Kronika

Punimet në sheshin “Skënderbej”, në qershor gati për qytetarët

Me fillimin e procesit të mbjelljes së pemëve dhe shtrimit të gurëve, punimet për Sheshin “Skënderbej” janë në fazën e fundit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi projektin dhe theksoi se ashtu sikurse është premtuar, sheshi do të hapet për publikun në qershor.

“Jam shumë entuziast sepse po hyjmë në një fazë të re të Sheshit ‘Skënderbej’, i cili do të hapet në qershor. Për të gjithë ata që kishin dyshime se sheshi do të ishte vetëm një hapësirë e madhe me pllaka, sot në fakt po provojmë të kundërtën; do të jetë ashtu siç e kërkuan qytetarët: gjysma e hapësirës, pra pjesa qendrore, me gurë, ku do të organizohen aktivitete, koncerte, panaire të ndryshme, kurse gjysma tjetër me bimësi”, shpjegoi Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se në total do të mbillen dy mijë drurë frutorë, si dhe bimësi tjetër për të gjelbëruar të gjithë zonën. “Kemi filluar mbjelljen e drurëve frutorë dhe dekorativë, gjithsej dy mijë pemë; do të mbillen edhe rreth 5 mijë shkurre me nivele të ndryshme, për t’i dhënë sheshit një peizazh me disa kate. Fillimisht kemi nisur mbjelljet në hapësirën përreth Muzeut Kombëtar, e mandej do të vijojmë përreth godinave të tjera, teksa përfundojmë parkingun nëntokësor dhe elementët e tjerë”, u shpreh ai.

Në ndryshim nga vitet e tjera, ku pemët që mbilleshin donin disa vite të rriteshin, ato tashmë mbillen të gatshme për të konturuar gjelbërimin e sheshit “Skënderbej”.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se sheshi kryesor do të ketë edhe disa hapësira të vogla për aktiviteteve të ndryshme.

Projekti parashikon krijimin e një hapësire të gjelbër në 50% të sipërfaqes së sheshit, duke hijëzuar të gjitha akset kryesore të lëvizjes pedonale; mbjelljen e pemëve të reja dhe mijëra bimë dekorative, shumëllojshmëri mjedisesh dhe hapësirash, e përbërë nga 11 lulishte të ndryshme, veshje me gurë dekorativë e natyralë nga të gjitha trevat shqiptare; si dhe ujitja dhe shatërvanët do të funksionojnë me sistem impianti ekologjik, duke filtruar dhe përdorur ujin e reshjeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button