Rama: Bujqësia, sektori që do rigjenerojë rritje të ekonomisë
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm sot në konferencën “Bujqësia e rritjes dhe zhvillimit, sfida dhe potenciale”, u shpreh se, bujqësia shqiptare mund të kthehet në një burim mirëqenieje dhe potencial i fuqishëm për të nxitur punësimin, eksportin e prodhimin, me pak mbështetje dhe shumë liri për veprim dhe angazhim të drejtëpërdrejtë nga ana e vetë fermerëve.
Gjatë fjalës së tij në kete konferencë, Kryeministri theksoi se qeveria ka ndryshuar qasje ndaj bujqësisë, duke nxitur sipërmarrjen që bart vlera dhe i shton ato drejt zhvillimit të qëndrueshëm. “Në një anë të heqim barrierat që pjellin korrupsion dhe te krijojmë mundësi për të krijuar zinxhire vlerash”, tha kreu i qeverisë, ndersa vuri në dukje se, “bindja jonë është se modeli i marrëdhënieve mes shtetit dhe fshatit në gjithë këto vite, i bazuar tek subvencionet në formën e lëmoshave për mbijetesë dhe jo në formën e investimeve për të krijuar zinxhirë vlerash, është një model thjesht dhe vetëm mbijetesë që nuk na çon asgjëkund. Këtu kemi ndryshuar qasje dhe ne duam të nxisim sipërmarrjen bazuar tek vlera që krijohet dhe krijon vlerë, jo bazuar tek ideologjia e lëmoshës.”
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se ka mbaruar një epokë kur të ardhurat vinin nga një rritje e cila bazohej tek dërgesat e emigrantëve, tek “boom-i” i ndërtimeve si një industri e tranzicionit e ngritur në nevojën për hapësira të reja banimi dhe tek marrja e dhunshme nga ana e qeverisë e parave të kompanive, një lloj kreditimi i dhunshëm i qeverisë, përmes kontratash të papaguara dhe shërbimesh të papaguara. Këto të treja ishin burimet kryesore të një rritje ekonomike dhe të një modeli që siç ne e kemi identifikuar, kishte shteruar. Të nxisim sipërmarrjen e fshatit bazuar tek vlera që krijohet dhe krijon vlerë, jo bazuar tek idiologjia e lëmoshës. Kërkuam që vetë fermerët të angazhoheshin për të aplikuar me projekte, projekte jo thjesht për të marrë paratë, por për të parë se çfarë kjo që do të sjellë, për të nxitur prodhimin, punësimin, eksportin, duke krijuar shembuj suksesi që të gjenerojnë sukses”, deklaroi kryeministri.
Krei i qeverise shprehu bindjen se bujqësia në Shqipëri mund të transformohet realisht në një burim të madh rritjeje dhe në mirëqenie për fshatin. Sipas Kryeministrit Rama, tashmë marrëdhënia e shtetit me fshatin nuk bazohet në subvencionet që kanë formën e lëmoshës, por në mbështetje konkrete nga ana e shtetit. “E rritëm me 70% fondin mbështetjes për bujqësinë dhe nga ana tjetër kërkuam që vetë fermerët të angazhoheshin për të aplikuar me projekte ku kriteri bazë i vlerësimit ishte, çfarë do të sjellë kjo gjëja që do bësh më pas dhe çfarë do të gjenerojë më pas, për të arritur që të nxisim prodhimin, punësimin, eksportin dhe duke krijuar shembuj suksesi që të gjenerojnë sukses”, deklaroi Rama.
Ndërsa ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, gjatë fajlës se tij, u ndal në identifikimin e vlerave të sipërmarrjes fermere dhe formalizimin e këtij sektori. Sipas kreut të bujqësië, në ambicien e institucionit që ai drejton mbetet formalizimi. “Skema e re mbështet pikat e mëdha të grumbullimit, pagesat në dorëzim, sepse kemi qëllim të formalizojmë bujqësinë shqiptare. Ne arrijmë ambicien për ta identifikuar fermerin, për ta regjistruar dhe për ta formalizuar”, tha Panariti.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, vuri në dukje kontributin që jep sektori i bujqësisënë ekonominë e vendit dhe sfidat për zhvillimin rural sipas modeleve bashkohore. “Sot bujqësia jep 20% të PPB, ndërsa përmes strategjisë së re për bujqësinë ku bën pjesë dhe paketa e re fiskale, synojmë të shtojmë vlerat e saj në ekonominë e vendit”, tha ministri Ahmetaj.
Punimet e konferencës vijuan me diskutimet dhe referencat e studiuesve dhe studentëve nga Universiteti Howardit, që kanë kryer praktikën studimore në vendin tonë dhe konkretisht në bashkëpunim me dikasterin e bujqësië, në identifikimin e vlerave dhe sektoreve prioritare qe rigjenerojne zhvillimin rural shqiptarë.