Opinion

Qytetarët për parkun, zyrtarët për barkun

ELJAN TANINI

Eljan TaniniPranvera nisi koncertin, e pabukura e qytetit rritet. Anës anëve në rrugët e “metropolit pa qytet” shpresën e kanë ndërtuar prej betoni që kur krijuan agjencinë e funeralit Tirana Rocks. Edhe për pak kohë, kur edhe “sikur” të mos përdoret më, dëshira për të jetuar më mirë në këtë vend po fillon të bëhet veprimi që vuan edhe jetën personale prej kohës që jepet jo vetëm jashtë shtëpisë. Tradhtarët e besimit publik, ata që po shkulin sot nëpër Tiranë institucionin tonë të Qytetarëve për Parkun, janë futur në një qerthull të zakonshëm: pas ndërtimeve nën Digën e Liqenit Artificial do të na pjellin pallate edhe nga qielli. Nuk duan të na lënë të shohim as dallëndyshet që presin ajrin prej Tirane. Stinën e ftohtë të betonizimit nën interesa që lajnë dhe shpëlajnë erën me ngjyrat e parave, e ngrohin vetëm zogjtë që kanë bërë çerdhe në pemët me pak ditë të thata. Më është bërë shprehje kohët e fundit kur njerëzit pyesin: Si je? Mirë u them, pastër. Si pastër?! I pakorruptuar e kam fjalën. Kush ju paguan dhe pse dilni? Unë u flas nja dy fjali nga ato tonat: Kursimet, vetëm kursimet tona, por edhe fjalët e atyre që e mbështesin tashmë me sloganin 0 Park 0 Vota. Pas 10 vjetësh, mbase edhe më shpejt se viti 2019, Tirana do të jetë qyteti më pak i jetueshëm në Europë. Mbase këtë herë duhen besuar seriozisht ata që nuk duan të jetojnë në këtë qytet, por edhe ata që kanë vite në ikjen jashtë qytetit. Të paktën, qoftë kështu deri në fund, uroj të mos ndërtojnë edhe në Spille vila prej betoni, vila prej bunkeri! As atje pas stadiumit “Qemal Stafa”, ku është sot hyrja tjetër e Liqenit. Ka disa që jeta u shkëlqen më shumë në shtëpinë e tyre dhe brenda xhamave të makinave ku lëvizin. Mbase e kanë Liqenin e Tiranës brenda shtëpive të tyre. Por ka edhe nga ata që as një puthje nuk të lënë ta mbash mend në atë Liqen tashmë të vrarë. Të shporrin kujtimet, e madje po na flakin edhe ne me ikjen nga ky vend. Unë nuk do të votoj askënd në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, nëse nuk del një kandidat që të marrë përsipër mbylljen e punimeve pas Digës, ku janë vetëm fillimi për pushtime pallatesh brenda Parkut të Madh. Ne kot i themi dhe e quajmë ashtu, se ajo e shkreta nuk është as digë, por dam. Edhe një pjesë të jetës nuk e mban mend se ku e ke dhënë në këtë qytet pa Liqen që po e gatuajnë nga zyrat e Bashkisë së Lulit pa asnjë lulishte, dhe të Kryeministrit që nuk i dihet se mbase edhe në Surrel mund të pjellë pallate. I kisha bërë vetes një premtim: Kurrë nuk do të shkruaja për këta njerëz! Një harresë e vogël: Mbase nuk më kanë paguar ende me asgjë e prandaj po shkruaj! E kanë përdhunuar Tiranën dhe po e bëjnë sërish, madje këtë herë as nuk do jetë më. Sot po e flakin atë me heshtje, sepse të gjithë janë mëkatarë. Edhe heshtja është krim, të mos reagosh është krim, të kesh në Tiranë vetëm ca pemë anës trotuarit është justifikim kundër ndotjes me gjoja ndërtimin e lulishteve prej betoni. Duhet ta shpëtojmë atë Liqen, ndryshe në Tiranë nuk do të ketë më as ecje. Frustrimet e politikanëve tanë ndaj betonit dhe hapësirave publike janë nga ato të tipit: Hapni Shtëpitë Publike se plasën meshkujt! Basha ka një fytyrë super të pastër, ndërsa rrugët e Tiranës janë super pis dhe me gropa. Tulla dhe fytyra e Ramës herë vritet e herë rripet nga pjellja e betonit prej syve që kanë ngushtuar dhe vazhdojnë e bëjnë me çdo hapësirë prej Tirane. Kryetar Bashkie edhe për pak ditë, si nuk e bëre një punë të hajrit në qytet për këto katër vjet?! Kur të kam takuar nja dy herë në zyrën tënde, çdo kërkesë merrte fund, bëhej në vend. Më pas: Burokratët apo zortarët e tu, nuk hapnin as telefonin. Pasi ishim poshtë Bashkisë pa kryetar, te Gjykata Administrative kundër atyre që janë të famshëm për vendimet e tyre. Kryeministër, ne do të jemi poshtë zyrës tënde të shtunën, në orën 12:00. Peleshi na priti me gërshërë në takim, të gjitha justifikimet vajtën si mbiemri i tij. Ti flet për çdo gjë, madje je kaq i gjatë sa duket që flet direkt me zotat. Ti që fjalos mbi gjithçka, nuk e ke fuqinë të na thuash pa heshtje se përse nuk i ndalon ato punime pas Digës së Liqenit? Dil e na tako sot në mesditë para zyrës sate. Unë do të votoj në zgjedhjet e Bashkisë së Tiranës atë kandidat që më premton rregulla për liqenin dhe ndalimin e punimeve poshtë Digës. Amullia juaj bluan mendjet, sepse për Liqenin Artificial të Tiranës nuk i vjen më keq askujt. Liqeni nuk ka vlera? Kohën dhe të shkuarën tonë e kanë prishur ata që as nuk duan të na dëgjojnë, ata që kurrë nuk kanë dashur as kohën ku kanë jetuar dhe jetojnë. Sa keq më vjen për disa njerëz që janë pjesë qeverie apo edhe bashkie dhe nuk mund të dalin e të flasin në rrugë për këtë gjë! Ka zhurma njerëzish që jetojnë kaq mirë në këtë vend sa askush nuk e vë më asnjë ujë në zjarr mbi atë që jetojmë e shohim. Do të emocionohen kaq shumë pronarët dhe ndërtuesit, sa do të fillojnë të shuajnë edhe vilat e fundit që kanë mbetur në qytet. Në fund të ditës dhe në fillim të javës, jashtë gjërave personale, nuk mbetet më asgjë e bukur në këtë vend, përveç barit të preferuar dhe njerëzve të dashur që takohen atje. Mbase po të mos shkelësh prej vitesh në një vend që nuk të shkojnë këmbët, nuk do as ta shohësh, por ta shkatërrosh atë. Burrat vlejnë sa fjalët, ndërsa burrat tanë që na qeverisin si të majtë e të djathtë, por edhe nga ata të mesit, përbëjnë zortarët, ose më saktë krimbat që ushqehen me besimin tonë. Për ty që e lexon këtë shkrim, eja sot në orën 12:00 para Kryeministrisë. Qytetarët për Parkun, zortarët për Barkun!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button