Rama: Berisha e Meta prej kohësh duhet të përgjigjen para ligjit
Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpreh sot ne Erseke, se “në zgjedhjet e 14 majit kemi përballë njerëz që duhet të shkojnë të përgjigjen para ligjit prej vitesh dhe ende sot janë të pandëshkueshëm”.
“Nuk ka nevojë t’ju flas për hienat që vijnë vërdallë, pasi nuk kanë asnjë shans të kenë hapësira këtu, por ata nuk meritojnë asnjë shans askund. Kolonja është një pasqyrë kuptimplotë që ata që kanë akoma iluzione apo dyshime apo ngurrojnë të bashkohen me ne të shikojnë si ndryshon jeta e një komuniteti edhe atëherë kur duket i dënuar nga gjeografia”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ajo që është bërë deri tani në Kolonjë është baza e një zhvillimi ekonomik e social bazuar te agroturizmi dhe turizmi i natyrave të ndryshme.
“Unë jam besimplotë se kemi shumë për të bërë, por e dimë ekzaktësisht çfarë dhe si ta bëjmë. Ata të tjerët as nuk dinë, as nuk duan, as nuk kanë ndërmend ta vrasin mendjen për këtë punë. Janë lëshuar në Shqipëri me ca personazhe për të ardhur keq, për të kapur ku të munden ndonjë peng e për t’i marrë peng bashkitë. Pastaj për të marrë fondet e taksave të qytetarëve, se nga qeveria ata nuk dinë të realizojnë e ndjekin projekte, për të paguar autobusë dhe për të bërë luftë e sherr me qeverinë”, tha Rama.
Rama ftoi demokratët që në 14 maj të votojnë për njeriun e punës dhe jo për bindje politike.
“Sa më shumë vijnë pas meje me dy gishta, aq më shumë ikin në drejtim të paditur se harrojnë rrugën e nuk dinë ku të kthehen. Por kjo është një kosto që komunitetet nuk kanë pse e paguajnë. Një familje demokrate në 14 maj do të vendosë kë do marrë në punë për 4 vitet e ardhshme. Ndaj është e rëndësishme që prindërit ta shohin votën e tyre si votë të prindërve, jo si votë jam i majtë apo i djathë. Kjo për të vendosur kush është kryetari i bashkisë dhe cila është forca që duhet të merret në punë në bashki”, shtoi Rama.
Rama theksoi se duhet mbrojtur edhe Shqipëria në këtë proces, sepse është në pikën e vet më të lartë ndërkombëtarisht.
“T’i japësh votën nongratave do të thotë t’i thuash botës ‘shiko se ne nuk pyesim fare çfarë doni’. BE nuk e ka atë praktikë, por nuk ka derë të hapur për nongratat. Ata asgjëkundi nuk i llogarit njeri, aq më tepër për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë, gjëra shumë të rënda”, tha Rama.
Sipas tij, “ata janë njerëz që duhet të shkojnë të përgjigjen para ligjit prej vitesh dhe ende sot janë të pandëshkueshëm, ndërsa duan të krijojnë idenë se kush na prek ne prek popullin”.
“Non grata bashkë me ‘Like floririn’ që nuk lamë 2 gurë bashkë që ta bëjmë të futet në rrugën e duhur por nuk ktheu mbrapsht. Puna e tij, të jetë mirë me shëndet por të lërë rehat Shqipërinë në rrugën e vet. Kjo votë ka shumë rëndësi dhe janë të gjitha arsyet edhe për vetë PD-në e palavdishme. Ka shumë rëndësi që të rivijë në vete. Një parti ku zihen kush është i vërtetë. Ata nuk kanë ndryshim nga njëri-tjetri, janë të çakërdisur komplet”, tha Rama.
Por, theksoi Kryeministri, “Shqipëria është tani në një kthesë shumë të madhe historike për ekonominë e vendit, ndaj dhe nuk mund të luajmë”.