Qeverisja e drejtësisë, mblidhet komisioni; PD, vërejtje për 11 nene
Projektligji për organet e qeverisjes së drejtësisë është ndër më voluminozët e reformës në drjetësi, me 198 nene, por sipas Partisë Demokratike ai është ligji me më shumë shkelje kushtetuese sesa çdo draft që është hartuar deri tani.
Në opinionin e paraqitur në mesditë në komisionin e reformës në drejtësi, opozita renditi 11 nene ku sipas saj, Kushtetuta shkelet në mënyrë flagrante.
Por jo vetëm kaq. Partia Demokratike ka shkuar në komision me qëndrimin se ky ligj vendos në provë seriozitetin e mazhorancës jo vetëm për të zbatuar Kushtetutën, por edhe për t’i qëndruar marrëveshjeve politike.
Në këtë rast bëhet fjalë për marrëveshjen e 21 korrikut, e cila vendosi në Kushtetutë parimin e zgjedhjes së 10 anëtarëve që zgjidhen nga Kuvendi për në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë.
Opozita vlerëson se me ligjin e paraqitur ka një deformim flagrant të Kushtetutës, pasi Kuvendit i hiqet ekskluziviteti i emërimit.
Sipas Partisë Demokratike, projektligji eliminon kriterin kushtetues të konkurimit të hapur të një profesioni të caktuar, duke risjellë amendamentin e dikurshëm, sipas të cilit Dhoma Kombëtare e Avokatisë apo një mbledhje pedagogësh kanë të drejtën e propozimit të kandidaturave.
Për Partinë Demokratike, kjo është e papranueshme. Me këtë fjali opozita përshkruan edhe heqjen e së drjetës së presidentit për të organizuar shortin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe të paktën 4 çështje të tjera që lidhen me të 4 insitucionet e reja të drjetësisë, objekt i ligjit në diksutim.