☀️
Tiranë 9°C · Kthjellët 17 Tetor 2026
S&P 500 7,659 ▼1.09%
DOW 52,002 ▼0.34%
NASDAQ 26,140 ▼2.14%
NAFTA 99.02 ▲2.61%
ARI 4,181 ▲0.26%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1242 EUR/GBP 0.8439 EUR/CHF 0.9265 EUR/ALL 91.3020 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4371 EUR/TRY 55.6673 EUR/JPY 177.57 EUR/CAD 1.5899 EUR/USD 1.1242 EUR/GBP 0.8439 EUR/CHF 0.9265 EUR/ALL 91.3020 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4371 EUR/TRY 55.6673 EUR/JPY 177.57 EUR/CAD 1.5899
₿ CRYPTO
BTC $81,637 ▼ -0.04% ETH $2,420 ▲ +0.2% XRP $1.3007 ▼ -0.31% SOL $104.1600 ▲ +0.34%
S&P 500 7,659 ▼1.09 % DOW 52,002 ▼0.34 % NASDAQ 26,140 ▼2.14 % NAFTA 99.02 ▲2.61 % ARI 4,181 ▲0.26 % S&P 500 7,659 ▼1.09 % DOW 52,002 ▼0.34 % NASDAQ 26,140 ▼2.14 % NAFTA 99.02 ▲2.61 % ARI 4,181 ▲0.26 %
EUR/USD 1.1242 EUR/GBP 0.8439 EUR/CHF 0.9265 EUR/ALL 91.3020 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4371 EUR/TRY 55.6673 EUR/JPY 177.57 EUR/CAD 1.5899 EUR/USD 1.1242 EUR/GBP 0.8439 EUR/CHF 0.9265 EUR/ALL 91.3020 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4371 EUR/TRY 55.6673 EUR/JPY 177.57 EUR/CAD 1.5899
17 Tet 2026
Breaking
Opinion

Sali Berisha kërkon të bëhet kryetar edhe i atyre që e duan në burg

Nga THOMA GËLLÇI

Sali Berisha ka një problem të madh. Nuk e pranon dot që në Shqipëri mund të ketë njerëz që janë kundër Edi Ramës, por nuk duan as Sali Berishën. Për të, kjo është një gjë e pamundur. Nëse nuk do Ramën, patjetër duhet të duash Berishën. Nëse nuk do asnjërin, atëherë ke një problem serioz me demokracinë, të cilin Berisha është i gatshëm të ta shpjegojë personalisht.

Prandaj, sapo qytetarët dolën të protestojnë kundër qeverisë, Berisha u paraqit për t’u marrë drejtimin. Nuk e shqetësoi fakti se protestuesit nuk e kishin thirrur. As fakti që shumë prej tyre kërkojnë që ai të përfundojë në burg. Fundja, shqiptarët nuk janë gjithmonë të qartë për atë që duan. Për fat të mirë, kanë Berishën që ua shpjegon.

Dhe Berisha ua shpjegon fare thjesht: ju doni të hiqni Ramën, unë dua të zë vendin e tij, prandaj jemi dakord.

Problemi është se protestuesit nuk kanë dalë në rrugë për t’i gjetur punë Sali Berishës. Ata protestojnë kundër një qeverie që, pas më shumë se trembëdhjetë vjetësh në pushtet, ka plot arsye për t’u larguar. Korrupsioni, arroganca, përqendrimi i pushtetit dhe trajtimi i shtetit si pronë e kryeministrit janë përgjegjësi të Edi Ramës. Asnjëra prej tyre nuk bëhet më e vogël nga fakti që Berisha dëshiron të rikthehet.

Por Berisha ka një mendim tjetër. Ai beson se sa më keq të qeverisë Rama, aq më i pafajshëm bëhet vetë. Me këtë arsyetim, pas çdo skandali të qeverisë, Berishës duhet t’i hiqet nga një përgjegjësi e së kaluarës. Nëse vazhdohet kështu, një ditë mund të dalë se në vitin 1997 nuk ka qenë fare president dhe më 21 janar 2011 ka qenë vetë në protestë.

Sepse historia e tij nuk është aq e lavdishme sa përpiqet ta tregojë.

Berisha ishte president në vitin 1997, kur Shqipëria u përfshi nga kaosi dhe mijëra njerëz humbën jetën. Ishte kryeministër kur shpërtheu Gërdeci dhe u vranë 26 njerëz. Ishte përsëri kryeministër më 21 janar 2011, kur Garda e Republikës vrau katër protestues të paarmatosur.

Atëherë, Berisha i quajti protestuesit pjesë të një grushti shteti. Sot, kur protestohet kundër Ramës, i quan mbrojtës të demokracisë dhe kërkon t’u dalë në krye.

Me sa duket, në Shqipëri ekzistojnë dy lloje protestuesish. Ata që protestojnë kundër Berishës dhe rrezikojnë shtetin, dhe ata që protestojnë kundër Ramës dhe duhet të zgjedhin Berishën kryeministër.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, që e shpalli të padëshirueshëm në vitin 2021 për përfshirje në korrupsion madhor, me siguri nuk e kishte kuptuar se kishte të bënte me një luftëtar të palodhur kundër korrupsionit.

Por më interesante është marrëdhënia e Berishës me protestën e sotme.

Qytetarët kërkojnë ndryshimin e mënyrës si qeveriset Shqipëria. Berisha kërkon ndryshimin e emrit të kryeministrit. Qytetarët duan t’u japin fund abuzimeve me pushtetin. Berisha kërkon një mundësi tjetër për ta ushtruar atë. Dhe, meqë këto kërkesa nuk janë plotësisht të njëjta, ai ka vendosur t’i bashkojë pa pyetur askënd.

Kjo është demokracia sipas Berishës. Populli është i lirë të protestojë, por udhëheqësin e protestës e zgjedh ai. Populli është i lirë të kërkojë ndryshim, por ndryshimi duhet të përfundojë te Berisha. Nëse qytetarët kërkojnë largimin edhe të tij, atëherë kanë gabuar protestën.

Ndërkohë, Edi Rama nuk mund të kërkonte një ndihmë më të mirë.

Prej vitesh, sa herë që i kërkohet llogari për qeverisjen, Rama kujton Sali Berishën. Dhe sa herë që njerëzit fillojnë të merren seriozisht me përgjegjësitë e Ramës, Berisha kujdeset t’u kujtojë se vazhdon të jetë aty, gati për t’u kthyer.

Të dy janë mësuar kaq shumë me njëri-tjetrin, sa duket se nuk e përfytyrojnë dot politikën shqiptare pa kundërshtarin e tyre të përhershëm.

Por shqiptarët nuk kanë nënshkruar ndonjë kontratë që të qeverisen vetëm prej këtyre dy njerëzve. Nuk kanë asnjë detyrim që, për të larguar Ramën, të rehabilitojnë Berishën. Aq më pak kanë detyrimin t’ia dorëzojnë protestën një politikani që ka qenë në pushtet gjatë disa prej ngjarjeve më tragjike të vendit.

Protesta është e atyre që e bëjnë, jo e atyre që duan ta shfrytëzojnë. Qytetarët mund ta kundërshtojnë Ramën pa e dashur Berishën. Mund të kërkojnë largimin e qeverisë pa kërkuar kthimin e ish-kryeministrit. Madje mund të kenë edhe një mendim krejt të papranueshëm për politikën shqiptare: që asnjëri prej të dyve nuk është i pazëvendësueshëm.

Këtë të fundit Berisha duket se e ka veçanërisht të vështirë ta kuptojë.

Ndoshta një ditë do ta pranojë se shqiptarët kanë të drejtë të protestojnë edhe pa të. Do të ishte një përparim i madh për demokracinë dhe një përvojë krejt e re për vetë Berishën.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.