Pse SHBA duhet të refuzojë vetëizolimin
Ne të gjithë duhet të bëjmë shumë më tepër për të ndërtuar marrëdhënie me partnerët tanë përtej detit, për t’i ofruar ndihmë familjeve dhe komuniteteve jashtë vendit, dhe promovuar stabilitetin në të gjithë botën. Dhe ne duhet ta bëjmë këtë jo pse është moralisht e drejtë, çka në fakt është; dhe as vetëm për shkak se është në përputhje me moralin tonë kombëtar, që gjithashtu është e vërtetë; por për shkak se këtë e kërkon vetë siguria dhe prosperiteti ynë.
Një transformim i madh është duke ndodhur në mbarë botën. Korporatat tona kryesore janë duke u bërë globale. Shëndeti, mjekësia dhe kinematografia janë duke u bërë globale. Dhe s’ka nevojë të jesh shumë i mirë në matematikë, për të kuptuar se ekonomia nuk mund të rritet, në rast se ne nuk u shesim mallra 95 përqind të konsumatorëve në botë, të cilët jetojnë në vende të tjera.
Nuk ka nevojë të jesh mjek, për të kuptuar se s’mund të jemi të shëndetshëm, nëse nuk mund të luftojmë dot sëmundje të tilla si Ebola dhe Zika që mund të kenë vërtetë origjinën jashtë shtetit, por që na sëmurin po aq sa edhe njerëzit që janë infektuar të parët shumë larg brigjeve tona. Dhe shumë prej jush ishit në shkollën fillore, kur mësuat leksionin më të vështirë nga të gjithë mbi sulmet terroriste të 11 Shtatorit.
Nuk ka mure mjaftueshëm të mëdhenj për të ndaluar njerëzit nga cilido cep i botës, dhjetëra mijëra milje larg, të cilët janë të vendosur për të vrarë veten e tyre, ndërsa synojnë t’u marrin jetën edhe të tjerëve. Jo në një përplasje qytetërimesh, por në një sulm, një sulm i ashpër ndaj vetë qytetërimit. Prandaj çdo gjë që kemi jetuar dhe mësuar, na tregon se ne kurrë nuk do të dalim dot në krye, nëse pranojmë këshilla nga një sipërmarrës zulmëmadh, që pretendon se vendi më i fuqishëm në tokë mund të mbetet i madh duke parë vetëm punët e veta, dhe u fshehur pas mureve në një kohë kur teknologjia e ka bërë këtë të pamundur dhe madje e konsideron diçka të papërgjegjshme edhe thjeshta sa për ta provuar.
E ardhmja kërkon prej nesh diçka më shumë sesa një nostalgji për disa versione rozë të një të kaluare, e cila në çdo rast nuk ekziston vërtet. Dhe gjithkush e kupton këtë në brendësi, intelektualisht. Kur isha i ri, ne kishim një mori traumash kombëtare, duke përfshirë një lufte të gjatë dhe të përgjakshme në Azinë Juglindore.
Por qe gjithashtu një kohë kur vija ndarëse mes ideologjive ishte më e thjeshtë, kur forcat kryesore që formësonin botën tonë qenë qeveritë e shteteve të njohura. Sot, ne përballemi me një botë që është shumë më e komplikuar, më pak hierarkike, ku aktorët joshtetërorë luajnë një rol qëndror; ku imazhet shqetësuese dhe gënjeshtrat e pastra mund të qarkullojnë rreth e rrotull të globit brenda një çasti; ku rreziqet si ndryshimet klimatike, terrorizmi, dhe sëmundjet e ndryshme nuk respektojnë kufijtë apo ndonjë nga normat e sjelljes; dhe ku urrejtjet fisnore dhe sektare janë po aq të mprehta sa kanë qenë ndër shekuj.
Tani, për disa njerëz, kjo është e gjitha që ata kanë nevojë për t’u kredhur nën kuvertë, mbyllur sytë, dhe uruar që bota të jetë larg. Dhe është tronditëse kur e shohim këtë qëndrim edhe tek disa që mendojnë se duhet të jenë të ngarkohet me detyrën e menaxhimit të çështjeve ndërkombëtare. Duket qartë se kuptimi i nevojës për t’u angazhuar me botën e gjerë, duhet të jetë një kërkesë themelore për ata që janë në poste të larta.
E megjithatë sërish spektri i izolacionizmit po rri pezull mbi kombin tonë. Mendova se ne kishim tashmë nxjerrë mësime nga shekulli XX-të, kur një politikë e jashtme e izolimit dhe një politikë ekonomike proteksioniste kontriboi në të dyja luftërat botërore dhe Depresionin e Madh. E pra, dëshira për t’u mbyllur në vetvete e distancuar nga bota, mund të jetë veçanërisht joshëse në një epokë të komplikuar si kjo e sotmja. Por kjo nuk është një zgjedhje e përgjegjshme për kombin më të begatë dhe të fuqishëm në planet.
Kur merrni parasysh gamën e sfidave me të cilat është duke u përballur bota, shumica e vendeve nuk qëndrojnë zgjuar gjatë natës duke u shqetësuar në lidhje me praninë e Amerikës; ata shqetësohen për atë që do të ndodhte nga mungesa jonë. Pra, ne s’mund të joshemi nga izolacionizmi. Për ne, mësimet e historisë janë të qarta. Nuk shohim asnjë justifikim për mosveprim. Përkundrazi, shohim një mandat për të udhëhequr.
Pasi sfidat më të mëdha me të cilat ndeshet bota tonë duhet të adresohen më të miri – dhe në disa raste vetëm mund të adresohen – me njerëz të mirë dhe të aftë që punojnë mbi kauzën e përbashkët me qytetarët e vendeve të tjera. Ju dëgjoni shpesh politikanët që flasin për jashtëzakonshmërinë amerikane, dhe në fakt, ky komb është i jashtëzakonshëm.
Por ju lutem mos harroni: nuk jemi të jashtëzakonshëm për shkak se themi se jemi të tillë dhe vazhdojmë ta përsërisim këtë; ne jemi të jashtëzakonshëm, sepse bëjmë gjëra të jashtëzakonshme. Me fjalë të tjera, madhështia nuk ka të bëjë me mburrjen. Por me atë që kryhet. Ka të bëjë me të moskënaqurit kurrë mbi atë që është arritur. Lidhet me testimin e kufijve të asaj që mund të arrijmë së bashku – të asaj që Amerika dhe partnerët e saj mund të arrijnë në botë.
Dhe kjo është pikërisht ajo që ne jemi duke u përpjekur të bëjmë, me Shtetet e Bashkuara që tashmë janë të angazhuara edhe më thellë në çështjet më të rëndësishme, në shumë pjesë të globit, se kurrë më parë në historinë tonë. Dhe ne jemi thellësisht të vetëdijshëm për seriozitetin e sfidave. Sikurse e thotë një fjalë e urtë haitiane, ka male përtej maleve. Një mal që ne duhet ta ngjisim, dhe i cili qëndron në rrugën e qetësisë që ne duam në jetën tonë dhe stabilitetin për të cilin kemi nevojë për të arritur shumë nga gjërat që duam të arrijmë, është problemi i ekstremizmit të dhunshëm që kërcënon komunitetet anëkend botës.
Dhe s’mund të ketë paqe pa eliminimin e këtij problemi. Bostoni nuk ka nevojë për mësime se sa e rëndësishme është të fitohet beteja kundër terroristëve. Unë dua që ju të dini, pa ekzagjerim, se ne do ta fitojmë atë luftë, dhe se ne jemi duke e fituar edhe tani. Në Siri dhe Irak, kemi degraduar udhëheqjen e grupit terrorist të njohur si ISIS, dhe së bashku me partnerët kemi çliruar një të tretën e terriroreve të pushtuara dikur, dhe po vazhdojmë të përparojmë më.
Shteti Islamik nuk ka arritur të pushtojë dhe mbajë ndonjë pjesë territori që nga maji i vitit të kaluar, por ne s’do të mund te jemi të suksesshëm në një periudhë afatgjatë në qoftë se bota vazhdon të distancohet për shkak problemeve të tjera, dhe lejuar prodhimin e terroristëve në një shkallë të tillë alarmante. Dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që ne të zgjerojmë angazhimin tone, për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm që në rrënjë.
Pra, ne të gjithë duhet të bëjmë shumë më tepër për të ndërtuar marrëdhënie me partnerët tanë përtej detit, për t’i ofruar ndihmë familjeve dhe komuniteteve jashtë vendit, dhe promovuar stabilitetin në të gjithë botën. Dhe ne duhet ta bëjmë këtë jo pse është moralisht e drejtë, çka në fakt është; dhe as vetëm për shkak se është në përputhje me moralin tonë kombëtar, që gjithashtu është e vërtetë; por për shkak se këtë e kërkon vetë siguria dhe prosperiteti ynë.
Dhe e gjitha kjo nuk është për shkak të ndonjë vendi të veçantë, ose për shkak të asaj që qeveritë arrijnë të bëjnë të vetme. Kjo është ajo që ndodh kur njerëzit kanë besim tek vlerat dhe aftësitë e tyre; kur ata respektojnë të drejtat dhe dinjitetin e njëri-tjetrit; dhe kur ata besojnë në mundësinë e progresit, pa marrë parasysh se sa shumë pengesa qëndrojnë në rrugën e tyre
Shënim: Ky është fjalimi që sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri mbajti në Northeastern University’s në Boston fundjavën e kaluar.