Putinizimi i Ballkanit
Nga Fedja Pavloviç/“EU Observer”*
Që Putinizmi po kërcënon kufijtë e Evropës, kjo është një deklaratë tepër në modë. Shumë më pak popullore është pyetja që ajo ngre: ku saktësisht shtrihen kufijtë e këtij fenomeni? Në pamje të parë përgjigja duket e qartë, sepse ka disa marrëveshje universale për këtë çështje; separatistët në Donjeck dhe Luhansk e kanë bërë mjaft të qartë. Por çështja që ne ngremë ka të bëjë me keqkuptimin e shpeshtë që merr “Putinizmi”, në formën e tanishme luftarake.
Një shoqëri, ku korrupsioni i gjithë-përhapur ka reduktuar institucionet demokratike në fasada.
Një ekonomi e paralizuar nga një oligopol klientelist dhe që shmang pagimin e taksave, dhe një treg pune që përcaktohet nga nepotizmi dhe përkatësia partiake. Dhe, ndoshta më i paturpshmi, një sistem politik ku zgjedhjet janë thjesht një vënie në skenë, dhe regjimi në pushtet riafirmohet periodikisht, si pasojë e sigurisë së rezultatit fitues.
Vija e demarkacionit
Nëse ky është një portretizim i saktë i asaj që Putinizmi duket, është e qartë se “kërcënimi ndaj kufijve të Evropës” është ideologjik, po aq sa është edhe ushtarak. Pastaj, çështja e përcaktimit të vijës së demarkacionit, bëhet shumë më e vështirë kur analizojmë një rajon të trazuar, sikurse është Ballkani Perëndimor.
Sido që të jenë kufijtë e Evropës në Ballkan, pyetja ideologjike është: a do të përfshijë sfera evropiane shoqëritë, strukturat e brendshme të të cilave janë pamohueshmërisht putiniste?
Hidhini një sy Serbisë – një vend kandidat për anëtarësim në BE. Marrëdhëniet e qeverisë së Beogradit me NATO-n janë prej kohësh të tensoniuara. Në vitin 2012, korrupsioni ishte aq i shfrenuar dhe ekonomia në një gjendje kaq të tmerrshme, sa regjimi post-Millosheviçian kishte konsumuar të gjithë besueshmërinë e tij.
Një parti e madhe e ish-ultranacionalistëve, paprimtas u shndërrua në eurofile, duke marrë pushtetin. Dhe në vend të mbajtjes së premtimeve për reforma, ajo është përqendruar në kultivimin e idhujtarisë ndaj kryeministrit Aleksandar Vuçiç, forcimin e linjës partiake, duke monopolizuar skemën e punësimit të militantëve, privatizuar pronat e mëdha shtetërore përmes procedurave të dyshimta si dhe zbatimin e një çensure të paparë ndaj medias.
Ose merrni Malin e Zi – një tjetër kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian – i cili vetëkrenohet se është “lideri rajonal në integrimet euro-atlantike”. Ky vend për 25 vitet fundit, ka qenë qeverisur në vazhdimësi nga regjimi i Milo Gjukanoviçit (nga 1991 e këtej, Gjukanoviç ka shërbyer si kryeministër ose president i vendit).
Shumica e industrive u privatizuan nga kompani fantazëm, të lidhura me miqtë e Gjukanoviçit, shërbimi i inteligjencës është i lidhur me krimin e organizuar, korrupsioni institucional është endemik në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe besnikëria ndaj partisë është parësore për të gjetur punë.
Vitin e shkuar, mbi udhëheqjen e partisë në pushtet, që u përgjua teksa diskutonte mbi metodat e ndryshme për të blerë zgjedhjet, nuk ka pati asnjë lloj hetimi. Së fundmi, vëreni Maqedoninë një tjetër vend kandidat për në BE, ku korrupsioni është i përhapur. Gjashtë muajt e fundit, qeveria e kryeministrit Nikola Gruevski ka qenë në qendër të një skandali të madh përgjimesh të paligjshme.
Bisedat e zbuluara të zyrtarëve të ndryshëm të qeverisë, sugjerojnë se kryeministri dhe mjeshtri i tij i spiunimeve (që është kushëriri i tij), kishin koordinuar një skemë mbikqyrjeje, në të cilën, sipas disa vlerësimeve, përfshiheshin plot 20 mijë persona. Në kundërpërgjigje, Gruevski akuzoi opozitën se po bashkëpunon me shërbimet e huaja të inteligjencës, për të komplotuar në pabesi një grusht shteti.
Ideologji anti-evropiane
Këto regjime, me strukturat e tyre të maskuara diktatoriale, dhe kulturën e paligjshmërisë, ilustrojnë me shembuj konkretë tiparet thelbësore të Putinizmit, dhe arsyen se përse ai është një ideoogji kërcënuese anti-evropiane. Përgjithësisht kjo markë e Putinizmit bie ndesh me prioritetet e politikës së jashtme të BE-së.
Është “demokracia joliberale” me kthetrat e saj, që tërheq Balkanin drejt Putinizmit. A duhet që statuskuoja të vazhdojë, dhe partnerët e BE-së në rajon të mbeten regjime të tilla si ai i Vuçiç, Gjukanoviç apo Gruevskit? Nëse po, çfarë kuptimi kanë atëherë kufijtë e Evropës? Një pakt gjithnjë i paqëndrueshëm, një që mund të rishikohet lehtë pas një tjetër tronditje gjeopolitike. Fraza “Putinizmi tek porta” do të tingëllojë e vjetër, pasi Putinizmi do të ketë hyrë tashmë nga dera e pasme.