e ri kemi nje problem qendror: prona e zene nuk kthehet. Qeshim kur lexojme toke e xanun, po tani qe eshte me ligj?, kush e ka xane nuk i preket. E pra, kjo eshte mangesia kryesore e ketij ligji… Ne ligj duhduket te parashihet se kush e ka zene token,arsyet dhe shperblimi i demit pwrper cdo rast, fjala vjen kur token e ka zene nje politikan dhe nuk shpjegon dot me cfare parash e ka ndertuar ndertesa i kalon shtetit qe demshperblen me cmim tregu pronarin e tokes, ose i shet atij ndertesen, minus qerane e tokes per vitet nga koha e ndertimit.