Pyetet në qeli kolumbiani i 250 kilogramëve kokainë: Do të transferoja miliona euro në Spanjë
Sokol Çobo
Hetimet për ekzekutimin mafioz të bankierit Artan Santo paraditen e 26 qershorit në mes të Tiranës po fokusohen në tri pista, ku ditën e djeshme janë kryer një sërë verifikimesh për tentativat për të kryer transferta parash në Spanjë, të cilat vinin nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës, kryesisht i kokainës. Grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës ka kërkuar një bashkëpunim nga Krimet e Rënda, të cilat prej disa javësh kanë në shqyrtim një dosje hetimore për kokainën e Malit të Zi, ku u kapën rreth 250 kilogramë, të cilat ishin “porositur” nga një kompani shqiptare, që pretendon se kontratat ishin bërë vetëm për bananet. Por, disa ditë pas sekuestrimit të kësaj sasie në Portin e Tivarit, në Shqipëri është arrestuar një shtetas kolumbian, me pasaportë spanjolle. Ai u ndalua në Aeroportin e Rinasit, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria, ndoshta në Spanjë. Paralelisht me hetimet në Malin e Zi, prokuroria thotë se filloi verifikimet në Shqipëri, ku Cesar Triana deklaroi se paratë do i transferonte në Spanjë, nëpërmjet një banke të nivelit të dytë. Dëshmia e tij ishte shumë e bujshme, ku hetuesit kërkuan më shumë të dhëna, por ai nuk preferoi të japë shpjegime të mëtejshme, teksa në seancat gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ishin të pranishëm edhe punonjës të ambasadës spanjolle. Mësohet se Triana kërkoi mbrojtje, për të treguar të gjithë linjën e rrjetit të trafikut të kokainës, nga Kolumbia drejt vendeve perëndimore, madje edhe mënyrën sesi do të transferoheshin paratë. Çështja u la në “harresë”, ndërsa vrasja e bankierit Artan Santo ka detyruar prokurorinë të kërkojë një tjetër dëshmi të këtij të arrestuari, duke kërkuar më shumë informacion, për mënyrën e transferimit të të ardhurave të kokainës drejt vendeve perëndimore. Kjo çështje është një nga tri pistat hetimore të Prokurorisë së Tiranës, e cila thotë se ka kryer veprimet e para, ku në pyetje janë marrë edhe disa të arrestuar të tjerë, si Kujtim Çela, vëllai i “baronit” Gëzim Çela, i cili është shpallur në kërkim. Në pyetje është marrë edhe Astrit Bushi, i kërkuar në Itali për një sërë veprash penale, ndërsa dyshohej se mund të bënte pjesë në grupin që kryente trafik kokaine nga laboratori në Fushë-Kuqe dhe Prishtinë.
Dëshmia e kolumbianit
Një grup hetimor i Prokurorisë së Tiranës dhe Krimeve të Rënda kanë shkuar në qelinë e Cesar Trianës, për ta pyetur rreth mënyrës së transfertave të parave të drogës nga Shqipëria në Spanjë, ku disa javë më parë tregoi se do të kalonte më shumë se një milion euro. Grupi hetimor thotë se deri më tani nuk kanë gjetur ndonjë lidhje të fortë mes vrasjes së bankierit Artan Santo dhe çështjes së kokainës së Malit të Zi, ku në lojë ishin miliona euro. Por, përmendja se do të kalonte paratë me këste dhe se një i njohuri i tij kishte lidhje me një drejtues banke, ka çuar hetuesit në qeli. Burimet tregohen të rezervuara për të treguar ndonjë detaj nga dëshmia e Trianës, ndërsa shpjegojnë vetëm se pasi të vinte ngarkesa, do të njoftohej një shtetas në Spanjë, që kishte njohje me drejtues bankash dhe ky i fundit, do të kalonte paratë e drogës.
Në dëshminë e dhënë para Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Triana deklaroi se “qëllimi i ardhjes në Shqipëri, ishte që të merrja një sasi parash për një ngarkesë droge, e cila do të vinte me një kontejner me fund të dyfishtë”. Ai ka thënë se personat që e nisën në Shqipëri i thanë se do të merrte këstin e parë të një sasie droge, e cila varionte nga 600 deri në 1 mln euro. “Në momentin që do të vinte ngarkesa dhe unë do të merrja paratë, do të njoftoja një person në Barcelonë, që kishte njohje me disa drejtues bankash në Shqipëri, Greqi, Hungari. Ai do të vinte në Shqipëri dhe me ndërhyrjen e bankave, do t’i transferonte paratë drejt llogarive të personave që më sollën mua në Shqipëri, prej të cilëve, unë do të merrja 200 mijë euro”, ka thënë Triana.
Ndërkohë, hetimet po përqendrohen tek emri i bankës që tentoi të transferonte këtë shumë në Spanjë apo nëse e ka kryer më parë një gjë të tillë. Akuza thotë se ende nuk ka saktësuar nëse banka e z. Santo ka qenë e përfshirë, ndërsa po hetohet nëse persona apo individë të veçantë e kanë kërcënuar më parë bankierin.
Hetimet në Shqipëri
Policia shqiptare ka hedhur dyshime të forta se 35-vjeçari kolumbian ishte një nga personat e implikuar në trafikun e kokainës. Një tjetër provë e dyshimtë është ardhja e tij në Shqipëri, disa ditë përpara se anija të mbërrinte në ujërat shqiptare. Besohet se Triana ka qëndruar në një banesë me qira në kryeqytet dhe ka ndjekur nga distanca të gjitha lëvizjet e anijes së nisur nga Ekuadori. Droga, pasi të vinte në Tiranë, dyshohet se do të transportohej drejt tregut europian, por nuk mund të thuhet nëse do të dilte jashtë në rrugë tokësore, ajrore apo detare. Prokuroria po e heton kolumbianin edhe për lidhje të mundshme me disa shtetas shqiptarë, që kanë porositur kontejnerët me banane. Mësohet se në polici janë shoqëruar disa herë për t’u marrë në pyetje administratorët e kompanisë “Rrapaj”, ndaj të cilëve do të kryhen verifikime nëse kanë lidhje me 36-vjeçarin nga Kolumbia. Prokuroria ka kërkuar dhe tabulatet telefonike të familjarëve Rrapaj, si dhe të kolumbianit për të parë nëse ka pasur komunikim mes tyre, ndërkohë që kanë nisur procedurat e verifikimit të datës së hyrjes së 36-vjeçarit në Shqipëri.