QKR përcakton 5 kategori biznesi që mund të regjistrohen vetëm online
Qendra Kombëtare e regjistrimit (QKR) do të kalojë një pjesë të shërbimeve të saj të regjistrimit tërësisht online. Burimet zyrtare të QKR-së bën me dije se, ky shërbim do të mundësohet nëpërmjet portalit qeveritar e-albania në adresën www.e-albania.al Këto shërbime që do të ofrohen vetëm nëpërmjet sportelit elektronik, do jenë të vlefshme vetëm për subjektet persona fizikë dhe juridikë me pronësi 100% shqiptare. Shërbimet që do të ofrohen janë;
Regjistrimi fillestar.
– Regjistrimi fillestar shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (sh.p.k.);
– Regjistrimi fillestar shoqëri aksionere (sh.a.);
– Regjistrimi fillestar shoqëri Komandite;
– Regjistrimi fillestar shoqëri Kolektive;
– Regjistrimi fillestar shoqëri të Thjeshta.
Regjistrime të tjera të detyrueshme.
Regjistrime të tjera të detyrueshme, sipas nenit 43, pikat 2 dhe 3/b/d/dh/e, te Ligjit Nr.9723/2007 “Per QKR”i ndryshuar, për personat juridikë të përmendur më sipër. Regjistrime vullnetare. Regjistrime vullnetare sipas Nenit 44 te Ligjit Nr.9723/2007 “Per QKR” i ndryshuar, për personat Juridikë të përmendur më sipër.
Regjistrimi i pasqyrave financiare/raporteve të auditit dhe verprimtarisë.
Depozitimi i pasqyrave financiare vjetore, raportit të ecurisë së veprimtarisë dhe raportit të auditimit, të mbajtur sipas kërkesave ligjore, në rastet kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme. Për të kryer aplikimin online, duhet të pajiseni me nënshkrimin elektronik pranë operatorit “ALEAT”, i cili është i autorizuar për lëshimin e nënshkrimit elektronik vetëm për individët. Pajisjet e nevojshme për përdorimin e nënshkrimit elektronik janë: Kompjuter, Kartë identiteti (Shqiptare); lexues karte i thjeshtë ose lexues Karte PIN i Sigurtë. Por pushimi i përkohshëm i aktivitetit, aktivizimi i aktivitetit dhe çregjistrimi, do të vazhdojnë të kryhen në sportelet e shërbimit të QKR.