Protestat e dhunshme në Tiranë, Berisha kërkon dorëheqjen e Ramës: Mos e ço Shqipërinë drejt konfliktit civil
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës së sotme në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë.
Berisha i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, duke e akuzuar për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve. Ai e cilësoi protestën si një ditë të mosbindjes civile, ndwrsa akuzoi policinë për përdorimin e plumbave të gomës ndaj protestuesve
“Tirana përjetoi sot ditën e dhunës dhe terrorit më të egër shtetëror ndaj studentëve të rinj dhe qytetarëve, në revoltën e tyre kundër narkoshtetit, zjarrvënësit më të madh në histori të ëndrrave, të idealeve fisnike të të rinjve shqiptarë, të së ardhmes së tyre”, tha ai.
Berisha akuzoi kryeministrin Rama se, në vend të një zgjidhjeje politike, po e çon vendin drejt përshkallëzimit të konfliktit.
“Edi Rama kërkon gjak. Edi Rama kërkon viktima. Edi Rama i zhytur në krimet më të shëmtuara, në vend të dorëheqjes, preferon gjakderdhjen. Në vend të zgjidhjes politike, preferon konfliktin civil”, tha Berisha.
Në përfundim, Berisha përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit, duke e paralajmëruar të mos e çojë vendin drejt një konflikti civil.
“Unë i them Edi Ramës dhe një herë, jep dorëheqjen urgjentisht, mos ço Shqipërinë drejt një konflikti civil. Jep dorëheqjen, hapi rrugën zgjidhjes të denjë për një vend anëtar të NATO-s, për një vend me aspirata të forta për integrimin europian”, tha ai.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.