Rama: Çdo dialog pa vettingun nuk ka kuptim
Nga tubimi i radhës në Korçë, me të rinjtë që votojnë për herë të parë, kryeministri Edi Rama është shprehur i gatshëm për një dialog pa kushte me opozitën nëse kjo e fundit voton vettingun.
“Ne diskutojmë çdo gjë, por pa vettingun nuk ka asnjë sens asnjë lloj diskutimi. PD duhet të heqë dorë nga mbrojtja e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar”, ka deklaruar Rama.
Duke komentuar protestën e demokratëve, Rama është shprehur se, “Tirana e ka provuar Lulin, ndërsa Shqipëria nuk ka ndërmend ta provojë”.
“Shqipëria e ka provuar PD-në për 25 vjet. Nëse PD është kjo, atëherë s’ka nevojë ta provojë më”, ka vijuar Rama.
Ai ka shtuar më tej se zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë më tepër sesa zgjedhje politike. “Me rëndësi është fakti që zgjedhjet janë të popullit, jo të partive”, ka thënë Rama.