Qeveria hollandeze mbështet FED Invest për financimin e ekonomisë rurale
Sot në ambientet e ambasadës holandeze u nënshkrua marrëveshja për fillimin e projektit “Përmirësimi dhe zgjerimi i shërbimeve financiare, me qëllim zhvillimin ekonomik të Shqipërisë rurale”, projekt që do të financohet nga Ministria e Jashtme e Vendeve të Ulëta, Fondi Evropian për Evropën Juglindore, Rabo International Adviser Services dhe FED invest.
Zonja Zana Konini, Kryetare e Bordit FED invest, duke përshëndetur këtë marrëveshje, u shpreh se FED invest është sot institucioni financiar me specifika të qarta dalluese, si një partner i rëndësishëm biznesi ne zonat rurale.
“FED invest ështe institucion unik përsa i takon strukturës së kapitalit dhe pronësisë, modelit qeverisës, përgjegjësisë sociale e qasjes së kujdesshme në aktivitetin kredidhënës, specifika, të cilat kanë krijuar një platformë për dialog dhe shkëmbime me anëtarët, gjë që i mundëson Institucionit të ndjejë rrahjet e pulsit të ekonomisë rurale, për t’i reflektuar ato në mbështetje për anëtarët e tij”, tha Konini.
Sipas saj, sot pas më shumë se dy dekadash, aktiviteti jo të lehtë, axhenda e zhvillimeve institucionale nuk ka përfunduar, shkalla dhe cilësia e operacioneve te FED, është vendosur në pozita unike, midis aktorëve dhe partnerëve të tjerë në këtë fushë, per t’u gjendur së bashku në vendin, kohën dhe me partnerët e duhur për të mbështetur zhvillimin cilësor të agrokulturës.
Përmes këtij projekti të ri, vuri në dukje Drejtoresha e Bordit të FED Invest, synojmë një përshpejtim të ndjeshëm të rritjes së aktivitetit, me jo më pak se 30%-40% që në vitin e dytë, gjë që do të sjellë plotësimin e mëtejshëm të nevojave të popullsisë rurale.
Ky projekt do të implementohet nga FED invest me asistencë teknike të RIAS dhe EFSE, me synim përmirësimin strukturor të përfshirjes financiare në Shqipëri, si kontribuese e zhvillimit të ekonomisë rurale të vendit dhe rritjen e nivelit të jetesës së popullsisë rurale. Projekti pason zhvillimin e suksesshëm transformues të ish Unionit Shqiptar Kursim Kredi në FED invest, përmes bashkimit me përthithje të 70 shoqërive të kursim kreditit dhe licencimit nga Banka e Shqipërisë të shoqërisë së re më 2 mars 2016.
Aktualisht, FED invest ka një portofol depozitash prej 2,55 miliardë lekë dhe portofol kredie prej 2,83 miliardë lekë.
I shtrirë në më shumë se një të tretën e fshatrave të vendit, FED invest është një kooperativë financiare, në pronësi të bazës së tij, prej më se 37 mijë anëtarësh në mbarë vendin. Si i tillë, fokusi strategjik dhe institucional i FED invest mbi agrokulturën është unik në Shqipëri, pasi nuk synon maksimizimin e fitimit, por është i përqëndruar në ofrimin e vlerës maksimale për anëtarët e tij dhe ofrimin e shërbimeve financiare të përshatshme e të favorshme.
Objektivat e projektit pasqyrojnë aspiratat e FED invest, që mbështetur në lidhjen simbiotike të Institucionit me komunitetin rural, të bëhet aktor i rëndësishëm i agro-financës në zonat rurale, financues i një numri më të madh ndërmarrjesh të vogla dhe të mesme dhe ofrues i shërbimeve për të gjithë ata, të cilët aktualisht nuk kanë akses në shërbimet financiare.