Te ndryshme

Psikologji: Domethënia e psikopatisë dhe njeriu psikopat

psikopatiaBesojmë se shumë prej jush kanë parë filma serialë me vrasje dhe shpesh i keni trajtuar miqtë tuaj si psikopatë për nga intrigat që ata bëjnë. Por, a e dini vërtet se çfarë domethënie ka ky term? Si mund t’i njihni simptomat e këtij devijimi të personalitetit? Ja se çfarë duhet të dini për t’u dhënë fund thashethemeve, pasi psikopatia nuk është ajo çka besohet gjerësisht…

Para së gjithash, një sqarim: psikopatia nuk është një sëmundje mendore! Në fakt, sipas ekspertëve, bëhet fjalë për një devijim të personalitetit, një shmangie nga norma. Termi ka lindur në vitet ‘30. Specialistët rekomandojnë që termi “psikopati” të zëvendësohet me përcaktimin “organizim personaliteti dhe shfaqje psikopatike” (OPEP). Psikopatia ndikon te 2-3% e popullsisë, sidomos te meshkujt nga mosha 20 deri në 30 vjeç. Për t’u theksuar është fakti se ky devijim zhduket në mënyrë të pashpjegueshme pas moshës 40-vjeçare. Për të korrigjuar një pamje disi të shtrembëruar të realitetit, psikopati nuk është një vrasës i rrezikshëm serial dhe i etur për gjak. Specialistët thonë se persona të tillë janë antisocialë, të cilët kanë vështirësi për të mbajtur marrëdhëniet me të tjerët.

Njohja e shqetësimit

Sipas “Manualit diagnostik të statistikave amerikane të çrregullimeve mendore” (DSM-IV) dhe “Klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë” (CIM), ekzistojnë shumë përcaktime të devijimeve psikopatologjike. Një raport i “Autoritetit më të lartë për kujdesin shëndetësor dhe kurimin e psikopatëve”, nxjerr në pah gjashtë pika që karakterizojnë një personalitet psikopatik:

Indiferenca e ftohtë

Këta persona nuk janë të ndjeshëm. Atyre nuk u zihen për besë ndjenjat.

Papërgjegjshmëria

Papërgjegjshmëria pretendohet shpesh dhe vazhdimisht nga ata, me një mospërfillje të rregullave dhe kufizimeve sociale.

Vështirësia për të mbajtur marrëdhënie me të tjerët

Paradoksal është fakti se këta persona e kanë të lehtë të krijojnë marrëdhënie me të tjerët, por shumë të vështirë për t’i mbajtur këto raporte.

Intoleranca prej zhgënjimeve

Këta persona nuk e durojnë dot faktin e të mos pasurit të gjërave që dëshirojnë t’i kenë, ndërsa pragu i agresivitetit është tepër i ulët në këtë drejtim: nevrikosen shumë shpejt.

Mungesa e fajit

Sapo kalon në veprim, nuk ka asnjë vend për diskutim. Madje një person i ashtuquajtur psikopat, as ndëshkimet nuk e sfidojnë.

Tendenca për të fajësuar të tjerët

Personaliteti psikopatik shpjegon në mënyrë shumë racionale vështirësitë e tij me shoqërinë që e rrethon, duke i akuzuar të tjerët të jenë fajtorë, madje në mënyrë shumë bindëse.

Hapat e veprimit

Ashtu siç parashtron mjeku Philippe Batel, një nga autorët e raportit të sipërpërmendur, “të gjithë ne mund të shfaqim një pjesë të vogël të këtyre shqetësimeve. Por ajo që e karakterizon personalitetin psikopatik është numri dhe intensiteti i tyre”. Për më tepër, këto devijime nuk janë të izoluara, por shoqërohen me një nervozizëm të fortë dhe veprime të shpeshta, kryesisht të dhunshme dhe impulsive. Këto veprime mund të jenë ndaj vetes (tentativat e vetëvrasjes, vetëgjymtimi…) dhe kundër të tjerëve. Shpesh, psikopati, për shkak të impulsivitetit të tij të lidhur me mungesën e fajit dhe të papërgjegjshmërisë, përfundon duke pasur probleme me drejtësinë. Një numër i tyre njeh edhe paraburgimin. Një nga karakteristikat e personalitetit të këtyre personave janë ndryshimet emocionale. Pra, ata kanë shpërthime të shpeshta emocionale, një personalitet shumë impulsiv në krahasim me të tjerët. Ndërkohë për sa u takon marrëdhënieve dashurore, këta persona hyjnë në marrëdhënie të forta dhe intensive, por ato nuk zgjasin shumë. Këta persona kanë ndjesi të fortë ankthi, që lidhet me një ndjesi të madhe boshllëku në jetë. Në fund, duhet marrë në konsideratë varësia që këta persona kanë kryesisht ndaj alkoolit, por edhe ndaj drogave të cilat i përdorin më mënyrë të pakontrolluar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button