Rama: Investimi në Zvërnec do jetë bekim për ekonominë e Shqipërisë
Menjëherë pas përfundimit të takimit me banorët e Zvërnecit, ku diskutoi në lidhje me projektin që parashikohet të zhvillohet në atë zonë dhe iu përgjigj të gjitha pyetjeve të tyre, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një miting më socialistët e Vlorës.
Mitingu mbahet në sheshin “Flamuri” të qytetit bregdetar në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të PS.
Rama tregoi se ka ardhur nga Tivati, duke thënë se një vend me 10 mijë banorë, sot pret 5 milionë turistë.
Ai tha se kjo vjen vetëm falë projektit turistik që u zhvillua. Kryeministri tregoi se investitorët në Tivat erdhën dhe në Shqipëri, por se nuk u mirëpritën.
“Erdha nga Tivati i Malit të Zi sot dhe një moment e ndryshon fatin e një vendi. Kam menduar sesi një vendim mund të ndikojë shumë në ardhmërinë e një shteti. Tivati është vend i bukur, por Vlora si Tivati e ka çdo gji të saj. Të gjithë e quanin një bregdet të nivelit të ulët. Erdhën në Shqipëri ata që transformuan Tivatin, që sot ka 5 mln turistë në vit, edhe pse ka 10 mijë banorë.
Erdhën investitorët në Shqipëri diku nga viti 2009 a 2010 dhe gjetën këtu derën e mbyllur. Donin të bënin Portin e Durrësit. Një burrë nga Kanadaja, që u detyrua të ikë, sepse donte ta bënte në Durrës investimin e tij. Projekti do transformonte Shqipërinë. Nuk e bëri në Shqipëri, por e bëri në Tivat. Në Port dhe rreth portit u rrit vlera e tokës jashtëzakonisht shumë. Është vend i bukur Tivati, por nuk krahasohet me Shqipërinë që ka lumenj pa fund e dy dete”, tha Rama.
Më tej, deklaroi se investimi në Zvërnec do të jetë një bekim për ekonominë e Shqipërisë.
“Investimi në Zvërnec do të jetë një bekim për ekonominë jo vetëm për Vlorën. Investimi në Zvërnec do të jetë një bekim për ekonominë e gjithë vendit. Ky vend është vetëm i juaji i thoshte Hitleri gjermanëve. Dhe ju e dini shumë mirë sesi mbaroi historia. Kush flet kundër të huajve, do të thotë të zgjosh instikte tepër të errëta të racizmit.
Shqipëria kishte vetëm shqiptarë, por populli mori malet. Shqiptarët për Shqipërinë dhe jo Shqipëria e shqiptarëve. Populli ngec kur udhëhiqet nga delirantë dhe jo nga ata që ëndërrojnë që ky vend të bëhet. Shqipëria ka nevojë për respekt, edhe për zërin e hoxhës, edhe për zërin e priftit dhe për zërin e lëkurën e kujtdo, që Zoti ka vendosur ta lindë në Izrael, Brazil, SHBA etj”, u shpreh Rama.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.