Politika

Rama: Fund misionit për të gënjyer kancelaritë dhe për të dëmtuar imazhin e opozitës

Konferenca

Përmend incidentin me Cekën, jep shtyllat e diplomacisë

Rama-me-Diplomatet

Kryeministri Edi Rama shpalosi para diplomatëve shqiptarë dhe të një pjesë të anëtarëve të qeverisë, strategjinë me dy shtylla që do të ngrejë imazhin e vendit në botë. Dy shtyllat kryesore, sipas Kryeministrit për një diplomaci të rilindur do të jenë forcimi i rolit të Shqipërisë në rajon dhe ndryshimi i imazhit të shqiptarëve në botë. Përveç kritikave për diplomatët që janë zgjedhur nga opozita, Rama në Konferencën e Ambasadorëve u ndal në rëndësinë që qeveria i kushton shërbimit të jashtëm dhe rolit të tij si promotor të imazhit të vendit. “Ambasadat tona duhet të jenë ndjekëse shumë të vëmendshme të politikave europiane dhe pjesëmarrëse aktive dhe të përhershme, në çdo nismë, në çdo aktivitet, në çdo rrugë bashkëpunimi që ka të bëjë me BE-në sidomos, por edhe në përgjithësi. Besoj që, të gjithë jemi të vetëdijshëm për rolin që ka diplomacia në kohën e sotme. Sepse në botën e re të komunikimit pa limit shpejtësie dhe të rritjes së vazhdueshme të komunikimit mes lidershipeve kombëtare apo diplomatike, roli i ambasadorit është transformuar, por nuk është bërë më pak i rëndësishëm. Është transformuar në atë të një koordinatori strategjik të të gjitha ndërlidhjeve të panumërta mes vendeve dhe mes shoqërive”, deklaroi Rama.

Kërkesat

Përveç lavdërimeve për punën e diplomatëve, Rama ka kërkuar nga ambasadorët shqiptarë të jenë aktivë për rikrijimin e profilit të Shqipërisë. Ai paralajmëroi rilindje të figurës së Ambasadorit, përmirësim të kushteve të punës e të pagës, si dhe dhënie fund të emërimeve të kushërinjve, farefisit dhe militantëve politikë në ambasadat shqiptare. Duke u ndalur edhe në ndryshimin e protokollit diplomatik për kreun e opozitës, kreu i qeverisë nuk la pa kritikuar të kaluarën e diplomatëve preferencialë të opozitës, duke përmendur dhe incidentin e disa muajve më parë në Vjenë me djalin e ambasadorit tonë në Itali, Neritan Ceka. “Diplomatët në vendet kyçe të BE-së dhe SHBA-së ishin përfshirë me hir apo pahir në një operacion dëmtimi të imazhit të opozitës. Do të mbetet si një nga momentet e mia të trishtuara debati në gjuhë të huaj dhe mes shumë të huajsh me një ambasador, i cili recitonte refrenin e luftës antiopozitare duke më penguar të komunikojë me mikpritësit. Një turp i pashembullt për trupin diplomatik në Shqipëri. Ndihem mirë që nuk ndihem më keq për ju sepse dua ta them, që kur kam ardhur në këtë vend, vendi i kryetarit opozitës në protokollin diplomatik është bërë i barabartë me të Kryeministrit. Që kur ka ndryshuar qeveria, ka ndryshuar shkalla e respektit të shtetit për figurën e ambasadorit”, tha Rama. Kryeministri gjithashtu ka kërkuar që t’i jepet fund asaj diplomacie që dëmton opozitën, duke gënjyer përpara kancelarive. “Ju me siguri e keni dëgjuar fjalën e famshme që thotë: ambasadori është një njeri i ndershëm që gënjen në interes të vendit të vet. Unë jam krenar që e mira e atdheut tonë ka pushuar së qeni për ju një detyrim i ardhur nga qendra për të gënjyer në kancelaritë e Europës për të dëmtuar imazhin e opozitës”, deklaroi Rama.

Rajoni

Një rëndësi sipas kreut të qeverisë u duhet kushtuar përmirësimit të marrëdhënieve me rajonin, duke e cilësuar si një projekt strategjik. “Marrëdhëniet rajonale të shihen si një sfidë dhe prioritet strategjik. Kur them marrëdhëniet rajonale kam parasysh marrëdhëniet ndërshqiptare, mes Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit dhe marrëdhëniet mes rajonit dhe BE-së. Jetësimi i një roli aktiv në rajon dhe kristalizimi i një profili të veçantë dhe të ndryshëm nga ai mbizotërues për shqiptarin në botë është një sipërmarrje që na imponon një kapërcim epokal. Nuk kam parasysh ndonjë gjë që është jashtë kufijve të së mundshme, kam parasysh asgjë më shumë se rritjen e cilësisë dhe shpejtësisë së punës së çdo dite”, tha Kryeministri. Ai shtoi se “përfaqësitë tona duhet të jenë të mirinformuara për politikat shtetërore për ta kthyer diplomacinë në agjent agresiv ekonomik dhe kulturor”. Në konferencë ka folur dhe ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, i cili ka kërkuar nga ambasadorët një diplomaci më tepër aktive.

Meta

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, mirënjohjen për punën e diplomatëve shqiptarë e shprehu nga ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku ishin mbledhur të gjithë ambasadorët e konferencës katërditore që po mbahet në Tiranë. Ai kërkoi një fokusim nga ana e ambasadorëve në diplomacinë ekonomike. “Kryesorja është një rritje më e lartë ekonomike, një rritje më e qëndrueshme ekonomike, një rritje më e mençur ekonomike dhe për këtë kontributi juaj është mjaft i rëndësishëm dhe unë do të doja t’ju jepja mbështetjen tonë të plotë si Kuvend në përmbushjen e këtyre angazhimeve, ashtu sikurse do të theksoja edhe diplomacinë kulturore shumë të rëndësishme për imazhin vendit, sepse jemi një vend që ende vuan nga një imazh të cilin nuk e meriton. Dhe jo më kot, të gjithë ata që vijnë për vizitë në Shqipëri, kur kthehen, kthehen me përshtypje shumë më të mira se sa me ato që vijnë”, theksoi Meta.

Ambasadori në NATO kërkon më shumë para

Demi-Kodheli replikojnë për fondet e Forcave të Armatosura

Në Konferencën e Ambasadorëve nuk munguan as replikat, konkretisht ato për çështjet e sigurisë. Ishte ambasadori ynë në NATO, Leonard Demi, i cili ka shprehur rezerva për qeverinë në lidhje me fondet që u ka dhënë Forcave të Armatosura. Ai shprehu domosdoshmërinë që qeveria të rrisë fondet për ushtrinë. Ambasadori Demi u shpreh se qeveria shqiptare duhet të shtojë buxhetin për ushtrinë në përmbushje të detyrimeve që ka ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut, dhe kjo pa bërë shkurtime në numrin e Forcave të Armatosura. Në përgjigjen e saj ministrja Kodheli u shpreh se për herë të parë, Forcat e Armatosura kanë një buxhet real dhe jofiktiv si gjatë qeverisjes së djathtë.

“Statusi, më shumë përgjegjësi për të gjithë”

Dade: Të zgjidhen çështjet e pazgjidhura

Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade, duke folur gjatë punimeve të Konferencës së Ambasadorëve, theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat në BE, rrit përgjegjësinë e Shqipërisë në rajon. Sipas saj, kjo mund të realizohet nëpërmjet angazhimit të Shqipërisë në organizatat ku ajo aderon. “Shqipëria duhet të punojë në organizatat ndërkombëtare ku ka aderuar, për të ndryshuar çështjet që vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura. Në të gjitha organizmat ku bëjmë pjesë, duhet të dekurajojmë përpjekjet e elementeve pengues në rajon për procesin tonë integrues”, – tha Dade. Sipas saj, diplomacia shqiptare duhet të shtojë detyrat që kërkon rendi i ri ndërkombëtar, ku emërimi i ambasadorëve me përvojë është një hap i mirë në këtë drejtim.

ARTEMISA HOXHA

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button