‘Putinizimi’ i Lindjes së Evropës – rrezik për BE?
Jo vetëm me shpërthimin e krizës në Ukrainë vihen re tendenca të kthimit në politikën autoritare. Shembull për këtë janë edhe tendencat jodemokratike në Hungari, Rumani dhe Bullgari.
Organizata e njohur “Freedom House” ka tërhequr vëmendjen për përkeqësimin e vazhdueshëm të proceseve të demokratizimit në disa vende të Bashkimit Europian. Në listën e “demokracive të konsoliduara” në BE, Hungaria është në vendin e fundit, shumë pas vendeve balltike, Polonisë, Çekisë. Pak vende më tutje, në kategorinë e “demokracive jo të konsoliduara” renditet Bullgaria dhe Rumania. Në raportin e kësaj organizate jo-fitimprurëse është kritikuar fakti që disa krerë qeverish “nën pretekstin e reformave, në mënyrë sistematike reduktojnë institucionet e kontrollit demokratik”. Që para dy dhjetëvjeçarësh Freedom House bënte fjalë për një “putinizim” të Europës Lindore.
Hungaria- nga shembull në rast shqetësues
Hungaria mbetet rasti më flagrant. Prej vitesh një vend shembull në proceset e demokratizimit dhe integrimit europian, tani vendi është kthyer në një shembull negativ të kursit antidemokratik dhe autoritar të kryeministrit Viktor Orban. Me një shumicë dy të tretat në parlament, partia nacionaliste e djathtë, FIDESZ mund të ndryshojë kushtetutën e vetme. Ajo nuk i trembet kritikave nga Brukseli se bashkëpunon me partinë antisemitiste dhe ekstremiste të djathtë, Jobbik.
Kryeministri hungarez, Orban e ka shpallur Putinin si model, një njeri që ka vendosur “drejtësi dhe rregull” në Rusi. Simptomatike për kursin autoritar të Orbanit është edhe fjalimi tradicional që ai mbajti në korrik të këtij viti gjatë akademisë së verës para pakicës hungareze në Rumani. Modeli perëndimor i demokracive liberale, tha ai, ka marrë fund. Kryeministri hungarez shpalli aty ngritjen e “shtetit jo-liberal” për Hungarinë. Si modele ai përmendi shtete si Rusia, Kina, apo Turqia.
Rumania – krenari kombëtare si armë në luftën për pushtet
Edhe kryeministri rumun, Victor Ponta bën fjalë gjithmonë se Rumania duhet të ndjekë një rrugë tjetër krahasuar me vendet perëndimore të BE-së. Ekonomia e vendit të tij duhet të orientohet drejt Lindjes, për shkak të “recesionit të vazhdueshëm në eurozonë”, shprehet Ponta.
Si kandidat për president i socialdemokratëve postkomunistë (në Rumani më 2 nëntor zhvillohen zgjedhjet presidenciale) – Ponta ka zbuluar për vete nacionalizmin fetar. Ai është krenar që të kandidojë si rumun ortodoks në këtë vend, deklaron ai në çdo dalje televizive. Diskursi nacional-fetar forcoi tonet, kur u bë e qartë se kundërshtari i tij, Klaus Johannis filloi t’i afrohej gjithnjë e më shumë në sondazhe Pontas. Johannis, një kryetar bashkie i suksesshëm në Sibiu, tani është edhe kreu i liberalëve rumunë, është anëtar i pakicës gjermane evangjeliste. Për të penguar ngjitjen e tij kundërshtarët nuk tremben jo vetëm nga deklaratat me përmbajtje armiqësore kundër të huajve, por edhe nga sharjet si nazist.
Por edhe në shkallë ndërkombëtare imazhi ruman ka pësuar krisje. Kandidatja për Komisionin Europian, Corina Cretu e ngritur në politikë nga presidenti i parë postkomunist, Ion Iliescu akuzohet të ketë qenë agjente e KGB-së.
Bullgaria – mall për vëllanë e madh në Lindje
Në këtë vështrim krahasues Bullgaria nuk zë ndonjë vend të lakmueshëm. Që në vitin 2008, një vit pas anëtarësimit në BE, sondazhet treguan një rënie të entuziazmit për BE-në dhe rritje të simpatisë për vëllanë e madh në Moskë. Edhe sot Bullgaria i rikthehet lidhjes tradicionale me Rusinë. Kështu ishte thjesht çështje kohe, që qeveria gjermane të paralajmëronte si ndodhi në maj të vitit 2014 nga një ndërhyrje direkte e Rusisë në politikën bullgare. Në qendër të kritikës qëndron gazsjellësi i planifikuar “South Stream”.
Përmes tij duhet të kalojë gaz rus – me anashkalimin e Ukrainës – drejt e në Bullgari, Serbi, Hungari deri në Austri e më tej. Komisioni Europian i kërkoi Bullgarisë në qershor të ndalojë punimet për gazsjellësin. BE duhet të kontrollojë nëse ndërtimi i gazsjellësit nga koncerni shtetëror, Gazprom shkelet e drejta europiane. Por nuk është sekret që BE do të zvogëlojë varësinë energjitike nga Rusia. Nga ana tjetër: Pa gazin rus, shumica e vendve të BE-së kanë probleme furnizimi brenda disa javësh. Bullgaria ka pranuar të vazhdojë punimet vetëm pas lejes nga BE, por ky vend i varur plotësisht nga gazi rus, e ka si prioritet kombëtar zhvillimin e një projekti të tillë.
BE – Mes besueshmërisë dhe politikës reale
Megjithatë nocioni “putinizim” mbetet i diskutueshëm. Deputeti gjerman Gunther Krichbaum, kryetar i komisionit parlamentar për Europën në Bundestag nuk e sheh atë si përcaktimin e duhur, kur vjen fjala për vendet e përmendura, Hungari, Rumani, Bullgari. Por këto zhvillime edhe i quan një “sfidë e madhe” për BE. “Kemi të bëjmë me një çështje të besueshmërisë, nëse ne vlerat e lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës vetëm i proklamojmë jashtë – si në rastin e procesit të zgjerimit, – apo i marrim seriozisht dhe i jetësojmë ato edhe brenda BE-së”, thotë deputeti kristiandemokrat në bisedë me DW.
Edhe Kai-Olaf Lang, politolog në fondacionin për Shkencën dhe Politikën në Berlin nuk beson se shenjat e erozionit të standarteve demokratike në këto tre shtete lidhen me ndikimin rus. “Do ta shihja ndryshe. Dëmtimi i pjesshëm i demokracisë liberale dhe rritja e intransparencës krijojnë shanse për ndikim të jashtëm, ndër to edhe nga Lindja apo Rusia.”
Një reagim të matur ndaj zhvillimeve jodemokratike në vendet anëtare kërkon edhe deputeti Krichbaum. Ai propozon futjen e monitorimit të rregullt të demkracisë dhe të drejtave bazë në vendet anëtare.