Rama- Keqiang: Më shumë investime kineze në Shqipëri
Rama- Keqiang: Më shumë investime kineze në Shqipëri – Lajme – Top Channel
Konkretizimi dhe nxitja e mëtejshme e projekteve të përbashkëta ishin në qendër të takimit, që kryeministri Edi Rama zhvilloi me homologun e tij kinez Li Keqiang.Zyra e shtypit në kryeministri thotë se “kryeministri Rama e informoi homologun kinez lidhur me përparimin e katër projekteve të rëndësishme në infrastrukturë, falë Marrëveshjes së Mirëkuptimit të Qeverisë Shqiptare me kompaninë Pacific Construction.
Gjatë bashkëbisedimit kryeministri Rama nënvizoi si një moment të rëndësishëm të vizitës firmosjen trepalëshe të Marrëveshjes së Mirëkuptimit mes ministrave të Transportit të Shqipërisë e të Malit të Zi dhe Presidentit të Pacific Construction, për ndërtimin e Korridorit të Kaltër. Në këtë marrëveshje do të përfshihen në vijim edhe Bosnja e Kroacia si palë të interesuara për projektin.
Në njoftimin për median thuhet se “një tjetër moment i bashkëbisedimit ishte finalizimi i negociatave për të filluar punimet në rrugën e Arbrit, si edhe mbështetja kineze për Parkun Industrial në Zonën e re Ekonomike të Durrësit, për të cilin Kryeministri Li Keqiang u angazhua të nxisë përfshirjen e sa më shumë kompanive kineze në jetësimin e Parkut, ku parashihet krijimi i 30 mijë vendeve të reja pune.
Kryeministri Li Keqiang citohet të ketë deklaruar se “po ashtu qeveria e Kinës është e gatshme të mbështesë zhvillimin e infrastrukturës portuale në Shqipëri”.
Bujqësia ishte një tjetër sektor ku pala kineze shfaqi interes sidomos sa i përket importit të produkteve shqiptare e posaçërisht vajit të ullirit.
Po ashtu, Kryeministri kinez e informoi Kryeministrin Rama për një grant të qeverisë kineze për mekanikën bujqësore, si edhe për gatishmërinë për të mbështetur rimëkëmbjen e infrastrukturës së prodhimit bujqësor.
Në fund të takiomit të dy kryeministrat dakordësuan për zhvillimin e një vizite zyrtare të Kryeministrit kinez në Shqipëri.
Në kuadër të Samitit Ekonomik Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore, Kryeministri Edi Rama ishte pjesëmarrës edhe në takimin që Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping zhvilloi me kryetarët e qeverive të vendeve pjesëmarrëse .