Propaganda gebelsiane e Ramës
Media thuajse është e kapur nga qeveria, e shantazhuar dhe nuk gëzon asnjë lloj lirie të vërtetë. Ajo i bindet urdhrave të qeverisë për politika programore agresive ndaj opozitës dhe propagandë sahanlëpirëse qeveritare. Ajo shpesh paguhet nga qeveria për analistët agresivë militante dhe hakmarrëse me rrënjë nga skutat më të rrezikshme të diktaturës dhe ish sigurimit të shtetit.
Arsimi dhe kultura janë sot në ditët më të zeza se sa në vitet e fundit të qeverisjes komuniste 1985-90. Ato nuk gëzojnë as liri mendimi dhe të shprehjes, pa folur për liri akademike, liri krijimi apo liri intelektuale. Sot intelektualët kontrollohen për çdo germë që shkruajnë apo çdo mendim që shprehim publikisht deri edhe në statuset në facebook nga patronazhistët si në kohën e Revolucionit kulturor kinez, praktikisht shumë më keq se sa në kohën e Ramiz Alisë. Personalitete të shquara të kulturës dhe dijes sot vuajnë një persekutim të thellë ekonomik, profesional dhe social. Ata janë sot, de facto, të privuar nga çdo mundësi të një karriere normale krijuese dhe profesionale. Ata, pothuajse jetojnë në kushte varfërie.
Ata krijojnë në kushte të errëta varfërie. Mungojnë vetëm praktikat e dikurshme të internimit.
Sistemi shëndetësor është zhvilluar sipas një modeli me moton “Jetën mund ta ruash vetëm nëse je i pasur”! Në këtë sistem, edhe pse çdo i punësuar paguan sigurim shëndetësor, prekja nga sëmundje të rënda të kushton jetën dhe rrënon mirëqenien e familjes madje për dy breza! E kam përjetuar këtë me të ndjerën gruan time që më la para 2 muajsh. Për 5 vjet me radhë vuajtje dhe zhgënjim; kam ndjerë thellë në shpirt se çfarë gënjeshtër tragjike është mjekësia shqiptare e regjimit. Ndërkohë kjo qeverisje ka dhënë gati 1 miliard koncensione në shëndetësi. Ky sistem (anti)shëndetësor është një ndër shkaqet kryesore të shpopullimit të vendit.
Bilancin mund ta vazhdojmë akoma në çdo fushë, por ajo që është e qartë është shumë e hidhur.
Kjo qeverisje duket se ka ardhur në pushtet në 2013 me qëllime dhe objektivat së paku të gabuara, deri sa po shohim që ky sekt ka instaluar një model neodiktatorial.
Është për të ardhur keq që ky sekt arriti të mashtrojë segmente vendimmarrëse ndërkombëtare dhe t’i tërheqë ata në një investim dhjetëvjeçar, i cili i ka shërbyer këtij bilanci të zi për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë gati të shpopulluar dhe me një sistem me të gjithë komponentët e një neodiktature.
Për shkak të bilancit të saj të keq kjo qeveri ka arritur të krijojë një PR( piar) që ka të gjithë elementët e propagandës gebelsiane me të cilin Hitleri gjunjëzoi dhe tërhoqi zvarrë nga një demokraci në diktaturën naziste kombin gjerman, një ndër më të kulturuarit e botës.
Thelbi i propagandës gebelsiane të Ramës është agresiviteti ekstrem dhe negativizmi ndaj kundërshtarëve politikë dhe popullit opozitar, ndërkohë që mbulohet çdo korrupsion i pushtetit dhe flitet me superlativa për arritje të qeverisë. Rasti më flagrant është PR i Reformës në drejtësi, i mbështetur fuqimisht nga ndërkombëtarët, ndërkohë që sot i gjithë sistemi i drejtësisë shqiptare është më i politizuar dhe më i kontrolluar nga pushteti se sa kurrë më parë në këto 3 dekada pas rrëzimit të diktaturës komuniste.
PR gati 10-vjeçar me deklarata gebelsiane të Ramës dhe disa përfaqësuesve ndërkombëtarë, çdo ditë dhe në çdo media, ku flitet vetëm për burgje, arrestime, hetime, gjykime gati popullore, bastisje banesash, etj krijoi një perceptim sikur kjo Shqipëria jonë është një ishull që popullohet vetëm nga kriminelë dhe hajdutë dhe është mbushur vetëm me burgje!
Ky PR nuk flet për shkolla por për burgje, nuk flet për qytetarë të ndershëm dhe njerëz të mire , por vetëm për keqbërës, nuk flet për vende pune në sektorë të zhvillimit, por vetëm për polici, për punë në burgje, punë në BKH, për patronazhistë, nuk flet për nëpunës të ndershëm,për patriot,krijues në shkencë dhe kulturë, por vetëm për bilbilfryrës në administratë; nuk flet për njerëz të dijes, por për militantë të korruptuar të suksesshëm në të gjithë nivelet e pushtetit qendror dhe vendor, etj, etj.
Më thoni ju lutem, a mund të mbushet një i ri me shpresë për të jetuar e punuar në vendin e tij duke qenë nën trysninë e këtij PR gebelsian të kësaj qeverie dhe kësaj maxhorance?
Sigurisht që jo. Përkundrazi çdo i ri është frustruar nga kjo propagandë gebelsiane dhe zgjedh të largohet sa më parë nga ky vend.
Një rast tjetër po kaq flagrant i PR gebelsian të Ramës është ai i nxitjes së emigrimit masiv të të rinjve dhe profesionistëve nën petkun e “lëvizjes së lirë të qytetarëve”. Në fakt Rama duket se ndiqte një strategji të mirëstudiuar çubrilloviçiane: krijo kushte për tua bërë sa më të vështirë deri të pamundur të rinjve, profesionistëve dhe qytetarëve të djathtë, në çdo qytet dhe fshat të vendit, për t’i dëbuar nga vendi.
Por pyetja është si e karakterizon qytetari i thjesht gjithë mbështetjen apo investimin e partnerëve ndërkombëtar ndaj qeverisjes Rama?
Fatkeqësisht, çdo qytetar e percepton atë si investim për funksionet represive të një qeverisje neodiktatoriale dhe asgjë për zhvillimin real të vendit e të demokracisë. Pra investim për shtet neodiktatorial, por jo për zhvillim, punësim, edukim, shëndetësi, shtetin social, etj.
Nuk e di a janë të vetëdijshme kancelaritë e aleatëve tanë strategjikë se po mbështetin me taksat e qytetarëve të vendeve të tyre instalimin e një neodiktature, dhe kanë braktisur jo vetëm qëllimet e larta të demokracisë, por edhe interesat e qytetarëve, rinisë, intelektualëve, profesionistëve dhe sipërmarrësve të thjesht shqiptarë.
Përkundrazi, edhe për shkak të kësaj mbështetje të ndërkombëtarëve këtyre grupeve dhe shtresave të shoqërisë jetesa iu bë gati e pamundur në Atdheun e tyre dhe ata u detyruan ta braktisin atë.