Qyteti që Ernest Heminguej i dha famë botërore
Kur Ernest Heminguej provoi për herë të parë vrapimin me dema, ai ra në dashuri me këtë festival të përvitshëm, për të cilin shkroi në librin e tij “Dhe dielli lind përsëri”, duke i dhënë famë botërore traditës që vazhdon ende sot e kësaj dite
Vrapimi me dema
Al Goodman, CNN
Për nga largësia, vrapimi me demat në Pamplona është i shkurtër: vetëm 850 metra. Por me gjashtë dema që peshojnë gjysmë ton dhe me brinjët e tyre që afrohen shpejt, vrapimi mund duket si përjetësi. Një përjetësi tërheqëse, guximtare dhe ndonjëherë edhe tragjike.
Tradita e demave vrapues në këtë qytet verior të Spanjës daton 400 vite më parë dhe u bë e njohur botërisht nga shkrimtari Ernest Heminguej kur e bëri pjesë të romanit të viteve ‘20 “Dhe dielli lind përsëri”, i publikuar edhe nën titullin “Festivali”.
Sot, Festivali i Përvitshëm i Shën Ferminit është shumë i njohur në popullatën prej 200 mijë banorësh të Pamplonas, e cila trefishohet nga vizitorët gjatë ditëve të vrapimit. Festivali mbahet nga data 7 deri më 14 korrik. Turistët, shumë prej tyre të rinj, mblidhen për të parë nga barrikadat apo ballkonet. Shumë prej tyre, madje provojnë fatin me demat.
Disa vite më parë, unë isha një prej tyre. Vrapova për të vetmen herë me demat dhe si shumica e atyre që ishin aty, nuk vrapova shumë larg.
Demat janë më të shpejtë dhe vrapuesit, tani më shumë se njëqind mijë njerëz, madje edhe më tepër gjatë fundjavave.
I mbetur në kurth
E fillova pranë demave, në majë të Cuesta de Santo Domingo, kodrës nga ku merrej tatëpjeta për në vathën e demave dhe më pas zbriste në qendër të qytetit.
Barrikadat prej druri në të djathtën time ishin aq të populluara me vrapues të tjerë, saqë nuk mund as t’i afrohesha pikës së sigurisë. Për fat të mirë, demat vazhduan të ecnin drejt dhe nuk u kthyen në të djathtë, ku ndodhesha unë.
Të tjerë vazhduan edhe më gjatë atë ditë, së bashku me ta edhe miku im spanjoll Chema. Ndoshta sepse ai është nga një fshat fermerësh dhe di më shumë rreth demave. Por për ata që nuk dinë mjaftueshëm, ka ndihmë.
Disa ditë më parë, një grup vrapuesish veteranë amerikanë, britanikë dhe spanjollë publikuan një libër elektronik: “Festivali: Si t’u mbijetosh demave të Pamplonas”. Kishin dhënë ndihmën e tyre Xhon Heminguej, nipi i shkrimtarit, Xhim Hollander, një fotograf izraelit që punonte për agjencinë europiane të fotografisë, i cili kishte fotografuar vrapimin për vite; dhe Aleksandër Fiske-Harrison, një britanik që kishte luftuar me demat.
Këshilla e tyre e përbashkët ishte që nëse rrëzoheshe teksa vrapoje, duhej të qëndroje shtrirë dhe të mos lëvizje, në këtë mënyrë demat do të kapërcenin.
Nuk e dija këtë rregull kur vrapova.
Me shumë gjasa, edhe të tjerë që ishin vrarë më parë nuk e kishin ditur si rregull. Instinkti për t’u ngritur dhe për t’u larguar nga rruga mund të vijë në një çast të keq, pikërisht kur ke pranë brirët e demave.
Kanë ndodhur 15 vdekje që kur filloi në vitin 1924, më e fundit në vitin 2009 kur një 27-vjeçar spanjoll u ça me brirë në qafë. Mijëra të tjerë janë lënduar, shpesh prej rrëzimeve apo shtyrjeve prej vrapuesve fanatikë.
Në tri ditët e para të vrapimit të këtij viti, 13 persona u dërguan në spital, tre prej plagëve nga brirët dhe pjesa tjetër për dëmtime të marra nga rrëzimet.
Nga këta, tre ishin jo spanjollë, përfshirë një 32-vjeçar nga Çikago, i cili u ça nga brirët e një demi në kofshën e djathtë, një 23-vjeçar japonez dhe një 23-vjeçar tjetër nga Britania.
Ambulancat dhe stafi mjekësor tani rreshtohen përgjatë trajektores së vrapimit dhe të dëmtuarit e kanë më të thjeshtë të marrin ndihmën e parë dhe pse jo të operohen nga plagët e brirëve të demave.
Kundërshtimi
Policia përpiqet ta bëjë vrapimin më të sigurt, duke pakësuar numrin e personave në rrugën ku do të kryhet vrapimi. Ajo gjithashtu ndalon pjesëmarrjen e atyre që janë të dehur apo që mbajnë me vete objekte apo kamera.
Megjithatë disave nuk u pëlqen ky spektakël.
Këtë vit, grupet që mbrojnë të drejtat e kafshëve planifikuan përsëri demonstrata duke dënuar vrapimin me dema dhe ndeshjen me dema ku kafshët vriteshin.
Fushata ishte e suksesshme në Barcelonë, ku Parlamenti rajonal katalan votoi në vitin 2010 për ndalimin e ndeshjeve me dema në atë rajon, por kundërshtimi i tyre nuk ka ndikuar në eventin e Pamplonas.
Festivali është një burim i pakonkurrueshëm të ardhurash për qytetin, një javë turistike që prodhon miliona dollarë dhe vrapimi i demave është vetëm një pjesë e vogël e tij.
Në qendër të qytetit të Pamplonas bëhen qindra koncerte, parada, kremtime fetare dhe aktivitete për fëmijë, ku marrin pjesë afërsisht 1.5 milionë njerëz. Tetë ditët kur vrapojnë 17,813 persona kanë pjesëmarrës të vazhdueshëm.
Që prej vrapit tim të shkurtër, jam rikthyer disa herë si korrespondent për ngjarjen e madhe të Pamplonas.
Dhe një nga pyetjet e mia ka marrë një përgjigje intriguese: disa nga pjesëmarrësit ndërkombëtarë thonë se nuk kanë lexuar asgjë nga Heminguej.
As edhe një libër të vetëm, aq më tepër romanin e Heminguej që i solli famën këtij qyteti. E përsërisin këtë vazhdimisht përgjatë viteve nën hijen e statujës së Heminguej, të cilën qyteti e ka vënë me krenari pranë vendit ku mbahet vrapimi.
Për disa, detajet e shkrimit të tij emocional kanë humbur. Por vizitorët dinë diçka me siguri: Pamplona, është një vend që duhet parë ky festival dhe vrapimi i rrezikshëm me demat.
Historia: Si lindi vrapimi me demat?
Vrapimi me demat është një praktikë që përfshin vrapimin përpara një grupi të vogël demash të cilët lihen të lirë në një rrugë të caktuar të qytetit. Më i njohuri prej tyre është festivali 8-ditor i Sanferminos që mbahet për nder të Shën Ferminit në Pamplona. Festivale të ngjashme mbahen në Spanjë, Portugali, Meksikë, Peru, Nevada dhe Francë.
Origjina e praktikës ka ardhur prej nevojës së transportimit të demave nga vathët ku kalonin natën në arenën e demave ku do të vriteshin gjatë natës. Të rinjtë i dilnin përpara për të treguar guximin e tyre. Në Pamplona dhe në vende të tjera, gjashtë demat që vrapojnë, janë ata që do të zhvillojnë ndeshjen me dema në pasditen e së njëjtës ditë.
Tradita spanjolle tregon se origjina e vërtetë e vrapimit filloi në verilindje të Spanjës gjatë shekullit 14. Teksa demat transportoheshin për t’u shitur në treg, burrat përpiqeshin ta përshpejtonin procesin, duke i nxitur me taktika të frikës dhe ekzaltimit.
Pas vite praktikë, transportimi dhe nxitja u bënë një garë, teksa të rinjtë vraponin përpara demave dhe arrinin në vathët e tyre shëndoshë e mirë më shpejt se ata. Kur popullariteti i kësaj praktike u rrit dhe u përhap në qytete të shumta të Spanjës, tradita u krijua dhe vazhdon ende sot e kësaj dite.
Përpara se të nisë vrapimi, një numër i madh barrikadash druri vendosen përgjatë rrugës për të shënjuar drejtimin dhe për të mbrojtur pjesëmarrësit.
Vrapimi me dema i Pamplonas
Vrapimi me dema i Pamplonas, praktika më e njohur në Spanjë, është transmetuar live nga televizioni publik spanjoll për mbi 30 vjet. Eventi zgjat tetë ditë nga data 6 deri më 14 korrik të çdo viti. Vrapimi i parë i demave fillon më datë 7, në orën 8:00 të mëngjesit. Mes rregullave të vendosura për pjesëmarrje, duhet që pjesëmarrësit të kenë mbushur 18 vjeç, të vrapojnë në të njëjtin drejtim me demat dhe të mos i ngacmojnë ata. Po ashtu, nuk duhet të jenë të dehur.
Në fillim këndohet tri herë një himn në gjuhën spanjolle dhe baske. Ai konsiston në: “I kërkojmë Shën Ferminit, si padron i yni, të na udhëheqë në vrapimin me dema dhe të na japë bekimin e tij”. Vargu përmbyllës është “Rroftë Shën Fermini!”. Shumica e vrapuesve vishen me veshjen tradicionale të festivalit që është një këmishë dhe një palë pantallona të bardha dhe një shall i kuq i lidhur në qafë e brez. Disa prej tyre mbajnë një gazetë për të larguar vëmendjen e demave nëse është e nevojshme.