Protesta në Tiranë, 6 të arrestuar dhe 2 në kërkim, Policia: Qëlluan me sfera e vida metalike efektivët
Gjashtë persona janë arrestuar, tre janë vënë nën hetim dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, të gjithë të dyshuar për përfshirje në aktet e dhunës gjatë protestës së djeshme.
Sipas bluve të Tiranës, këta persona kundërshtuan forcat policore, si dhe hodhën në drejtim të tyre lëndë piroteknike e goditën me sende të forta, si sfera e vida metalike, bllokuan qarkullimin e automjeteve dhe i vunë flakën kazanëve të mbeturinave.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Protestat në Tiranë vijojnë prej më shumë se dy javësh. Studentë, të rinj e qytetarë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama me argument rritjen e kosove të jetesës dhe kushteve të pamjaftueshme në arsim. Vetë Rama thotë se nuk do të largohet ndërsa u ofron studentëve si zgjidhje dialogun, kërkesë që këta të fundit e kanë refuzuar kategorikisht.
Protesta është shoqëruar me akte dhune, përplasje të forta mes forcave policore dhe studentëve si dhe dëmtime të konsiderueshme të godinave qeveritare si dhe një sërë biznesesh private. Qindra persona janë shoqëruar nëpër komisariate, disa prej tyre dhe janë arrestuar me vendim gjykate.
Rama ka prezantuar dhe masat e marra nga qeveria për të gjithë protestuesit e dhunshëm. Paketa përbëhet nga gjashtë instrumente që parashikojnë dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara, përgjegjësi financiare për shkaktarët e dëmeve dhe ndryshime në ligjin për tubimet dhe Kodin Penal. Masat përfshijnë gjoba deri në 500 mijë lekë për persona që qëndrojnë në tubime ku ushtrohet dhunë, edhe pas paralajmërimeve të policisë, si dhe sanksione për mosbindjen ndaj urdhrave të saj.
Gjithashtu, parashikohet krijimi i një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike. Ndryshimet e propozuara përfshijnë edhe kufizimin e tubimeve pranë institucioneve të rëndësishme, ndëshkimin e nxitjes së dhunës në rrjetet sociale dhe masa për personat që fshehin identitetin gjatë tubimeve të dhunshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.