Rama: Incidentet në stadiume, 3 vite burg kush hyn në fushën e gjelbër
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “do të bëhen ndryshime në Kodin Penal, ku do të parashikohet dënimi minimumi me 3 vjet burg i atyre që hyjnë në fushën e gjelbër”. Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në tryezën e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, me temë: “Siguri, reformim, modernizim”.
Kryeministri tha se, “ne do të ndërhyjmë menjëherë në Kodin Penal dhe kapërcimi i vijave të bardha dhe futja në tapetin e gjelbër do të dënohet me 3 vjet burg”.
“Kush kalon vijën e bardhë dhe hyn në tapetin e gjelbër është një kërcënim fizik për ata që ushtrojnë detyrën e tyre, si futbollistë apo arbitra. Kemi domosdoshmëri që ta diskutojmë me shpejtësi dhe ta aplikojmë menjëherë këtë dënim minimum 3 vjet”, tha Rama. Kryeministri kujtoi se “ndëshkime shumë më të rënda se sa 3 vite burg u zbatuan në ’89 në Angli me iniciativën e kryeministres së kohës, për t’i dhënë përgjigje përfundimtare dhunës si sport më vete që karakterizonte futbollin anglez”.
Ndaj, tha Rama, “burgosja dhe përjashtimi përjetë nga stadiumi i atyre që prekin vijat e bardha, do të jetë hapi i parë në parlament, duke ndryshuar Kodin Penal. Rama tha se “për futbollin shqiptar ka ardhur koha e një hapi tjetër të madh përpara, duke reaguar fuqishëm ndaj dhunës dhe duke ndërmarrë së bashku një reformë të thellë modernizuese. “Dhuna në stadiume është një fenomen që nuk mund të tolerohet më ndaj ka nevojë për një reagim të përbashkët. Për zgjidhjen e problemit të dhunës ne kemi të gjitha mundësitë për të vendosur një bazë solide dhe të hyjmë në një fazë pa kthim në raport me dhunën”, tha Rama.
Kurse Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, duke folur në takimin mes FSHF-së dhe qeverisë shqiptare me temë: “Siguri-Reformim-Modernizim”, Duka tha se, nevojitet ndërmarrja e nismave që besojmë se do t’i japin një zhvillim tjetër sportit shqiptar, futbollit në veçanti. Futbolli ka mjaft probleme që mund të zgjidhen me ndryshime ligjore. Duka theksoi se, “është nevoja e formalizimit të klubeve të futbollit. Nevojiten lehtësi fiskale për ata që investojnë në sport. TVSH zero për investimet në sport dhe për materialet sportive.
Lehtësira në ligjin e sponsorizimit. Terrenet sportive t’i kalojnë në pronësi klubeve sportive pa shpërblim. Dhe në çdo investim për sportin qeveria të marrë pjesë me 50%. Nëse një ditë në Shqipëri do të ketë kompani bastesh, atëherë një pjesë e fitimeve duhet të kalojnë për sportin, sepse në fund të fundit ata përdorin produktin tonë. Kjo do të sillet fuqizim ekonomik të klubeve të futbollit”.
Duke folur për rastin e dhunës në kampionatin e futbollit, Duka tha se, “ne kemi probleme dhe me dhunën, me goditjen ndaj arbitrave apo zyrtarëve deri në evadim fushe apo veprime të dhunshme. Mbase këto kërkojnë ndryshime në Kodin Penal dhe agresorët duhet të ndjejnë peshën e masave ndaluese. Sot e kemi të pamundur dhe klubet e futbollit e kanë të pamundur financimin e kompanive private për sigurimin e rendit dhe sigurisë në stadiume”, tha Duka. “Jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e futbollit, që lartëson emrin e një vendi në mbarë botën dhe nëse menaxhohet mirë sjellë të ardhura të njëjta me industritë e tjera. Stadiumet moderne do të rrisnin automatikisht pjesëmarrjen e spektatorëve dhe të ardhurat e klubeve. Problemet e sportit shqiptar janë të shoqërisë dhe si të tilla duhen trajtuar”, tha Duka. Kreu i FSHF gjithashtu kërkoi që Prokuroria të hetojë rastet e trukimeve të ndeshjeve.