Rama: FRESSH-i, pjesë e rëndësishme e zgjerimit të PS
Kryeministri, Edi Rama ishte në çadrat e kampingut veror të të rinjve të FRESSH-it në Jalë. Të rinjtë eurosocialistë janë mbledhur në këtë kamping veror, pas përmbylljes jo vetëm të vitit shkollor apo akademik, por edhe të angazhimit të tyre në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, angazhim, për të cilin morën falenderimet e Ramës, por edhe të drejtuesve të tjerë të PS.
“FRESSH ka arritur të bëjë një transformim të rëndësishëm cilësor, por ky transformim duhet të shoqërohet dhe me zgjerimin e organizatës në territor. Sfida është që këtë transformim cilësor që është bërë me mund edhe me largpamësi ta shfrytëzojmë si një pikënisje për të bërë një transformim të madh sasior, për të pasur një shtrirje kapilare të organizatës në të gjithë territorin. Në radhë të parë për të siguruar që anëtarësia reale e FRESSH-it të shtrihet në çdo hapësirë shkolle dhe universiteti duke synuar gjithmonë që më të mirët të jenë pjesë e jona”, deklaroi Rama.
FRESSH, sipas kryesocialistit Rama, është një platformë e mundësisë që iu jepet të rinjve që përveç jetës individuale, të jenë pjesë edhe e një përpjekje të përbashkët, duke u marrë me politikë si aktivistë dhe si qytetarë të mirë.
Në kuadër të riorganizimit dhe zgjedhjeve të reja brenda partisë, të njoftuara në mbledhjen e disaditëve më parë të Asamblesë, Rama kërkoi zgjerimin dhe nxitjen e të rinjve për të qenë aktivë në jetën politike.
“Ne kemi vënë një objektiv që vitin e ardhshëm, në qershorin e vitit të ardhshëm kur Partia Socialiste bën 25-vjetorin të kemi regjistruar 150 mijë anëtarë. Në këtë fushatë që ne fillojmë në shtator FRESSH-i do të jetë një komponent shumë i rëndësishëm. Sigurisht që, do të jetë një nga mekanizmat e pazëvendësueshëm për të realizuar objektivin.
Rama ftoi të rinjtë të bëjnë propozimet tyre e të marrin pjesë aktive në këtë fushatë, mbi të gjitha duke kuptuar se ku qëndron forca e rritjes e Partisë Socialiste.