Rama: Ja arsyet e rënies së të ardhurave në buxhet
Në seancën plenare të kësaj të mërkure të Kuvendit të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij duke dhënë një panoramë të përgjithshme të ecurisë së ekonomisë së vendit, duke theksuar – siç u shpreh, – arsyet se përse kanë rënë të ardhurat në buxhetin e shtetit, ndryshe nga sa ishte planifikuar, çështje për të cilën opozita akuzon qeverinë për vjedhje dhe korrupsion.
“Besoj se batërdia me çdo mënyrë ndaj shtetit, që kulmoi me muajt e fundit të qeverisë së kaluar ka marrë fund në po ato muaj. Dhe vendimi më i rëndësishëm lidhet me mbështetjen që Kuvendi do t’i japë operacionit kundër informalitetit. Sot ne jemi të gatshëm ta vazhdojmë atë, sepse deri më tani ky proces na ka dhënë rezultate inkurajuese lidhur me të shkuarën dhe të ardhmen. Jemi të detyruar të shpjegojmë për qytetarët atë që nga opozita konsiderohet si një gropë e krijuar në të ardhurat e shtetit, sipas tyre si pasoja e vjedhjes dhe korrupsionit. Faktikisht, së bashku me ekspertët ndërkombëtarë që na asistojnë dhe FMN-në, kemi arritur në një konkluzion të qëndrueshëm dhe të përbashkët lidhur me pse-në e mospërputhjes mes planit dhe realizimit tonë. Siç do ta shpjegoj këtu zë për zë, kemi të bëjmë me një sërë faktorësh që nuk janë të lidhur as me qeverisjen dhe as me administrimin e të ardhurave. Rënia drastike e çmimit të naftës bruto, por edhe karburanteve të rafinuara në tregjet ndërkombëtare, ka pasur ndikim në rentën minerare, tatimin mbi vlerën e shtuar. Faktori tjetër ka të bëjë me reformën në sektorin e energjisë. Vitin e kaluar ra prodhimi vendas që u kompensua me rritjen e importit të energjisë. TVSH e importit të energjisë ka ndikim të menjëhershëm dhe shumë të lartë në afatshkurtër, në krahasim me TVSH-në e mbledhur. Përbërja e energjisë elektrike këtë vit kaloi nga importi në prodhimin vendas, e faktikisht importi është ulur me 47%. Kemi një rritje të prodhimit vendas, që çoi në rënie të të ardhurave me burim doganat, ndërsa kompensimi nuk është i menjëhershëm dhe kërkon kohë më të gjatë. Së treti modeli ynë ekonomik që synon devijimin e sipërmarrjeve të reja me kah prodhimin vendas, për të nxitur rritjen e prodhimit nëpërmjet një sërë masash lehtësuese. Ky fakt ka sjellë një rritje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme të konstatuar që në 2014-n të importit të makinerive dhe pajisjeve të përjashtuara nga TVSH-ja. Ne kemi bindjen e konsoliduar së bashku me ekspertizën ndërkombëtare, se në një afat të mesëm kjo mangësi e sotme në të ardhurat do të riparohet. Një tjetër faktor është rënia e interesave të depozitave, pavarësisht pritshmërive që kishim kur hartuam buxhetin. Kjo përbën një problem në pamje të parë kur shohim të ardhurat e buxhetit, por normat e ulëta të interesit sjellin përfitime në të ardhmen”, tha kryeministri Rama.