🌤️
Tiranë 29°C · Kryesisht kthjellët 03 September 2026
S&P 500 7,748 ▲1.06%
DOW 53,698 ▲1.2%
NASDAQ 26,582 ▲1.39%
NAFTA 91.61 ▲0.66%
ARI 4,538 ▲2.8%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1583 EUR/GBP 0.8589 EUR/CHF 0.9422 EUR/ALL 92.1727 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3364 EUR/TRY 55.9994 EUR/JPY 184.34 EUR/CAD 1.6067 EUR/USD 1.1583 EUR/GBP 0.8589 EUR/CHF 0.9422 EUR/ALL 92.1727 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3364 EUR/TRY 55.9994 EUR/JPY 184.34 EUR/CAD 1.6067
₿ CRYPTO
BTC $80,799 ▲ +4.55% ETH $2,489 ▲ +4.13% XRP $1.4586 ▲ +9.42% SOL $104.3300 ▲ +5.41%
S&P 500 7,748 ▲1.06 % DOW 53,698 ▲1.2 % NASDAQ 26,582 ▲1.39 % NAFTA 91.61 ▲0.66 % ARI 4,538 ▲2.8 % S&P 500 7,748 ▲1.06 % DOW 53,698 ▲1.2 % NASDAQ 26,582 ▲1.39 % NAFTA 91.61 ▲0.66 % ARI 4,538 ▲2.8 %
EUR/USD 1.1583 EUR/GBP 0.8589 EUR/CHF 0.9422 EUR/ALL 92.1727 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3364 EUR/TRY 55.9994 EUR/JPY 184.34 EUR/CAD 1.6067 EUR/USD 1.1583 EUR/GBP 0.8589 EUR/CHF 0.9422 EUR/ALL 92.1727 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3364 EUR/TRY 55.9994 EUR/JPY 184.34 EUR/CAD 1.6067
03 Sep 2026
Breaking
Opinion

Qeveria dhe protesta-dy rituale, por pak shpresë

Nga Ilir Yzeiri

Protestat në Bulevardin e Madh tani në fund janë kthyer në një ritual, pra në një përshpirtje. Pjesëmarrësit aty mblidhen çdo natë dhe, ashtu si në festat e dikurshme mitike, apo në ato të mëvonshmet socialiste apo sindikaliste, pjesëmarrësit recitojnë të njëjtin tekst, por me variacione të ndryshme.

Ritualet kanë qenë manifestime në shoqëritë antike dhe kishin për qëllim që të glorifikonin një Perëndi të caktuar, t’i blatonin asaj therore dhe të kërkonin shpëtim për pasiguritë apo fatin e keq. Më pas, këto rituale u bënë më konkrete dhe, në shoqëritë moderne, ato ishin manifestime që bashkonin grupe të mëdha njerëzish të cilët kundërshtonin në mënyrë paqësore një rend të caktuar gjërash.

Janë të njohura nga historia ato të Martin Luter Kingut apo të Gandit. Në Shqipëri u krijua një traditë e gjerë e këtyre manifestimeve që kremtonin, kryesisht, festat e betejave që kishin fituar komunistët. Në ato manifestime hidheshin parrulla edhe kundër armiqve të komunistëve apo të atyre që komunistët i kishin projektuar si armiq të Shqipërisë. Protestat që nisën në fund të majit dhe që po vazhdojnë ende, janë kthyer, po ashtu, në një ritual të ngjashëm me festat, sepse në to nuk ndodh asgjë, vetëm përsëritet i njëjti tekst.

Edhe atëherë kur një grup njerëzish tentuan të bëjnë një veprim agresiv dhe synuan të bllokojnë hyrje-daljet e kryeministrisë, veprimi i tyre ishte jo vetëm pa kuptim, por edhe i kotë sepse dilte jashtë kuadrit të ritualit festiv. Ndaj aty, në atë përplasje, kishte më shumë njerëz me celular që filmonin kolegët që shtyheshin me policinë, sesa zemërim për të bllokuar rrugët apo hyrje-daljet e godinës qeveritare.

Ndërkaq, qeveria, edhe tani në fund, përmes takimeve të njëpasnjëshme të z. Rama edhe me anëtarë të qeverisë, por edhe me drejtues politikë të PS-së, duket se është futur në të njëjtin ritual si ai i protestës. Me të drejtë z. Rama ka renditur një gamë të gjerë problemesh që ka qeverisja duke e bërë narrativën e tij të përafërt, në mos edhe më cinike sesa ajo e protestës dhe ka nxjerrë në reliev edhe më shumë probleme se ç’mund të ketë qeverisja e vendit.

Ky ritual i ngjan disa herë një përshpirtjeje për punët që kanë shkuar keq dhe pikërisht atëherë kur vjen puna se si mund të zgjidhen këto probleme, qeveria duket se nuk e kapërcen dot ritualin. Përqendrimi i madh te etika, pra te ana subjektive e qeverisjes, nuk mund të jetë zgjidhje e problemeve që janë akumuluar. Qysh kur Erion Veliaj u rrëmbye nga zyra dhe pa asnjë akuzë të besueshme, por vetëm me një letër anonime të njëfarë Nesti Angoni, qysh kur prokurori Olsi Dado dhe Altin Dumani sfiduan rendin kushtetues në vend, unë kam qenë i bindur se shteti kishte marrë goditje të rëndë dhe sot, edhe zoti Rama e pranoi që Reforma në Drejtësi ka dështuar.

Shihni çfarë ndodh me KLP-në për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Turp dhe vetëm turp. Institucionet më hijerënda të Drejtësisë KLD-ja KLP-ja apo ILD-ja sfidojnë qeverinë dhe i vendosin pagat vetë, mbi 6000 euro. Qeveria u bllokon pagat në thesar dhe, praktikisht, shteti është në krizë. Në vend është krijuar një institucion antikushtetues që është mbi Parlamentin dhe ky institucion përbëhet nga Olsat dhe Altinët e drejtësisë të cilët, bashkë me ata që i emërojnë dhe i mbrojnë, sot janë jashtë kontrollit.

Erion Bani, kryegjyqtari i GJKKO-së sfidon të madh e të vogël dhe harton një rregullore dhe vendos ai se si duhet paraqitur një seancë gjyqësore në publik nga mediat. Qytetarët që presin drejtësi, ata që kanë vite e vite me dosje të bartura, duan një përgjigje tani nga qeveria, nuk duan që ajo të qajë bashkë me ta pse gjyqtarët dhe prokurorët e Drejtësisë së Re janë kthyer në një shtet më vete dhe nuk pyesin askënd. Ana etike e pushtetarëve është e rëndësishme, por ne jemi republikë parlamentare dhe duhet të qeverisemi me ligje. U bë mbi 30 e ca vjet që ne nuk po e zgjidhim dot problemin e hapësirës së përbashkët.

Ujërat e bardha dhe ujërat e zeza të Tiranës, fjala vjen, jo vetëm që janë amortizuar, por ti nuk futesh dot në një lagje se gjithkund është një tub i çarë që përmbyt rrugët. Janë lagje të tëra të amortizuara dhe, si për ironi, Bashkia nis e shkul pllakat e rrugës në Bllok dhe do të rivitalizojë ato rrugë që jo vetëm ishin normale, por që do të shkatërrohen prapë për shkak të mjeteve të rënda që kalojnë aty dhe që punojnë në dy-tre kantiere të hapura sërish. Është kthyer në një mit shërbimi ndaj qytetarit. Po çfarë i mungon këtij shërbimi?

I mungon kontrolli mbi hapësirën dhe transparenca. Nëse qeveria ka shpallur si parim të sajin dëgjesën publike, ajo duhet të gjejë forcë dhe të dëgjojë e të thërrasë për konsultim publik edhe ato organizata mjedisore që kanë kontestuar fort ndryshimin në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe projektin e Zvërnec- Pishë- Poro. Kryeministri shpalli se për punë javësh do të paraqesë këtë projekt. Mirë do të ishte që përpara se ai ta shpallte, të konsultohej edhe me ato organizata që përmenda. Qeveria ka shpallur si sfidë të sajën të luftojë klientelizmin, familjaritetin dhe nepotizmin. Është një sfidë e rëndë. Shtete më të mëdha se ne nuk e kanë fituar dot këtë betejë.

Amerika e Trampit po tregon një model tjetër, në të cilin familjarët dhe të afërmit e presidentit promovohen dhe pasurohen edhe me paratë publike, siç shkruan shtypi. Është mirë që njihet ky problem, por mendoj se zgjidhja duhet kërkuar diku tjetër, jo aq te nepotizmi, sesa te klientelizmi ideologjik. Punësimi në Shqipëri është mirë të nxitet e të favorizohet duke lehtësuar barrën fiskale të biznesit. Fakti që sot administrata është më joshëse se biznesi në punësim është një handikap i madh.

Qeveria ndoshta duhet ta rishikojë politikën e saj të mbështetjes së artit, kulturës e dijes duke nxitur ngritjen e qendrave kërkimore e shkencore të pavarura dhe duke krijuar mundësinë që ekselentët shqiptarë që janë në Perëndim të tërhiqen këtu përmes granteve dhe të hapin laboratorë e qendra kërkimesh. Nuk është normale që në ish-kompleksin sportiv të qytetit Studenti të ndërtohet një strukturë gjigande për një shkollë të Bashkimit Europian që nuk ka pasur sukses as në Poloni.

Dhe nuk është normale po ashtu të paraqitet si festë dhe arritje e madhe festivali kinematografik i filmit shqiptar. Ne jemi i vetmi vend i Europës ish-komuniste që edhe tridhjetë e ca vjet pas rënies së komunizmit, të vetmit filma shqiptarë që shohim, janë ata të realizuar në komunizëm dhe në këta tridhjetë e ca vjet ndjekim vetëm festivalet e filmit që janë një show pa efekt.

Kështu, unë do të kisha dëshirë të mendoja se nëse qeveria nuk del realisht nga rituali i përshpirtjes dhe nëse nuk i adreson problemet me kurajo e forcë duke deklaruar publikish se si do ta shembë republikën e prokurorëve e gjyqtarëve që kanë marrë peng drejtësinë, si do ta zhvillojë e mbrojë territorin, si do ta adresojë zhvillimin e tij duke hequr dorë nga investimet e lehta në bregdet dhe duke nxitur ato investime që sjellin qëndrueshmëri dhe mbrojtje të territorit, nëse nuk tregon se si do ta administrojë atë këtej e tutje, por jo duke rritur e zvogëluar numrin e bashkive, por duke treguar qartë se çfarë plani ka për të rilindur hapësirën shqiptare, atëherë, ajo, ashtu si edhe protesta, do vazhdojnë të numërojë plagët, por nuk do të nisë t’i shërojë ato.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.