Nismë për reformë zgjedhore/ Kristaq Kume dorëzon në KQZ kërkesën për mbledhjen e 20 mijë firmave në mbështetje të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor
Përmes një postimi publik, Kume shpjegon se projektligji është rezultat i një procesi të gjatë reflektimi, konsultimi dhe diskutimi me përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë dhe qytetarë të interesuar për përmirësimin e sistemit zgjedhor në vend.
Sipas tij, objektivi kryesor i paketës së propozuar është krijimi i kushteve ligjore më efektive për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, forcimin e përfaqësimit politik, rritjen e transparencës dhe garantimin e një gare më të drejtë zgjedhore.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme të propozuara është ndarja e Shqipërisë në katër rajone zgjedhore dhe kalimi në lista 100 për qind të hapura për zgjedhjet parlamentare. Projekti parashikon gjithashtu përdorimin e formulës Sainte-Laguë për shpërndarjen e mandateve, një metodë që synon të sigurojë përfaqësim më proporcional të votës së qytetarëve dhe të forcave politike në Kuvend.
Paketa propozon gjithashtu zgjerimin e mundësive për pjesëmarrjen e qytetarëve në politikë përmes krijimit të ashtuquajturave “lista qytetare kandidatësh”. Kjo do t’u mundësonte qytetarëve të konkurrojnë në zgjedhje me grupe kandidatësh edhe jashtë strukturave tradicionale partiake.
Një tjetër element i rëndësishëm i nismës është depolitizimi i administratës zgjedhore. Sipas propozimit, komisionet zgjedhore do të përbëheshin nga qytetarë të trajnuar dhe të certifikuar nga KQZ-ja, me përparësi për profesionistë të licencuar si juristë, noterë, avokatë dhe ekspertë të fushave të tjera.
Projektligji përfshin edhe propozime për numërimin e votave dhe shpalljen e rezultateve në qendrat e votimit, zgjerimin e mundësive të votimit për personat me aftësi të kufizuara, të sëmurët dhe të moshuarit përmes kutive lëvizëse të votimit, si dhe masa më të forta kundër përdorimit të burimeve publike në fushata zgjedhore.
Ndryshimet synojnë gjithashtu forcimin e luftës kundër shitblerjes së votës, presionit ndaj zgjedhësve dhe fenomenit të votimit familjar, të cilat kanë qenë ndër problematikat më të diskutuara në raportet e organizmave ndërkombëtarë për zgjedhjet në Shqipëri.
Në fushën e financimit politik, propozimi parashikon krijimin pranë KQZ-së të një strukture të posaçme dhe të pavarur për monitorimin dhe auditimin e financimit të partive politike dhe subjekteve zgjedhore, me synim rritjen e transparencës dhe kontrollit mbi fondet që përdoren gjatë proceseve elektorale.
Një risi tjetër lidhet me digjitalizimin e procesit të mbledhjes dhe verifikimit të firmave mbështetëse për partitë e reja, kandidatët e pavarur dhe listat qytetare, përmes një platforme elektronike të integruar me identitetin digjital në e-Albania.
Paketa e propozuar përfundon me kërkesën për forcimin e penaliteteve ndaj shkelësve të legjislacionit zgjedhor, duke synuar rritjen e përgjegjshmërisë dhe respektimit të rregullave gjatë proceseve elektorale.
Nëse KQZ miraton kërkesën për pajisjen me fletët tip dhe nisma arrin të mbledhë të paktën 20 mijë firma mbështetëse, projektligji mund të paraqitet për shqyrtim sipas procedurave të parashikuara për nismat ligjvënëse qytetare.
Ja postimi i plote:





Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.