Ekspozita

Qeveria përcakton disa rregulla të qarkullimit rrugor në Ansamblin Monument Kulture

big_nene_tereza_lajmQeveria ka përcaktuar disa rregulla të qarkullimit rrugor në Ansamblin Monument Kulture të aksit kryesor dhe qendrën historike të qytetit të Tiranës dhe të të gjitha zonave të trashëgimisë kulturore

Me vendimin nr. 682 datë 15.10.2014, Këshilli i Ministrave parashikoi disa ndryshime në Rregulloren në zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë (miratuar me vendimin KM Nr. 153, datë 07.09.2000, të  ndryshuar”).

Këto ndryshime synojnë të qartësojnë zbatimin e parashikimeve të nenit 7 të Kodit Rrugor dhe përcaktimin e rregullave për qarkullimin në zonat e trashëgimisë kulturore si zona me rëndësi kulturore.

Kodi Rrugor ndonëse në parashikimet e tij vendos si prerogativë të pushtetit lokal nxjerrjen e vendimeve me objekt rregullimin e qarkullimit dhe parkingut në zonat urbane, në nenin 7 ndër të tjera, parashikon mundësinë që në qendrat e banuara, komunat dhe bashkitë, të mund të kufizohet qarkullimi i të gjitha ose të disa kategorive të mjeteve për mbrojtjen e pasurisë artistike, të mjedisit dhe të pasurive natyrore, në përputhje me udhëzimet e shpallura nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse dhe Ministria e Kulturës.

Në zbatim të nenit 7 të Kodit Rrugor dhe në respektim të prerogativave të pushtetit vendor, udhëzimet e ministrave i dërgohen kryetarit të bashkisë apo komunës përkatëse që të nxjerrë aktin e tij përkatës për të bërë të mundur këtë rregullim ligjor.

VKM e sipërpërmendur krijon premisa që ministritë përgjegjëse për veprimtarinë e qarkullimit rrugor, ministrinë përgjegjëse për kulturën dhe pushtetin vendor të nxjerrin udhëzime; urdhra të përbashkëta mbi kufizimin; ndalimin e qarkullimit të mjeteve të disa apo çdo lloj kategorie dhe ndalim apo kufizim të parkimit në këto zonat me rëndësi për Trashëgiminë Kulturore.

Duke pasur parasysh rëndësinë e aksit monument kulture të qytetit të Tiranës, me qëllim mbrojtjen e zonave me rëndësi të Trashëgimisë Kulturore të kryeqytetit dhe nisur nga kërkesat e shumta të shoqërisë civile për të kthyer zonat pedonale të qytetit të Tiranës, sidomos pas çlirimit dhe restaurimit të hapësirave të Sheshit Nënë Tereza, sipas pikës 2 të VKM 682/2014 dhe urdhrit të përbashkët datë 18.10.2014 të Ministrit të Punëve të Brendshme; të Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, të Ministrit të Kulturës, prej datës 18.10.2014:

Ndalohet dhe kufizohet qarkullimi i automjeteve të të gjitha kategorive, si dhe parkimi i automjeteve në zonat e sheshit “Nënë Tereza” dhe Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pjesë e Ansamblit Monument Kulture të aksit kryesor dhe Qendrës Historike të Qytetit të Tiranës, sipas përcaktimeve të mëposhtme:

a) Ndalohet qarkullimi i të gjitha kategorive të mjeteve të transportit në sheshin “Nënë Tereza” nga ora 19:00 deri në orën 24:00;

b) Qarkullimi i mjeteve do të kryhet si më poshtë:

– Qarkullimi i mjeteve nga rruga “Loro Boriçi” në drejtim të Hotel “Sheraton” do të devijohet me sens lëvizje nga rruga “Lek Dukagjini” në drejtim të Sheshit “Italia”.

– Qarkullimi i mjeteve nga sheshi “Frederik Shopen” do të devijohet me sens lëvizje në rrugën “Ibrahim Rugova”.

– Qarkullimi i mjeteve nga rruga “Abdyl Frashëri” me drejtim lëvizje drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në kryqëzimin me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”  do të jetë detyrimisht majtas me drejtim urën e madhe të Lanës.

Ndalohet pushimi dhe qëndrimi i të gjitha kategorive të mjeteve të transportit rrugor në sheshin “Nënë Tereza”, me përjashtim të mjeteve të transportit publik të linjave urbane (autobus).

Ndalohet pushimi dhe qëndrimi i të gjitha kategorive të mjeteve të transportit rrugor duke filluar nga sheshi “Nënë Tereza” përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri te ura e madhe e Lanës në kryqëzimin me Bulevardin “Bajram Curri”, me përjashtim të mjeteve të transportit publik të linjave urbane (autobus).

Bashkia e Tiranës pajis me sinjalistikë rrugore të nevojshme, sipas përcaktimeve të pikës 1 të këtij urdhri dhe bën ndërhyrjet e nevojshme në sistemin semaforik për të përshtatur sinjalistikën ekzistuese sipas ndryshimeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button