🌦️
Tiranë 12°C · Rrebesh i lehtë 17 May 2026
S&P 500 7,409 ▼1.24%
DOW 49,526 ▼1.07%
NASDAQ 26,225 ▼1.54%
NAFTA 101.02 ▲4.23%
ARI 4,562 ▼2.63%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1632 EUR/GBP 0.8721 EUR/CHF 0.9147 EUR/ALL 95.5425 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4070 EUR/TRY 53.0027 EUR/JPY 184.55 EUR/CAD 1.5985 EUR/USD 1.1632 EUR/GBP 0.8721 EUR/CHF 0.9147 EUR/ALL 95.5425 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4070 EUR/TRY 53.0027 EUR/JPY 184.55 EUR/CAD 1.5985
₿ CRYPTO
BTC $77,965 ▼ -1.52% ETH $2,177 ▼ -2.34% XRP $1.4084 ▼ -1.94% SOL $86.1700 ▼ -3.39%
S&P 500 7,409 ▼1.24 % DOW 49,526 ▼1.07 % NASDAQ 26,225 ▼1.54 % NAFTA 101.02 ▲4.23 % ARI 4,562 ▼2.63 % S&P 500 7,409 ▼1.24 % DOW 49,526 ▼1.07 % NASDAQ 26,225 ▼1.54 % NAFTA 101.02 ▲4.23 % ARI 4,562 ▼2.63 %
EUR/USD 1.1632 EUR/GBP 0.8721 EUR/CHF 0.9147 EUR/ALL 95.5425 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4070 EUR/TRY 53.0027 EUR/JPY 184.55 EUR/CAD 1.5985 EUR/USD 1.1632 EUR/GBP 0.8721 EUR/CHF 0.9147 EUR/ALL 95.5425 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4070 EUR/TRY 53.0027 EUR/JPY 184.55 EUR/CAD 1.5985
17 May 2026
Breaking
Opinion

Pse Albin Kurti po e habit dhe zemëron Tiranën politike dhe mediatike?

Albin Kurti e irriton Shqipërinë politike dhe mediale. Sepse është politikan jashtë shabllonit, brenda të cilit shoqëria shqiptare nga Saranda në Shkodër vegjeton qe gati 30 vjet – e pafuqishme për të prodhuar një alternativë të vërtetë politike. Kurti është sfidë e shumëfishtë për Tiranën politike dhe mediale, pa marrë parasysh a pajtohet apo nuk pajtohet ajo me atë çfarë thotë ai. Pse? Sepse Kurti s’mund të krahasohet me Ramën, me Berishën, me Bashën, me Nanon, me Metën, me Mediun, me Balliun dhe të tjerët. Bash këtu fillon sikleti i Shqipërisë (para)politike dhe (para)mediale: çka t’i thuhet një politikani që s’mund t’ia gjesh një kipc politik në Tiranë?

Mund t’i ngjitësh etiketa, kjo është metodë e njohur e politikës dhe botës së shkresurinave shqiptare. Por sa më shumë etiketa që i ngjiten, aq më shpejt zverdhen ato. Jo pse Kurti është gjeni, siç mendojnë mitizuesit e tij. Jo pse Kurti është i pagabueshëm, siç kujtojnë duartrokitësit e tij. Etiketat nuk bëjnë punë për shkak se Kurti vjen me imazhin e një «Newcomeri» të panjollosur nga punët e pista të tranzicionit shqiptar.

Për çdonjërin politikan të Shqipërisë qytetarët e vendit kanë mendimet e veta: njërin e kujtojnë për aferat korruptive, tjetrin për tenderët e manipuluar, njërin për represion jo vetëm politik, tjetrin për dhunë verbale, njërin për presion ndaj mediave, tjetrin për blerje të mediave. Albin Kurti është në avantazh ndaj kësaj shpure, sepse s’ka mëkate të tilla, andaj shikohet me kureshtje sidomos nga të rinjtë, por jo vetëm nga ta. Madje edhe hedhja e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës – për mendimin tim një veprim aspak i mençur – shikohet jo vetëm nga të rinjtë studentorë në Shqipëri dhe nga jo pak qytetarë në Kosovë si akt i domosdoshëm revolte që vjen nga dëshpërimi.

Më shumë se për jetë të dinjitetshme, shoqëria shqiptare nga Konispoli në Kukës vuan për politikanë që nuk janë sinonim i errësirës dhe korrupcionit. Politikanët me duar të pastra janë parakusht për një shtet funksional. Andaj Kurti, ndonëse qendër të gravitetit politik e ka Kosovën, perceptohet edhe në Shqipëri si politikan që ka potencial ta shkund dhe zgjojë nga depresioni shoqërinë shqiptare. Mes perceptimit dhe efektit real natyrisht është një hendek i madh. Sidoqoftë, kur flet në Tiranë, në Prishtinë apo në diasporë, Kurti nuk është politikani që duhet të arsyetohet se me para të kujt e ndërtoi pallatin e madh. Më së shumti mund t’i tregojë publikut se si e ka shitur banesën në Prishtinë dhe ato para i ka investuar edhe në zgjerimin e aktivitetit politik të organizatës së tij, Lëvizjes Vetëvendosje. Si opozitar Kurti e ka të lehtë të ruajë e kultivojë këtë imazh.

A do të jetë i tillë edhe si pushtetar, nëse një ditë merr pushtetin në Prishtinë? Çdo parashikim do të ishte i pathemeltë. Historia e tranzicionit në Europën Lindore njeh shumë politikanë që prej bartësve të shpresës janë shndërruar në autokratë, të cilët nuk ngurrojnë të fusin veten dhe vendin në labirint. Tërësisht imun ndaj joshjeve autoritare nuk është as Kurti. Por i tillë siç është tani, pa pushtet dhe me shumë idealizëm, ai e vë në siklet establishmentin e Tiranës dhe kompleksin e atjeshëm medial. Për këtë nuk është fajtor Kurti.

Retorika e tij e bashkimit të shqiptarëve, sado jorealiste të duket, nuk përfshin ndarjen e Kosovës, «korrigjimin e lehtë», siç po thuhet. Këta që tani po i bien daulles për rrudhjen e Kosovës, gjithnjë e më shpesh po thonë se hapi i dytë është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Ky premtim i hidhet popullit si sheqerkë. Tingëllon po aq bukur sa kushtrimi se Lugina e Preshevës do të bashkohet me Kosovën. Problemi i projekteve të tilla si ky për ndryshimin e kufijve të Kosovës është se synohen të realizohen pas shpinës së qytetarëve, duke i vënë ata para aktit të kryer. Kjo mund të ndodhë edhe me Kosovën, që rrezikon t’ia humb kuptimin shtetësisë së vet, ndërsa për bashkimin me Shqipërinë mbetet të bindet bashkësia ndërkombëtare, e cila fillimisht do të duhej ta përmbyste tërë arkitekturën e shteteve në Ballkan, sepse vetëm ndonjë iluzionist mund të mendojë se pas bashkimit të Kosovës me Shqipërinë të tjerët në Ballkan do të rrinë duarkryq. Ithtarët e ndarjes thonë se nuk duhet të bëhemi ne merak për fatin e Bosnjës, le të merren të mëdhenjtë me të. Po, do të merren, andaj nuk ka pajtueshmëri të të gjitha vendeve perëndimore për t’ia dhënë Serbisë së paku një të katërtën e territorit të Kosovës.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.